Serbia kërkon marrëveshje me Kosovën para zgjedhjeve presidenciale në SHBA

Serbia kërkon marrëveshje me Kosovën para zgjedhjeve presidenciale në SHBA

573
0

Serbi ka një afat kohor kur preferon të arrijë një marrëveshje përfundimtare për çështjen e Kosovës. Presidenti amerikan do të marrë detyrën në ditën e parë të vitit 2021. Praktika është se gjashtë muaj para skadimit të mandatit nuk merren vendime të mëdha, por pyetja është se si do të duket përbërja e re e Shtëpisë së Bardhë, raporton portali serb “Blic”. Amerika është e përfshirë në mënyrë aktive në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Administrata e tyre po i bënë presion Prishtinës që të tërheq taksën mbi mallrat nga Serbia në mënyrë që të dyja palët pas disa muajsh të vakumit përsëri të ulen në tryezën e bisedimeve, shkruan portali serb dhe shton se vet Trumpi i dërgoi një letër presidentëve Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi, me ç’rast iu apelon atyre për të bërë gjithçka, për shkak se ata kurrë nuk kanë qenë më afër marrëveshjes historike.

 

Megjithëse ende nuk dihet se kush mund të dalë kundër linjës së Trumpit, ndryshimi i administratës dhe ardhja e demokratëve do të ndikonte gjithashtu në ngjarjet në këtë rajon. Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq ka vlerësuar në një deklaratë për “Blic” se largimi i Trumpit do të ishte një gjë e keqe për zgjidhjen e problemit të Kosovës.

 

“Kjo nuk na përshtatet. Do të ketë një ultimatum – gjithçka tashmë është zgjidhur, Kosova tashmë është e pavarur dhe ne duhet vetëm që ta njohim”, thotë Daçiq, transmeton “Zëri”.

 

Dragan Gjukanoviq nga Qendra për Politikë të Jashtme beson se administrata e re do të mbetet në të njëjtën rrugë kur është fjala për adresimin e kësaj çështjeje.

 

“Administrata e re do të kishte të njëjtën qasje vendimtare në këtë çështje. Për më tepër, presioni për t’i dhënë fund dialogut do të ishte sigurisht dhe më i fuqishëm. Përveç kësaj, ndikimi amerikan do të ishte pa dyshim më i fortë në lidhje me anën e Kosovës dhe korniza për zgjidhjen përfundimtare do të kishte qenë shumë më e përafërt me atë që e kërkon Prishtina”, tha Gjukanoviq.

 

Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara duhet të mbahen në vjeshtën e vitit të ardhshëm, dhe ai që vjen në zyrën e Presidentit ose ndoshta zëvendëson Trumpin, merr detyrën më 1 janar 2021.

 

Marko Savkoviq nga Fondi për Përparësi Politike të Beogradit thekson se ende mbetet pak kohë për të arritur një zgjidhje përfundimtare kur kemi të bëjmë me Kosovën.

 

“Ajo që bëhet në gjysmën e parë të vitit 2020, është bërë. Pas kësaj, rregulli është të mos bëhen gjëra të mëdha, përndryshe do të ishte në kundërshtim me praktikën” tha Savkoviq duke deklaruar se për Serbinë do të ishte negative ndonjë vonesë e mëtejshme në zgjidhjen e problemit.

 

Ai thotë se rezultati i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara vështirë të parashikohet, sepse nuk është ende e qartë se kush do të jetë sfidues i Trumpit, si dhe vet Trump ka gjasa të mëdha për një mandat të ri.

 

I pyetur nëse një marrëveshje e mundshme do të ishte e rëndësishme për Trumpin në planin e brendshëm, Savkoviq u përgjigj në mënyrë pozitive.

 

“Të gjithë presidentët e SHBA-së kanë momentet e tyre të shkëlqyera. Bill Clinton, për shembull, kishte momentin e tij me Peresin dhe Arafatin. Është gjithmonë e rëndësishme të paraqiteni si një paqebërës i madh dhe të dërgoni një mesazh. Nuk është e vërtetë se ai nuk është i interesuar për ngjarjet në botë”, përfundon Savkoviq.

 

Zgjedhjet amerikane nuk janë të vetmet që mund të ndikojnë në ngjarjet rreth Kosovës. Në pranverë do të mbahen zgjedhjet e Parlamentit Europian pas së cilave do të ndryshojë përbërja e Komisionit Evropian, dhe një komisioner do të jetë nga mjedisi i kryeministrit hungarez Viktor Orban, zëvendës kryeministrit italian Matea Salvini dhe atij polak, Jaroslav Kaczynski. Orban dhe Salvini kanë lidhje të ngushta me Putinin. Komisioni i ri Evropian do të forcojë rolin e Putinit në Ballkan dhe zgjidhja mund të duket e largët.