Sëmundjet e zemrës, simptomat të cilat na drejtojnë tek mjeku

Sëmundjet e zemrës, simptomat të cilat na drejtojnë tek mjeku

951
0

Sëmundjet kardiovaskulare, me kalimin e viteve kanë pësuar rritje të ndjeshme. Janë të shumta rastet në të cilat sëmundjet e zemrës shkaktojnë vdekje të parakohshme ose invalidizim të njeriut. D.Sh.M. Daniela Teferiçi, mjeke kardiologe në QSUT, sqaron se një pacient duhet të kuptojë që vuan nga zemra, kur ka shenja dalluese si: vështirësi në frymëmarrje dhe dhimbje gjoksi, të cilat shtohen me kalimin e kohës, vështirësi në frymëmarrje në ngjitjen e shkallëve, edemat e këmbëve dhe cianoza.

 

Sëmundjet e zemrës

Zemra është organi që bën shpërndarjen e gjakut në organizëm dhe në patologjitë kryesore kardiake kemi alterim të funksionit të saj si pompë. Kur zemra nuk funksionon siç duhet ka vështirësi të shumta në dërgimin e gjakut të oksigjenuar në pjesët e duhura të organizmit. Sëmundje të tjera të lidhura me funksionimin e aparatit kardiovaskular, të një rëndësie mjaft të veçantë, janë dhe çrregullimet e presionit arterial, ku përfshihen hipertensioni dhe hypotensioni. Rritja e shifrave të presionit arterial mbi normë njihet si hipertension. Një nga shkaqet kryesore të kësaj sëmundjeje është ulja e kompliancës të enëve të gjakut. Ndërsa hypotension konsiderohet rënia e presionit në qarkullimin sistemik e shkaktuar nga zgjerimi arterial dhe e manifestuar me simptoma si dhimbje gjoksi, ndryshime të ritmit, konfuzion dhe dhimbje koke tek pacienti. Çrregullimet e ritmit (aritmitë) janë një tjetër grup i rëndësishëm i sëmundjeve kardiake. Ato ndahen në dy kategori kryesore; me frekuencë të lartë ose takikarditë dhe me frekuencë të ulët ose bradikarditë.

 

Infarkti i miokardit

Infarkti i miokardit është nekroza e qelizave të muskulaturës kardiake e shkaktuar nga iskemia e zgjatur. Infarkti në përgjithësi shkaktohet nga ruptura e pllakës aterosklerotike eksiztuese tek enët koronare. Faktorët që rrezikojnë punën normale të zemrës janë:

  1. HTA (Hipertensioni arterial)
  2. Dislipidemia
  3. Diabeti
  4. Anamneza familjare
  5. Streset e ndryshme psikike
  6. Puna e rëndë fizike dhe /ose pushimi i pamjaftueshëm
  7. Duhani
  8. Konsumi i alkoolit
  9. Obeziteti
  10. Jeta sedentare

Për të dalluar në kohë çrregullimin e funksionit të zemrës, përdoret elektrokardiograma (EKG). Çdo njeri duhet ti nënshtrohet vazhdimisht kontrolleve rutinë. Hipertensioni arterial është një nga sëmundjet që bashkë me të tjerat shkakton numrin më të madh të vdekjeve tek njerëzit. Përgjithësisht kjo patologji sot luftohet nëpërmjet medikamenteve. Një pjesë e madhe e sëmundjeve të zemrës janë të lindura dhe në këto raste eshte e nevojshme nderhyrje kirurgjikale. Ataket në zemër vijnë si rezultat i mospërputhjes së kërkesës së miokardit për oksigjen dhe ofertës. Shkaqet që e krijojnë janë arteriet e bllokuara nga ruptura e pllakës aterosklerotike, agregimi trombocitar dhe formimi i trombit. Stadi i fundit i sëmundjes së zemrës është insuficienca kardiake, në të cilën zemra është e paaftë për të pompuar gjak në përputhje me kërkesat e indeve.

 

Simptomat dalluese

Simptomat përcaktuese për shfaqjen e sëmundjeve të zemrës janë të ndryshme, sipas kategorive të prekura. Shpesh herë ka ndodhur që pacienti të ketë trashëguar këto sëmundje që nga fëmijëria dhe ne shumicen e rasteve keto patologji jane asimptomatike. Megjithatë i sëmuri duhet të tregohet vigjilent në disa situata si psh.ngjitja e shkallëve; në të tilla raste mund të ketë dhimbje të kraharorit. Edhe në rastet kur i sëmuri del në ambjent të ftohtë, mund të shfaqet dhimbja e gjoksit. Që një pacient të kuptojë se vuan nga zemra duhet të ketë shenja të tilla dalluese si: vështirësi në frymëmarrje dhe dhimbje gjoksi, të cilat shtohen me kalimin e kohës. Të tjera simptoma sinjifikante janë: vështirësia në frymëmarrje (dispnea), edemat e këmbëve dhe cianoza.

Ekzaminimet

Që nga fazat e para të sëmundjes është e nevojshme që pacienti të paraqitet pranë mjekut specialist për të bërë “EKG” e zemrës. Ky ekzaminim është edhe hapi fillestar që shërben për përcaktimin e një prognoze të saktë të sëmundjes. Më pas duhet bërë një ekokardiogramë. Nëpërmjet këtij ekzaminimi mund të perftohen imazhe të aktivitetit të strukturave kardiake përgjatë ciklit kardiak. Ekokardiograma jep të dhëna lidhur me dhomat kardiake (madhësinë e tyre, dimensionet/volumet e kavitetit dhe trashësinë e mureve), valvulat si dhe vazat e mëdha që dalin përkatësisht nga ventrikuli i majtë dhe ai i djathtë. Gjithashtu përmes matjes së fraksionit të ejeksionit gjatë këtij ekzaminimi bëhet i mundur vlerësimi i funksionit pompë të zemrës dhe shkalla e dëmtimit të këtij funksioni. Cikloergometria është një tjetër lloj ekzaminimi që shërben për të parë sesa ka avancuar sëmundja e arterieve koronare. Njihet ndryshe dhe si prova ushtrimore. Në përqindjen më të madhe të rasteve ajo jep edhe diagnozën e saktë të sëmundjes. Ekzaminim tjetër që vlerëson arteriet koronare, shkallën e ngushtimit të tyre dhe përcakton trajtimin e mëtejshëm, është koronarografia.

 

Kategoritë më të prekura dhe trajtimet mjekësore

Sëmundjet e zemrës prekin të gjitha moshat. Përgjithësisht sëmundja është më e shprehur në moshat e mëdha, por fatkeqësisht ky raport ka filluar të marrë përmasa të tjera. Kohët e fundit i janë shtuar listës së prekur nga sëmundjet e zemrës edhe moshat e reja. Ndryshe ndodh për sëmundjet e lindura të zemrës. Ata takohen që në fëmijëri, por këto patologji janë asimptomatike në moshë të vogël, duke çuar në mosdiagnostikim të tyre. Këto të fundit të lëna pa kurim për shkak të mungesës së shenjave klinike kanë rezultuar shumë të dëmshme për shëndetin, duke sjellë dhe pasoja fatale për jetën. Trajtimet mjekësore, ndikojnë pozitivisht në pjesën e madhe të rasteve të sëmura. Trajtimi konsiderohet shpëtimi më i madh për të sëmurët kardiak. Një trajtim sa më i rreptë medikamentoz është dhe çelësi kryesor për mbajtjen e sëmundjes nën kontroll. Nëpërmjet mjekimit mund të përcaktohet dhe një prognozë e saktë e ecurisë së sëmundjes. Bashkëpunimi i ngushtë mes mjekut dhe pacientit mund të sjellë rezultatet më pozitive për shmangien e sëmundjeve kardiake.

 

Dr. Daniela Teferici

Sherbimi Kardiologjise