Samiti në Londër, presidentja e BERZH: Shqipëria dhe rajoni, 70 vite për...

Samiti në Londër, presidentja e BERZH: Shqipëria dhe rajoni, 70 vite për të arritur standardet e jetesës të BE

75
0

 

Ditën e djeshme në Londër u mbajt Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024, organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Në këtë event kanë qenë të pranishëm krerët e qeverive nga 6 vende të rajonit. Gjatë hapjes së samitit, presidentja e BERZH-it, Odile Renaud-Basso, theksoi se megjithëse rajoni ka bërë përparim të konsiderueshëm gjatë dekadës së fundit, ka ende një hendek të madh midis rajonit dhe Bashkimit Evropian.

“Sipas një studimi të ri të BERZH-it mbi konvergjencën me standardet e jetesës së BE-së, ka të ngjarë të duhen nga 40 deri në 70 vjet, ose edhe më shumë, për të mbyllur këtë hendek”, tha Renaud-Basso. Ajo theksoi se është koha për të njohur fuqitë dhe potencialin e vërtetë ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Renaud-Basso theksoi gjithashtu potencialin e madh të investitorëve në rajon, duke përmendur regjimet e favorshme të tatimit mbi të ardhurat e korporatave, një fuqi punëtore konkurruese dhe perspektivën e qartë të integrimit në Bashkimin Evropian. Ajo shtoi se njerëzit e rajonit janë të arsimuar mirë, shumë të kualifikuar dhe shumë prej tyre janë sipërmarrës të talentuar. Në përfundim, ajo shtoi se rajoni duhet të fokusohet në tre prioritete kryesore. Së pari, Rritja e investimeve në energjinë e rinovueshme, Së dyti, përmirësimi i standardeve të qeverisjes publike dhe lufta kundër korrupsionit dhe së treti përhapja e hapësirave për tregti dhe investime është thelbësore.