
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor e koduar “Qelqi”, ku u goditën dy raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet.
Në pranga u vunë shtetasit: E. Xh., 26 vjeç, banues në Tiranë
- D., 24 vjeç, banues në Tiranë
- B., 24 vjeç, banues në Tiranë
Tre shtetasve të mësipërm gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin po udhëtonin, Policia iu gjeti dhe sekuestroi një sasi prej 1 kilogranë e 251 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Këta shtetas kishin si qëllim nxjerrjen dhe shitjen e lëndës narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit. Për të shmangur dyshimet e Policisë mjetin me të cilin po qarkullonin këta shtetas e kishin marrë me qera.
Po gjatë operacionit ra në prangat e Policisë edhe shtetasi B. V., 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.
Policia dispononte informacione se ky shtetas merrej me shpërndarje të lëndëve narkotike të drogërave të forta, kryesisht heroinë në zonën e Kombinatit, Yzberishtit dhe rrugës së “Qelqit”. Lëndën narkotike ky shtetas e siguronte nga persona të tjerë, për të cilët vijon puna për kapjen e tyre.
Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.