Shpenzimet në shëndetësi, Shqipëria  e fundit në Europë

Shpenzimet në shëndetësi, Shqipëria  e fundit në Europë

415
0

Shqipëria renditet e fundit në Europë dhe rajon për shpenzimet publike që akordon për sektorin e shëndetësisë në raport me PBB-në, madje më një diferencë shumë të thellë në raport me mesataren e vendeve të BE-së dhe dy herë më pak se Rajoni. Sipas të dhënave të Eurostat shpenzimet mesatare të vendeve të BE-së për sektorin e shëndetësisë arritën në 9.9 për qind të PBB në vitin 2017, teksa sipas të dhënave kombëtare në të njëjtin vit shpenzimet për shëndetësinë në raport me PBB ishin 2.8 për qind.

 

Të dhënat tregojnë se Shqipëria akordon shpenzime nga buxheti në raport me PBB 3.5 herë më pak se Europa, tre herë më pak se Bosnja dhe dy herë më pak se Rajoni. Shqipëria u rendit e fundit pas Rumanisë e cila më 2017 i kishte shpenzimet në sektorin e shëndetësisë sa 5.2 për qind e PBB-së. Në Europë shpenzimet më të larta publike për shëndetin i kanë Zvicra, Franca, Gjermania dhe Suedia, përkatësisht me 12.3, 11.5, 11.3 dhe 11 për qind.

 

Ndërsa shpenzimet më të ulta i kanë Shqipëria me 2.8 % të PBB-se, Rumania me 5.2% te PBB-se. Por nëse do të analizojmë strukturën e shpenzimeve publike në shëndetësi, eficensa e tyre vihet në diskutim pasi një pjesë e madhe e tyre publike shkojnë si fitime për bizneset private që menaxhojnë së paku katër koncesione. Vitin e kaluar, fitimet e koncesioneve të sektorit të shëndetësisë u rritën 60% në raport me 2017, sipas të dhënave nga bilancet zyrtare që kompanitë kanë dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të përpunuara nga “Monitor”.

 

Të tre kompanitë që zotërojnë koncesione në shëndetësi raportuan 3.2 milionë euro fitime, nga 2 milionë euro që raportuan në vitin 2017. Pjesa më e madhe e fitimeve është realizuar nga koncesioni i sterilizimit nëpërmjet kompanisë SaniServis me rreth 2 milionë euro, teksa 3P Life Logistic që zotëron CheckUp-in dhe koncesioni i Hemodializës raportuan fitime më të ulëta se një vit më parë.

 

Vetëm duke përllogaritur fitimet që rrjedhin nga koncesionet e shëndetësisë, që janë kontribut i pastër i taksave të shqiptarëve, shuma do të ishte e mjaftueshme për të ndërtuar një qendër spitalore publike moderne. Për pasojë Shqipëria ka barrën më të lartë të sëmundjeve në Rajon sipas të dhënave të OKB dhe numrin më të ulët të mjekëve në proporcion të popullsisë.