Shpenzimet e shqiptarëve, një e treta e ekonomisë për bukë dhe ushqime

Shpenzimet e shqiptarëve, një e treta e ekonomisë për bukë dhe ushqime

441
0

Shpenzimet e shqiptarëve për ushqime përbëjnë 31% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose rreth 1/3 e ekonomisë. Sipas të dhënave të “Eurostat”, të përpunuara nga “Monitor”, në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian, shpenzimet për ushqime në raport me atë që prodhon ekonomia në një vit janë më të lartat.

Në vlerë absolute, çdo shqiptar shpenzon për t’u ushqyer në vit 1,248 euro, nga rreth 1800 euro që është shpenzimi mesatar në BE, por duhet të kemi parasysh që të ardhurat për frymë të Shqipërisë janë vetëm sa 30% e mesatares evropiane, shkruan “Monitor”.

Në një tjetër tregues më të detajuar, të publikuar nga Eurostat, shpenzimet për bukë dhe drithëra në Shqipëri ishin sa 4.9% e GDP-së, sërish më e larta në Europë, e ndjekur nga Bosnjë Hercegovina me 3.1% të GDP-së (të dhënat për Kosovën mungojnë).

Konsumi i lartë i bukës dhe brumërave është një shenjë e varfërisë dhe e nivelit të ulët të të ardhurave që siguron një vend, që është i detyruar të blejë ushqimet shtrenjtë, për shkak se një pjesë e madhe e tyre importohen (për ironi, Shqipëria ka peshën më të lartë të bujqësisë në Europë me rreth 18-20% të PBB-së nga 2% që është mesatarja e Azisë dhe Europës dhe rreth 8% e Maqedonisë së Veriut).

Vetëm pasi plotëson nevojat primare, ato të të ushqyerit, një familje fillon e mendon për shpenzime të tjera, ku vendin e fundit e zënë ato për udhëtime, apo luks e argëtim.