SHIFRA E DITËS: Në 21 shtete të BE-së bien çmimet e ushqimeve...

SHIFRA E DITËS: Në 21 shtete të BE-së bien çmimet e ushqimeve në prag festash, pse rriten në Shqipëri?

167
0

Aranit Muraçi

Inflacioni vjetor zbriti në 2.4% në eurozonë dhe në 3.1% në Bashkimin Europian, sipas të dhënave më të fundit zyrtare të Eurostat, zyra e statistikave e Bashkimit Europian.  Ndërkohë që në vendin tonë inflacioni në muajin nëntor pësoi një rritje të lehtë krahasuar me muajin tetor.

Norma vjetore e inflacionit të eurozonës zbriti në 2.4% në nëntor 2023, nga 2.9% që ishte në tetor. Një vit më parë, norma ishte 10.1%. Inflacioni vjetor i Bashkimit Evropian ishte 3.1% në nëntor 2023, nga 3.6% në tetor. Një vit më parë, norma ishte 11.1%. Shifrat e sapo publikuara nga Eurostat tregojnë se vendi ynë, që mburrej në kulmin e krizës se kishte mbajtur inflacionin nën normën mesatare të BE-së, tashmë duket se po përballet me një inflacion “Made in Albania”. Që do të thotë se ndryshe nga inflacioni i një viti më parë, i cili u importua nga BE, për shkak të krizës energjetike, rritja e fundit e çmimeve mund të shpjegohet për dy arsye kryesore. E para, abuzimi nga grosistët të cilët e reflektojnë me shpejtësi rritjen e  çmimeve të produkteve të importuara, por veprojnë ndryshe me uljen e tyre.  Në një treg oligopol, ato kontrollojnë çmimet në mënyrë abuzime dhe sigurojnë përfitime që për botën e zhvilluar konsiderohen të paligjshme. E dyta, janë shpenzimet qeveritare dhe rritja e pagave të premtuara. Rritja e pagave në mungesë të produktivitetit do të shoqërohej me rritje të inflacionit ose me rritje të taksave.

 

Në Europë, normat më të ulëta vjetore u regjistruan në Belgjikë (-0.8%), Danimarkë (0.3%) dhe Itali (0.6%). Normat më të larta vjetore u regjistruan në Çeki (8.0%), Hungari (7.7%), Sllovaki dhe Rumani (të dyja 6.9%). Krahasuar me tetorin, inflacioni vjetor ra në njëzet e një shtete anëtare, mbeti i qëndrueshëm në tre dhe u rrit në tre prej tyre. Në nëntor, kontributi më i lartë në normën vjetore të inflacionit të eurozonës erdhi nga shërbimet (+1,69 pikë përqindje, pp), e ndjekur nga ushqimi, alkooli dhe duhani (+1,37 pp), mallrat industriale joenergjetike (+0,75 pp) dhe energjia (-1,41 pp).

 

Ndërkohë që në Shqipëri ndikimin kryesor e kanë pasur ushqimet dhe jo shërbimet pasi këto të fundit do të çonin në rritje të pagave në sektorin privat. Afrimi i festave si dhe rritja e konsumit po nxisin po ashtu shtrenjtimin e çmimeve, në vendin tonë. Gjatë muajit nëntor është konstatuar një rritje e lehtë e  inflacionit, sipas INSTAT, duke arritur në 3.9% nga 3.8% që ishte një muaj më parë. Megjithatë nëse e krahasojmë me një vit më parë niveli i inflacionit është thuajse dyfish më i ulët.  Shqetësues është fakti se në këtë fundvit inflacioni mbetet më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Nëntor 2023 është 3,9 %,  ndërsa një vit më parë ky ndryshim në vendin tonë ishte 7,9 %. Edhe pse krahasuar me një vit më parë rritja e përgjithshme e çmimeve është ngadalësuar, shifrat tregojnë se çmimet e ushqimeve vijojnë të jenë në nivele të larta dhe përpos kësaj kanë dhënë kontributin kryesor në nivelin e inflacionit në muajin nëntor.

 

Krahasuar me muajin Nëntor të vitit të kaluar, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 7.1%, pasuar nga grupet “argëtim dhe kulturë” me 6.0%, “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 4.8%, etj, thuajse të gjitha produkte të importuara.

 

Në tentativë për të mbajtur të frenuar rritjen e çmimeve Banka e Shqipërisë rriti së fundmi normën bazë të interesit gjatë nëntorit duke e çuar atë në 3.25%. Me anë të kësaj politike, Banka Qendrore synonte të mbante nën kontroll inflacionin, ndërkohë që ndikoi në forcimin e  monedhës kombëtare kundrejt valutave të tjera.

 

Pyetja që shtrohet dhe përsëritet është: përse nuk bien çmimet sikurse rriten brenda ditës, kur kjo gjë ndodh në vendet e BE-së? Dhe, a mund të lindin dyshime të forta për abuzim për përfitime të paligjshme në kurriz të qytetarëve?

 

/Liberale.al/