Rudina Dembacaj ishte e ftuar në “Goca dhe Gra”, ku foli për planet për tu bërë nënë për herë të dytë. Ajo u shpreh se e ka në plan prej kohësh por gjen justifikime.
“Vetëm për një fëmijë tjetër nuk po gjej kohën. E kam prej kohësh në plan dhe vetëm gjej justifikime. Gjithmonë them, sa të mbaroj këtë projektin, do e bëjmë”, tha Rudina, e cila po shijon romancën me Mark Frrokun, ndërsa është nënë e një vajze nga martesa e mëparshme.
Përveç teatrit, Rudina vijon karrierën si aktore në spektakël humori. Në “Goca dhe Gra” zbuloi se është futur në audicione në muajin mars për tu bërë moderatore e “Portokalli”.
Por sezonin e shkuar dhe këtë sezon moderon Fjoralba Ponari, të cilën e përgëzoi drejtpërdrejt në emision, duke treguar se e vlerëson shumë për performancat e saj.
“U futa në audicione dhe u gëzova shumë kur pashë Fjoralbën në ekran. I shkon shumë. Të prezantosh Portokallinë është dhe një sfidë personale. Fjoralba ka dalë dhe aktore e bravo i qoftë. Është shumë e zonja”, tha Rudina me sinqeritet.
Deklarata të tilla nuk dëgjohen shpesh në televizion. Aty shpesh ka bërryla dhe sfida ndërmjet personazheve të ekranit. Në këtë rast jo. Rudina është për t’u marrë shembull.