Rrëzimi i avionit, Kina dhe Etiopia pezullojnë fluturimet “Boeing”

Rrëzimi i avionit, Kina dhe Etiopia pezullojnë fluturimet “Boeing”

421
0

Pas tragjedisë në Etiopi, ku avioni u rrëzua vetëm pak minuta pasi u ngrit në ajër duke shkaktuar 157 të vdekur, Kina dhe Etiopia kanë pezulluar fluturimet me avionët “Boeing”. Aksidenti i djeshëm i “Boeing 737 Max 8” ishte i dyti brenda pesë muajsh, pas atij të “Lion Air” në Indonezi, ku humbën jetën 189 persona.

Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, Pekini ka vendosur të pezullojë fluturimet me avionët “Boeing” dhe ndërkohë të konsultohet si me Aviacionin Federal të Shteteve të Bashkuara ashtu edhe me vetë kompaninë “Boeing”.

E njëjta masë është ndërmarrë edhe nga autoritetet e Etiopisë. “Megjithëse nuk i dimë ende shkaqet e aksidentit, kemi vendosur të pezullojmë përkohësisht fluturimet e parashikuara me avionët Boeing, për arsye sigurie”, kanë njoftuar autoritetet e shtetit afrikan.

Avioni që u rrëzua ishte nisur nga Addis Ababa për në Nairobi të Kenias. Në të udhëtonin 149 pasagjerë dhe 8 anëtarë bordi të cilët duhet të mbërrinin në Nairobi, por fatkeqësisht avioni u rrëzua vetëm pak minuta pasi u ngrit në ajër.