Shkodër/Tifozët e dehur skocezë përfundojnë në spital me fraktura

Shkodër/Tifozët e dehur skocezë përfundojnë në spital me fraktura

411
0

Diku dëgjohej “Rolling Stones”, pak më tutje Elvana Gjata me “KUQEZI”, e shumë afër tyre dhjetëra skocezë që këndonin këngët e tyre tradicionale. Jo shumë larg nga ata, i vetmuar një lypsar mbante një saksofon të vjetër në dorë, duke marrë disa prej këngëve të njohura popullore me shpresën se skocezët do i falnin para, e ndërsa përballë në Gjuhadol disa skocezë të tjerë vinin vërdallë me disa vegla frymore tradicionale muzikore. Është kjo atmosfera që ka mbizotëruar gjatë gjithë ditës në Shkodër derisa është ndezur pak çaste para ndeshjes.

 

SKOCEZËT

Burrat skocezë me fustanellën e tyre që na çonin larg në Shqipërinë e hershme të ilirëve, kur shqiptarët ndër të parët në Ballkan mbanin veshur fustanellat e tyre. Aktori i humorit, “Mjeshtri i Madh” Besnik Çinari, duke parë skocezët me fustanella lëshoi një batutë duke thënë: “Sa shumë vetë qenkan bërë synet!” Me birra në dorë e duke kënduar gjatë gjithë kohës, skocezët u miqësuan me shkodranët deri aty sa shumë prej tyre morën flamuj e bluza të Kombëtares shqiptare. Pas golit të tretë, tifozët kuqezinj nisën braktisjen e stadiumit të pakënaqur me paraqitjen e Kombëtares. Te goli i katërt eksodi në “Loro Boriçi” shtohet edhe më shumë dhe stadiumi mbetet i përgjysmuar. E gjithë festa është vetëm e skocezëve.

 

 

 

PROBLEMET

Ende pa mbaruar ndeshja, tifozëve skocezë u kërkohet që të mos dalin menjëherë nga stadiumi pasi të përfundojë takimi, kjo për arsye sigurie. Të gjithë tifozët skocezë që u futën në stadium nuk mundën që ta shijojnë deri në fund atë fitore 4-0, sepse disa prej tyre rrëzoheshin në shkallët e stadiumit në gjendje të dehur.

 

Kështu rreth 10 tifozë pësuan fraktura të ndryshme dhe u desh ardhja e ambulancës për t’i marrë nga stadiumi dhe për t’i dërguar drejt spitalit. Pjesa më e madhe janë futur në stadium në gjendje të dehur, ndërsa duke hyrë pyesnin se çfarë birre ofrohet në stadium me apo pa alkool duke mos e ditur se aty s’kishte fare birra. Teksa kanë qenë duke hyrë, të paktën tre tifozë skocezë kanë raportuar në polici se atyre u kanë vjedhur portofolin apo disa sende të tjera me vlerë. Më përpara skocezët kanë festuar pa fund në lokalet e qytetit bashkë me shkodranët, ndërsa në shumë mjedise ishte vënë flamuri i Skocisë edhe si shenjë mikpritjeje, por edhe për të shfrytëzuar turizmin kulturor. / Panorama