SHTETI KOMB, FINALIZIMI I ËNDRRËS TONË NACIONALE/ NGA AZGAN HAKLAJ

SHTETI KOMB, FINALIZIMI I ËNDRRËS TONË NACIONALE/ NGA AZGAN HAKLAJ

756
0

Platforma për jetësimin e tij, domosdoshmëri historike.

Gjuha, territori, historia e kultura janë elementët bazikë që e identifikojnë shtetin komb, apo shtetin nacional sipas përkufizimit perëndimor. Kongresi i Manastirit ka meritën historike pasi krijoi Alfabetin Shqip dhe e identifikoi Shqipërinë para Evropës dhe botës si një komb kulturor. Me zgjedhjen e shkronjave latine, korifenjtë e kulturës kombëtare i treguan Perëndimit se Shqipëria është një popull me kulturë e histori thellësisht evropiane dhe se janë fara dhe rrënja e qytetërimit evropian. Ata dëshmuan se orientimi i tyre kulturor dhe politik drejt vlerave të civilizimit perëndimor është jo vetëm domosdoshmëri ekzistenciale, por dhe mënyra më e sigurtë për t’u shkëputur përgjithmonë nga kthetrat e Perandorisë Otomane dhe të asaj Ruso -Sllave. Gjuha, si simbol themelor i një populli, është faktor kohezioni vetëm atëherë kur ajo shërben për unifikimin e të gjitha teksteve që nga Abetarja e deri tek literatura universitare e ajo akademike. Një tekst i Abetares për të gjithë femijët në hapësirën etnike shqiptare është alfa e betejës për ta bërë sistemin arsimor mbarëkombtar, një gurë themeli dhe premisë të sigurtë për të ardhmen e brezave që vijnë. Kuvendi famëmadh i Arbrit i vitit 1703, i mbledhur nën kujdesin e Papës shqiptar Klementi Xl Albani, është jo vetēm djepi i Rilindjes Kombëtare, por është interpret i dēshirës së flaktë të arbërorëve për ta mbrojtur gjuhën e kulturën e vendit të tyre. Hapja e seminareve dhe kolegjeve në zona të ndryshme me vendim të Kuvendit historik të Arbërit, ku mësimi jepej shqip dhe me tekste të unifikuara, na tregon jo vetëm mashtrimin trashanik e kriminal që historiografia komuniste e dirigjuar nga qarqet antishqiptare sllavo-greke, ka bërë për moshën e gjuhës shqipe, por edhe diçka tjetër themelore, kujtesën tonë historike dhe se jemi tre shekuj prapa së veni nē jetē Projektin e stërgjyshërve tanë. Një sistem i unifikuar i gjuhës e shkollës shqipe do të thotē që fëmijët, nxënësit dhe studentët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal tē Zi, Luginë tē Preshevës, të kenë nē duart e tyre një tekst mēsimor, të kenë të drejta e kritere të njëjta për të hyrë në universitetet tona dhe diploma të barazvlerëshme në të gjithē hapësirën shqiptare. Njësoj si për universitetet publike ashtu edhe për ato private. Kualifikimet pasuniversitare, doktoraturat e gradat shkencore duhet te jepen sipas një sistemi të njësuar nacional. Bashkimi shpirtëror i kombit me një Projekt Nacional i paraprin Bashkimit Politik dhe Ekonomik. Ai pregatit terrenin dhe shërben si gurë-themel i Shtetit-Komb. Trashëgimia kulturore dhe historike janë një e të pandara për të gjitha trojet etnike ku banojnë shqiptarët. Këtë na tregon më së miri folklori, etnografia e së fundmi historia e arkeologjia e epokës ilire, parakristiane dhe e mesjetës së hershme. Dëshmi të pakundërshtueshme, historike dhe shkencore tregojnë se të Parët tanë kanë patur jo vetëm hemogjenitet përsa i takon gjuhës, mënyrës së jetesës, riteve, dokeve e zakoneve të dalluara qartë nga popujt e tjerë të Ballkanit dhe Evropës, por dhe një civilizim tē shkallës më të lartë. Shqiptarët ndodhen sot përballë kërcenimit serioz të kuartetit antishqiptar Moskë-Ankara-Beograd-Athinë. Në këto qendra përpunohen taktikat e hartohen strategjitë për të groposur njëherë e përgjithmonë kulturën e vjetër shqiptare dhe kujtesën tonë historike. Shkatërrimi apo tjetërsimi i monumenteve të lashta dhe autentike shqiptare, duke përfshirë edhe ato të kultit, përpjekja për të përvetësuar figura të shquara Iliro-Dardano-Arbërore dhe për t’i etiketuar ato si sllavo-greke, e së fundmi edhe përpjekja donkishoteske për t’u marrë shqiptarëve Eposin Kombëtar, trashëgiminë Ilire, Gjergj Kastriotin, Migjenin apo Nanë Terezën vërtetojnë katërcipërisht këtë teoremë. Këto fakte dëshmojnë se siç jemi të ndarē në pesē shtete me qeveri tē paafta e të korruptuara, me akademi të shkencave që flejnë gjumë, akoma nuk e kemi krijuar nëse shprehemi nē gjuhën ushtarake mburojën raketore kundër armiqve tanë historik. Ka 15 vite që Unioni Artistik i Kombit Shqiptar, si institucioni më i rëndësishëm i kulturës kombëtare shqiptare, vepron nē të gjithë hapësirën etnike të Kombit Shqiptarë për të promovuar artin tradicional, folkun, këngën, vallen, etnografinë si pasaportë autentike, si ADN-në e Kombit tonë. Festivalet kombëtare, spektaklet, koncertet tematiko-patriotike janë organizuar nën moton: “Një Komb, Një Kulturë-njē Gjuhë- një Flamurë-një Histori-një Atdhe dhe së fundmi në Plavë-Guci: “Një Komb – Një Shtet. Këto manifestime janë kthyer në referendume artistiko-qytetare dhe se Unioni Artistik i Kombit Shqipëtar është laborator i Platformës së Unifikimit të Kulturës Kombëtare, pa diskutim mund të quhet “Parlamenti Shpirtëror i Kombit”. Ky konstatim më vjen natyrshëm për shkak se është i shtrirë me aktivitete të rëndësishme në mbarë hapësirën shqiptare dhe se ka si lidershqip ajkën e artit shqiptar. Mesazhet e tij kanë qenë domethënëse për kohën dhe iu kanë paraprirë zhvillimeve politike. Mesazhet a artit janë të fuqishme dhe se futen aty ku nuk futet dot politika dhe diplomacia. Kombi jonë nuk përcaktohet tek kombet dinastike apo kombet politike, por tek kombet etno-kulturore, prandaj jetëgjatësia dhe shpëtimi nga asimilimi gjatë sagës së gjatë i dedikohet kulturës tone. Nëse i referohemi historisë së bashkimit të Gjermanisë aspak më shumë nuk ka kontribut Bis Marku se sa Gëte për realizimin e ëndrrës sē popujve gjermanikë. Profeti Muhamed na mëson se: “jetëgjatësia e një populli varet nga jetëgjatësia e trashëgimisë shpirtërore të tij”. Nëse qindra-mijëra artistë të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar i bien kryq e tërthorë Atdheut me diplomaci artistike e art diplomatiko-politik, ashtu si Shën Pali Ilirikumit për tē përhapur Ungjillin e kulturës tonë kombëtare, qeveritarët e ministrat e korruptuar me anë të marionetave të tyre t’i mbyllin dyert kur ju paraqet projekte madhore të kulturës kombëtare të kuvendeve të këngëve, të valleve shqipe. Ata shkojnē mē tej duke u bërë barrikada e parë për të dëmtuar e asfiksuar trashëgiminë kulturore. Projektet kombëtare, festivalet folklorike dhe strategjia afatgjatë për të zbuluar e promovuar breza të rinj artistësh kërkon bashkëveprim mes qeverive shqiptare dhe mbështetje financiare e logjistike. Ka më shumë se një dekadë e gjysëm që është shembur muri mes shqiptarëve dhe asnjë festival kombëtar i folklorit i mbështetur nga qeveritë e Prishtinës dhe të Tiranës nuk është bërë e me gjasa as nuk mendohet të zhvillohet në Prizeren apo Prishtinē, për të mos folur për Shkupin, Mitrovicën, Preshevën apo Ulqinin. Këto treva të shquara kulturore e historike të Kombit tonë kanë të drejtē të ngrenē pyetjen: -Përse Shqipëria Nanë na sheh me syrin e njerkës?! Çfarë bën Qeveria e Kosovës? Cilat janë frytet e takimeve pompoze dhe sfilatat qeveritare Tiranë-Prishtinë? A ka diplomaci kulturore mbarëkombëtare?! Është paradoksale fakti që Shqipëria, një nga vendet me trashëgimi kulturore ndër më të pasurat e të vjetrit e Evropës krahas asaj (Greko-Romake), ka buxhetin më tē ulët nē kontinent në raport me XHDP-në për kulturën e vet kombëtare. Hap tjetër i rendësishëm i Platformës së Shtetit-Komb është hapësira e lirë ekonomike, krijimi i komunuellthit ekonomik shqiptar. Politika të unifikuara të zhvillimit, të sigurisë kombëtare dhe të diplomacisë. Akoma me barriera doganore, me politika reciprociteti, në kufirin shqiptaro-shqiptarë. Mendoni kur Princ Dhimitri i Shtetit tē Arbërit 800 vjet më parë bënte tregti të lirë me Raguzën dhe i merrte në mbrojtje në territorin e vet. Kjo ka ndodhur dhe dy shekuj më vonë me Gjon Kastriotin dhe djemtë e tij, të cilët u zotoheshin venedikasve se do t’i mbronin dhe do të paguanin çdo dëm që pësonin në territorin e tyre. Njē komunuellth shqiptar ekonomik duhet t’u japë garanci bashkëkombasve se nuk do t’u shfaqet si makth trau i doganave apo taksimi i dyfishtë. Hapësira e lirë ekonomike për të dhanë frytet e saj kërkon në rradhë tē parë lëvizjen e shpejtë të mallrave e sherbime me shpejtësi në hapësirën panshqiptare. Kjo ndodh vetëm atëherē kur tē financohen projektet e mëdha të infrastructures: Rruga e Arbrit, Korridori Adriatik-Alpe, lidhja e porteve shqiptare me rrjetin hekurudhor të Kosovës, një rrjet i unifikuar i energjisë. Këto janë investimet strategjike pa të cilat shqiptarēt nuk mund tē pretendojnë tē hedhin bazat ekonomike. Siguria kombëtare e diplomacia e përbashkët janë pjesë e rëndësishme e Platformës së Shtetit-Komb. Përtej slloganit: ” Një Komb-Një Qendrim” qeveritë e Tiranës dhe të Prishtinës duhet ta kuptojnë se FSK dhe ato të ushtrisë në Shqipëri duhet të trajtohen njësoj, tē shkollohen në njē akademi e me një program të vetëm. Të kenë të njëjtin sistem gradash dhe të njëjtën strategji të përbashkët në luftën kundër terrorizmit apo kundër rreziqeve që vijnë në mbarë hapësirën etnike shqiptare nga fqinjët shovinistë. Politika e Jashtme ka qenë nyja gardiane e shtetit shqiptarë për 100 vjet. Çlirimi i Kosovës ka sjellë një realitet të ri, të cilin u detyra ta njohë edhe presidenti serb Vuçiç. Është koha tē presim me shpatën e drejtësisë këtë nyje të djallit. Shqiptarët duhet t’i flasin Botës me një gjuhë. Diplomacia duhet tē jetë mbarëkombtare. Shqiptarët nga komb etno-kulturorē duhet të bēhen komb politik. Ka ardhë koha që ata të kenē Shtetin Komb. Një mik i madh i shqipëtarëve, ish-ambasadori i Amerikan në Kosovë, Willam Wolker, në 20 vjetorin e spektaklit “Mirë se vini në Alpe” dhe në Festivalin e Dytë Kombëtar: “Kënga dhe Vallja Shqipe na Bashkon” tha: “Unë nuk i ndajë shqiptarët të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, të Çamërisë, të Malit të Zi, të Luginës sē Preshevës. Shqipëtarët janë Një dhe kanē Një Flamur. Po e mbyll këtë opinion timin duke apostrofuar faktin se këto manifestime kulturoro-artistike u organizuan nga Shoqata “Alpet Shqiptare”, Shoqata “Maja e Karafilit”, me mbështetjen e Unionit Artistik të Kombit Shqipëtar në trojet e Ali Pashë Gucisë dhe të Jakup Ferrit, në Vuthaj, Plavë-Guci me dt. 30-31 korrik dhe 1 gusht 2017.

 

 Azgan HAKLAJ/ President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar