Rrjeti “Barazi në Vendimmarrje”: Diskutimi për kuotën gjinore, kthim pas!

Rrjeti “Barazi në Vendimmarrje”: Diskutimi për kuotën gjinore, kthim pas!

642
0

 

“Unifikim i pragut të kuotës gjinore në 50% për të dyja nivelet e pushtetit”

Rrjeti “Barazi në Vendimmarrje” reagon me shqetësim lidhur me prononcimet në media të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, të datës 26 Maj 2020, përsa i përket përcaktimit të kuotës gjinore. Ky rrjet vë në dukje të gjitha përpjekjet që janë bërë për të arritur kuotën gjinore në 50 përqind në këshillat bashkiakë. Deklaratave të anëtarëve të këshillit politik për reformën zgjedhore, Rrjeti “Barazi në Vendimmarrje”, i përgjigjet me gjetjet që kanë rezultuar nga studimet.

Deklarata e plotë

Rrjeti “Barazi në Vendimmarrje” reagon me shqetësim lidhur me prononcimet në media të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, të datës 26 Maj 2020, përsa i përket përcaktimit të kuotës gjinore.

 

Gjatë një komunikimi me mediat, anëtarët e këtij Këshilli e konsideruan çështjen një “moment delikat të kuotës gjinore”. Duke justifikuar diskutimet përsa i përket unifikimit të kuotës gjinore, jo në 50%, por në 30%, specifikisht Z. Vasili u shpreh se kuota gjinore në këshillat bashkiakë “ka rezultuar absolutisht jo efikase, jo realiste, dhe ka prodhuar fiktivitet”, ndërkohë që ky afirmim bie ndesh me rezultatet e studimeve që janë kryer gjatë kësaj periudhe dhe që vërtetojnë të kundërtën.

 

Ky qëndrim ndaj kuotës gjinore nuk ështe i ri. Në vitin 2015, propozimi për rishikimin e kuotës gjinore në Kodin Zgjedhor hasi në shumë diskutime në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Kuota gjinore u cilësua si një formë “filantropie politike” që do të çonte në “një lloj parazitizmi politik” (Mbledhje e datës 24 Mars, 2015, fq. 4).

 

Pavarësisht kundërshtive, me vendim të përbashkët, pragu i kuotës gjinore për zgjedhjet vendore në vitin 2015 u rrit nga 30% në 50%. Si rezultat i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor – rritja e pragut të kuotës gjinore ishte një prej tyre – përqindja e numrit të grave në këshillat bashkiakë në vitin 2015 arriti në 34.80% – një ndryshim i madh krahasuar me rezultatet e zgjedhjeve të mëparshme. Në vitin 2011 gratë përbënin vetëm 12.33% të anëtarëve të këshillave bashkiakë dhe 23.7% e këshillave nuk kishin asnjë grua. Ajo që Këshilli po diskuton aktualisht është një kthim pas, aspak pozitiv për hapat e rëndësishëm që janë ndërmarrë, veçanërisht pesë vitet e fundit, përsa i përket barazisë gjinore në vendimmarrjen politike.

 

Duke nisur një vit pas zbatimit të kuotës gjinore 50% në këshillat bashkiakë, Rrjeti Barazi në Vendimmarrje ka qenë i përfshirë në realizimin e dy studimeve të mbështetura nga Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara – Shqipëri dhe Programi Horizont 2020 për Kërkim dhe Inovacion i Bashkimit Europian. Studimet, të realizuara në vitet, 2016 dhe 2018 të drejtuara nga studiuesja Marsela Dauti, kanë konsistuar në realizimin e intervistave me 410 këshilltarë në 30 bashki dhe analizimin e 75 takimeve të këshillave bashkiakë.

 

Gjetjet që kanë rezultuar nga studimet janë si në vijim:

 

Fakt 1: Gratë në këshillat bashkiakë janë më të kualifikuara profesionalisht se burrat.

Gratë në këshillat bashkiakë kanë nivele më të larta arsimi se burrat, janë më të përfshira në trajnime rreth qeverisjes vendore si dhe shfaqin më shumë gadishmëri për t’u trajnuar në vazhdimësi. Gratë e përzgjedhura përmes kuotës gjinore 50% në vitin 2015 nuk e kanë përmbysur këtë diferencë gjinore.

 

Fakt 2: Të rinjtë dhe zonat rurale janë më të përfaqësuar në këshillat bashkiakë si rezultat i kuotës 50%. Zbatimi i kuotës gjinore 50% në vitin 2015 çoi në përfaqësim më të mirë të zonave rurale si dhe të rinjve në këshillat bashkiakë.

 

Fakt 3: Praktika e mobilizimit të lidhjeve familjare apo fisnore për të rekrutuar këshilltarët – burrat dhe gratë, nuk shkaktohet nga kuota gjinore 50%. Kur krahasuam gratë e përzgjedhura përmes kuotës me ato që nuk u përzgjodhën përmes kuotës në vitin 2015 mësuam se dy grupet nuk kanë ndryshim përsa i përket mbështetjes në lidhjet familjare apo fisnore. Me fjalë të tjera, drejtuesit e partive përdorin një praktikë të kahershme për rekrutimin në këshilla, e cila nuk e ka burimin tek kuota gjinore në vetvete, por tek manovrimet zgjedhore dhe politike. Gjithashtu praktika e mbështetjes në lidhjet familjare apo fisnore praktika nuk gjendet vetëm tek gratë, por edhe tek burrat.

 

Fakt 4: Gratë kërkojnë më shumë transparencë se burrat dhe përpjekjet e tyre janë më të mëdha aty ku zbatimi i kuotës gjinore 50% ka qenë më i suksesshëm. Gjatë takimeve të këshillave bashkiakë, gratë, krahasuar me burrat, kanë më shumë gjasa të marrin fjalën e të kërkojnë transparencë nga zyrtarët apo drejtuesit e bashkive. Kërkesat për transparencë janë më të mëdha në këshillat ku zbatimi i kuotës gjinore 50% ka çuar në përmirësim të theksuar të numrit të grave. Me fjalë të tjera, gratë kërkojnë më shumë transparencë aty ku numrat e tyre janë më të lartë.

 

Fakt 5: Gratë advokojnë më fort për përmirësimin e programeve të ndihmës ekonomike, shërbimeve shoqërore dhe arsimit. Gjatë takimeve të këshillave bashkiakë, gratë, krahasuar me burrat, kanë më shumë gjasa të marrin fjalën e të diskutojnë shqetësimet e komunitetit të lidhura me programet e ndihmës ekonomike dhe shërbimeve shoqërore. Njëkohësisht, ato advokojnë më fort për përmirësimin e arsimit në qytete e fshatra. Kur krahasuam angazhimin e grave në diskutime në vitin 2018 me vitin 2016 vumë re se me rritjen e numrit të viteve në politikë, gratë e merrnin më shpesh fjalën dhe i drejtonin më shumë kërkesa zyrtarëve të bashkisë në emër të banorëve.

 

Këto fakte shkencore mbështesin më tej rëndësinë e pjesëmarrjes së barabartë me kuotën 50% të grave dhe vajzave në të gjitha strukturat vendimmarrëse, si vendore ashtu edhe qëndrore. Në fakt, gjetjet sugjerojnë se i duhet dhënë fund debatit që ngre pikëpyetje mbi kontributin që japin gratë, pasi problemi në vetvete nuk qëndron tek kuotat apo tek gratë, por tek manovrat e përdorura për të ruajtur status quo-në.

 

Kjo, ndër të tjera, shpjegon edhe diskutimin për unifikimin e pragut të kuotës gjinore në 30%. Diskutimi në të tilla nivele e sjell çështjen jo në një “moment delikat të kuotës gjinore”, por në një “moment të dominimit mashkullor” në institucionet e përfaqësimit.

 

Duke patur parasysh gjetjet e studimeve, eksperiencën dhe të gjithë praktikat e mira të  hapave të rëndësishëm që tashmë janë hedhur për pjesëmarrjen e gravë në politikë, kërkojmë edhe njëherë, unifikimin e pragut të kuotës gjinore në 50% për të dyja nivelet e pushtetit dhe hedhjen e  hapave prapa në këtë drejtim. Kthimi mbrapsht apo qëndrimi në parashikimet aktuale të Kodit Zgjedhor, nuk do të jetë humbje vetëm për gratë shqiptare, por edhe për cilësinë e përfaqësimit politik në Shqipëri!