Rrëfim i dhimbshëm për asimilimin e shqiptarëve të Tivarit

Rrëfim i dhimbshëm për asimilimin e shqiptarëve të Tivarit

468
0

Nga Gjekë Gjonaj

 

 

Këtë histori shumë  të hidhur të  një burri  ( 65 vjeç) me rrënjë shqiptare nga Shestani i Krajës në Malin e Zi  e  mësova  (dëgjova)  në Spitalin e Tivarit, në Repartin e Internistikës , në dhomën nr. 18, ku jam shtruar para dy javësh  për shkak të çrregullimeve të zemrës. Cimerin e ri e njoha të mërkurën e kaluar. Atë ditë,  pak pas mesdite , në dhomë hyjnë një burrë dhe një grua.  Flasin me njëri-tjetrin në gjuhën malazeze.  Burri  u shtrua në spital. Gruaja  e tij,  para se të largohet ,  më  kërkoi  t’i japë numrin tim të telefonit, për të komunikuar   me burrin ( bashkëshortin ) e saj, sepse  e kishin harruar telefonin e tij në shtëpi. Natyrisht me dashamirësi e kënaqësi ia dhashë numrin tim të telefonit. Më falënderoi për këtë shërbim  modest dhe shkoi.

 

Meqë nuk njiheshim me cimerin e ri, i prezentohem se kush jam, dhe prej nga jam.  Fillojmë komunikimin.  Në vend sesi shqiptar të bisedojmë në gjuhën tonë të bukur shqipe,  kjo nuk ishte e mundur, meqë bashkëbiseduesi im nuk e dinte gjuhën e të parëve të tij.

 

-Si quheni?

 

-Leka.

 

-Po mbiemrin si e ke?

 

-Marstijepoviq.

 

-Nga Shestani i Krajës.

 

-Po, atje kanë jetuar të parët e mi.

 

Si e ka pas emrin babai yt?

 

-Zef.

 

-Po nëna?

 

– Dila.

 

– Kanë qenë shqiptar?

 

-Po, shqiptar. Por në familje nuk kanë folur në gjuhën shqipe. Gjithmonë serbisht ( serbokroatisht).

 

-E  gjyshi e gjyshja si kanë folur në shtëpi?

 

-Shqip. Ata e kanë ditë mirë këtë gjuhë.

 

Ju Lekë, çfarë jeni?

 

-Katolik.

 

-Shqiptar apo…

 

-Malazez.

 

-Ku ka malazezë katolikë? Malazezët janë të besimit ortodoks, e jo katolik.

 

-Ti e di  kush  janë  malazezë, ata që jetojnë në Mal të Zi?

 

Ne jetojmë në Mal të Zi, prandaj  edhe jemi malazezë. Kështu ndjehemi.

 

–  Në çfarë gjuhe kanë mësuar nxënësit e gjeneratës  së prindërve tu në fshatin  e origjinës?

 

-Të gjithë serbisht. Nuk kanë ekzistuar shkolla në gjuhën shqipe. As mësues shqiptarë.

 

-Kur keni zbritur në Tivar?

 

-Prindërit e mi kanë ardhur këtu në vitin 1950 .  Këtu kam lindur.  Shtatë vite kam punuar në Gjermani. Atje jam njohur dhe jam martuar me bashkëshorten time serbe nga një qytet afër Jajces, Bosnjë e Hercegovinë. Kemi dy vajza.  Ka shumë vite që jemi kthyer në Tivar. Të dy jemi pensionistë.

 

-Jeni besimtarë?

 

-Po.

 

-Shkoni rregullisht në kishë?

 

-Kryesisht.

 

-Në cilën gjuhë meshohet?

 

-Në gjuhën kroate.

 

-I keni pagëzuar fëmijët?

 

-Po, si jo .

 

– Kremtoni  ndonjë festë?

 

– Kremtojmë  Pashkët, Krishtlindjet dhe festën e shtëpisë, me 1 nëntor, që e kemi trashëguar nga të parët tanë.

 

Sado i pabesueshëm,  ky është realiteti i  sotëm e dhimbshëm i kësaj familje me rrënjë shqiptare, dhe jo vetëm, të cilat  janë   asimiluar. Kanë humbur historinë, gjuhën, traditën ( dasmat, vdekjet, lindjet) , folklorin, veshjen e Shestanit, për të cilën thuhet se ka lidhje me antikitetin, e karakteristika të tjera të kombit shqiptar.

 

Në humbjen e identitetit  të banorëve të Shestanit kanë ndikuar  skemat qëllimkëqija të realizuara në mënyrë të përkryer nga strukturat politike të kohës, qëllimi i të cilave ishte që Tivari ( dikur  tërësisht shqiptar, ndërsa sot  shqipja ka humbur në rrugicat e qytetit të vjetër), të fsheh çdo histori e gjurmë shqiptare. Të shtrembëroj faktet historike. Të  shformësojë  dokumentet e monumentet kulturo-historike. Të përvetësojë çdo gjë shqiptare. Dhe t’i zëvendësojë  me të tjera ( sllave) .Megjithatë,  ato nuk mund të fshihen  me shtrembërime faktesh e manipulime. Sepse  gjurmët e qarta shqiptare gjenden pikërisht në  Tivar të Vjetër,  në  objektet e mbetura arkeologjike të këtij qyteti, në  dokumentet e shumta historike  ende të pazbuluara e hulumtuara sa duhet, në historitë njerëzore të  trashëguara brez pas brezi.

 

Kjo politikë e fortë asimilimi e dhune bëri që kishat e sotme  të restauruara  që dallohen në Kalanë e Tivarit , të mos jenë më  katolike, edhe pse në fillesat e tyre kanë qenë të tilla.  Pavarësisht rrënojave të vjetra që janë të dallueshme asnjë objekt kulti katolik në Kala,  nuk është funksional. Arkeologët  dhe historianët  pohojnë se Kisha Katedrale  e Shëngjergjit,  që mban emrin e  pastorit të qytetit,  u shkatërrua në vitin 1881 pas  hyrjes në qytet të trupave malazeze. Sipas tyre rrënimi i saj u fsheh pas një shpërthimi që dukshëm nuk ishte aksidental. Selia e Argjipeshkvisë së Tivarit ka qenë brenda Kalasë në Kishën e Shëngjergjit. Dihet po ashtu se kjo argjipeshkvi  ishte argjipeshkvia e parë katolike e këtij territori ( nga Kroacia e poshtë). Ajo  ishte edhe nismëtarja e parë  për zhvillimin e katolicizmit, e kishës perëndimore në territorin e  e Shqipërisë.

 

LEXO DHE :  Rama bën paralajmërimin e fortë: Operacioni nuk do të ndalet!

Nuk ekziston një evidencë e saktë, por pothuaj të gjitha  ato kisha në  Kalanë e Tivarit kanë qenë objekte të kultit të cilat i kanë takuar  kësaj kryedioqezë. Edhe sot janë disa  kisha, disa prej tyre i ka përvetësuar kisha ortodokse serbe. Ato  edhe gjatë pushtimit treqindvjeçar të Perandorisë Osmane kanë qenë të rrënuara, ashtu që kanë kaluar në përvetësimin e Kishës Ortodokse Serbe.

 

Një problem tjetër serioz  që lidhet me asimilimin e shqiptarëve të Tivarit është   se  edhe  sot në Katedralen e Vjetër apo të Re nuk meshohet në gjuhën shqipe. Kjo ka ndodhur sepse një numër i madh i besimtarëve  që janë shqiptar ose me prejardhje shqiptare,   vazhdojnë të deklarohen si kroatë apo katolikë malazezë. Kështu popullata vendase  e ka përvetësuar meshën në gjuhën kroate dhe asaj i duket  më lehtë  për ta kuptuar.

 

Lajm i mirë  dhe i gëzueshëm ishte nisma e  argjipeshkvit aktual të  Argjipeshkvisë së Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshaj,   për  mbajtjen e meshës në gjuhën shqipe në ora 08:00,  në kishën që ndodhet në oborrin e rezidencës. Mirëpo,  besimtarët vendas që janë të lindur dhe të rritur  në Tivar  nuk kanë treguar interesim. Ata që kanë marrë pjesë në meshë në gjuhën shqipe  kanë qenë  vetëm  ndonjë besimtar nga Kosova ose Shqipëria.  Imzot Rrok Gjonleshaj është përpjekur që gjuhën shqipe ta bëjë pjesë  edhe të rasteve të veçanta, siç janë Krishtlindjet, Pashkët… Nga mosinteresimi i besimtarëve të asimiluar kjo nismë fisnike e argjipershkvit nuk u jetësua.

 

Procesi i asimilimit të shqiptarëve katolikë  i ka rrënjët shumë të hershme. Gjurmët e  tij, sipas historianëve, i gjejmë që në shekullin XII, kur edhe këtu ndodhi pushtimi sllav,  kur Stefan Nemanja e sulmoi  me ushtri. Siç tregojnë kronikat serbe bashkëkohore të kohës, kur kanë ndodhur ngjarjet, Nemanja arrestoi dhe  burgosi fisnikërinë vendase, Klerikët vendas  i përzuri nga kishat, dhe ndërtoi kishat ortodokse, në të cilat vendosi priftërinj ortodoksë. Kështu ka vazhduar të jetë deri në shekullin XIV, deri me shembjen e  Perandorisë Serbe të Stefan Dushanit. Këtë  presion të fortë  ndaj tyre arriti ta   lehtësojë apo ta zbusë  për një periudhë të caktuar, gjatë pjesës se dytë të shekullit XII,  princesha  franceze Helena D’Anjo ( e njohur si mbrojtëse e fortë e katolikëve) . Nga ajo periudhë   asimilimi i shqiptarëve të Tivarit vazhdon me mjetet dhe metodat më përfide.

 

Si pasojë e kësaj politike të vazhdueshme të asimilimit të Tivarit dhe të zhdukjes së çdo gjurme shqiptare në këtë qytet  ndodhi edhe Masakra e Tivarit( ndër masakrat më të ashpra të popullsisë shqiptare), e cila as sot nuk e ka marrë përgjigjen e duhur. Në Tivar nuk ka  qoftë edhe  një pllakatë të thjeshtë  e cila do të kujtonte këtë masakër.

 

Të gjitha këto dhe presione të tjera ndaj shqiptarëve katolikë, siç janë edhe  përvetësimi, rrëmbimi dhe marrja e pronave të shqiptarëve katolikë nga ana e shtetit  në periudha të  ndryshme  historike  kanë bërë që në Tivar, bazuar në regjistrimin e vitit 2011 , ka vetëm 121 shqiptar,apo 0,89  %  të  popullsisë së përgjithshme. Ky numër i papërfillshëm ( simbolik) i shqiptarëve në Tivarin e sotëm është treguesi më rrëqethës i zhdukjes me çdo kusht nga faqja e dheut të këtij qyteti të  çdo gjëje ( gjurme)   shqiptare.