Rritet konkurrenca, Sejko: Bankat shtuan kreditimin

Rritet konkurrenca, Sejko: Bankat shtuan kreditimin

450
0

Tremujori i tretë i vitit ka shënuar rritje të kreditimit. Shtimi i kërkesës nga njëra anë dhe përmirësimi i ofertës nga ana tjetër, nuk kanë kaluar pa dhënë efekte.

Sipas Guvernatorit Sejko, kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare prej 7.5%. “Përshpejtimi i ritmit të rritjes i dedikohet si zgjerimit të kërkesës, ashtu edhe përmirësimit të ofertës së kredisë bankare. Kjo e fundit pasqyron jo vetëm përmirësimin e vazhdueshëm të ambientit të kreditit dhe të bilancit të sektorit bankar sikundër tregohet nga rënia në nivelin 10.6% e raportit të kredive me probleme, por edhe rritjen e konkurrencës në sistem, me përfundimin e procesit të konsolidimit të sektorit bankar.

Nga pikëpamja e kompozimit, përshpejtimi i ritmit të rritjes së kredisë ka pasur një bazë të gjerë, në terma të strukturës valutore, të përfituesve si dhe të destinacionit të saj. Ky është një sinjal tjetër inkurajues për zgjerimin e kredisë në të ardhmen”, vuri në dukje Guvernatori gjatë konferencës për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare.

NORMA E INTERESIT

E pandryshuar mbeti edhe norma bazë e interesit. Kështu, Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, duke e lënë në nivelin aktual prej 1.00 për qind. “Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Në këto rrethana, ai vendosi: Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin aktual prej 1.00%; dhe, Të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%”, shtoi Sejko.

RRITJA EKONOMIKE

Sa i takon ngadalësimit ekonomik, Guvernatori Sejko tha se rol kanë pasur rënia e prodhimit të energjisë elektrike dhe mbyllja e lojërave të fatit. “Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 2.3% në tremujorin e dytë të vitit. Ashtu si edhe në tremujorin e parë, ngadalësimi i ritmit të rritjes pasqyron rënien e prodhimit dhe të eksportit të energjisë elektrike, efektet tranzitore të mbylljes së lojërave të fatit dhe hyrjen në fazën përfundimtare të punimeve në një projekt madhor energjetik. Këto efekte do të jenë të pranishme edhe në gjysmën e dytë të vitit. Për rrjedhojë, ritmi i rritjes ekonomike në këtë periudhë pritet të jetë i krahasueshëm me atë të gjysmës së parë, por të vijë në përshpejtim dy vitet në vazhdim”, tha më tej Sejko. Sipas tij, zgjerimi i mëtejshëm i kërkesës agregate ka mundësuar rritjen e vazhdueshme të punësimit dhe rënien e normës së papunësisë. Kjo e fundit shënoi vlerën 11.5% në tremujorin e dytë, duke regjistruar nivelet minimale historike të këtij treguesi. Rritja e kërkesës për punë ka krijuar premisa për rritjen e pagave dhe të kostove të prodhimit. Sipas të dhënave të INSTAT-it, niveli i pagës mesatare në ekonomi u rrit me 4.5% në tremujorin e dytë, duke vijuar trendin pozitiv të nisur prej vitit 2017.