vërteta lidhur me riedukimin e tij, sipas jush është një tjetër. A mund të na e rrëfeni? Unë kam botuar 120 dokumente, ai nuk ka botuar asnjë. Përse nuk boton dokumentin se përse u dërgua në Pularia? Administrata komuniste ish shumë e rregullt, çdo gjë është e dokumentuar. Përse e lë të pasqaruar?
Ai ka shkuar në Pularia jo vetëm, por bashkë me operatorin B.D., me të cilin ndanë bursën e UNESKO-s për në RAI. Hila ka dalë jashtë shtetit 3 herë gjatë periudhës komuniste. Hila ish njeriu i besuar i Partisë dhe Sigurimit. U caktua shef i piktorëve gjatë ndërtimit të Muzeut “Enver Hoxha”. Me sa di unë, kur u kthyen nga Italia, dikush iu kish dhënë një shumë paresh për t’i çuar në familje, këta me nxitjen e Edit, blenë televizorë dhe lavatriçe. Familja u ankua në Televizion dhe mbledhja e Partisë i dërgoi në Pularia për riedukim. Kjo vazhdoi pak kohë, derisa Kristaq Rama u interesua dhe e rivendosi në punë. Asnjë burg politik nuk kemi këtu, përveçse një veprim ordiner.
Pra, janë këto arsyet që ju bëjnë të mendoni se Hila, më shumë se i privuar, ka qenë i favorizuar nga sistemi…
Po, sigurisht që ish i favorizuar nga sistemi dhe e meritonte këtë. Ishte piktor i aftë, por jo disident. Kish miq dhe njerëz që e vlerësonin (me të drejtë), por nuk ka një fond me vepra që ishin ndryshe realizmit socialist. Edhe “Mbjellja e pemëve” dhe “Parakalimi” ishin piktura të realizmit socialist. Sepse ato plotësonin kushtin e parë edhe më të rëndësishëm: Iu bënin jehonë thirrjeve politike të partisë. Unë isha që i lavdërova (bashkë me Epikën e Edison Gjergos), sepse ishin më artistike. Kish vepra shumë të dobëta nga ana artistike në atë ekspozitë. Pastaj mos harroni, Edi Hila, pas tyre bëri “Hedhja e trakteve në Kinema Nacional”, një pikturë shumë e dobët dhe tërësisht pllakateske. Me këtë i bënte qejfin Nexhmije Hoxhës dhe Fiqret Shehut, vajzave të Pedagogjikes. Ku është disidenca këtu?
Me Hilën, siç tregoni, ju lidh dhe një tjetër histori, ajo e një dokumentari për ju që do të realizohej nga Sergio Ghizzardi dhe që në fund pati si protagonist dy “Edat” artistë. Pse nuk e çuat deri në fund punën e nisur me producentin belg?
Sergio Ghizzardi më dërgoi 4 letra nga viti 2001 deri në 2004, si dhe sinposin e skenarit EPIC SONG, që ai donte të realizonte si një dokumentar me mua për jetën, burgun dhe veprat e mia. Hila këtu nuk kish lidhje fare, por si edhe në raste te tjera, ai është vigjilent për të të shkatërruar çdo gjë dhe për të dalë vetë. Puna nuk nisi nga realizimi se ndërhyri Kryeministri Rama, unë menjëherë hoqa dorë.
Nëse Kryeministri Rama nuk do të ishte pjesë e atij dokumentari, do të pranonit ta realizonit bashkë me Edi Hilën?
Jo, nuk mund të pranoja të bashkëpunoja me Edi Hilën, se ai nuk ka qenë i burgosur politik. Është çështje parimi, do shkelja mbi burgun tim, mbi burgjet e gjithë intelektualëve të vërtetë. Ata të dy ta mbajnë përgjegjësinë vetë për falsifikimin që bënë.
Ndihet një frymë konkurrence me Hilën. Krahas pjesës së diktaturës, si e shikoni si artist?
E keni gabim, unë nuk kam asnjë konkurrencë me Hilën. Arti është personal, aty dhe e ka vlerën. Unë bëj tjetër pikturë nga ajo që bën Edi Hila. Dhe jam i bindur që veprat e mia janë shumë më lart se të tijat. Kjo frymë në dukje ka të bëjë me atë që Edi Hila ka marrë dhe vazhdon të marrë në mënyrë të pamerituar, epitete dhe vlerësime disidente që ai nuk i meriton. Të gjithë kanë frikë, unë ia kam thënë gjithmonë ballë për ballë.
Po Ramën piktor, sa e vlerësoni?
Ramën do ta vlerësojë koha, koha kur të jetë i vetmuar dhe jo i plotfuqishëm. Fakti që e ngatërroi politikën me artin në kohën që është Kryeministër, është i kritikueshëm.
A ka përveç Hilës raste të tjera të artistëve të artit pamor që ju njihni, ku për një arsye apo tjetër janë konsideruar si të përndjekur nga sistemi, disidentë, pa qenë të tillë?
Jo, nuk ka. Duhet kuptuar se piktura dhe skulptura janë arte të vështira. Gjendja e tyre në vitet ‘50 ish profane. Kishin ikur kohët e studiove famëmëdha, virtuoze të artit bizantin. Degradimi osman na la me mure bosh. Realizmi socialist te ne ka qenë një fatkeqësi kombëtare. Në vitin 1955 shkova me grupin e piktorëve polakë me autobus në Shkodër dhe Durrës. Doja t’i shihja si punonin, aty ish edhe profesori i Danish Jukniut nga Krakovi. Më dha dy punë: një ÇATI NË DURRËS dhe një PORTRET, që e bëri në Milot (ia kam dhuruar ambasadës polake). Po arti polak nuk iu nënshtrua asnjëherë realizmit socialist, pllakati i tyre zuri vendet e para në botë bashkë me pllakatin e Francës, atë zviceran e japonez. Pllakatistët Henryk Tomaszewski, Jan Lenica, Jan Mlodozeniec janë nga më të shquarit. Tomaszewski ish në grupin që erdhi në Shqipëri, unë 20-vjeçar e shihja me adhurim. Kjo injorancë vazhdon. Është e vështirë të deshifrosh imazhet.
Zoti Velo, rastet që ju sillni në vëmendje lënë të kuptohet se mungon transparenca rreth asaj që ndodhi në diktaturë edhe për sa i përket njerëzve të artit e kulturës. Çfarë duhet bërë në këtë drejtim sipas jush, që e vërteta të dalë në pah?
Po, mungesa e transparencës është dukuri e popujve të pazhvilluar dhe me trauma të rënda historike. Mungesën e vlerave dhe të punës e zëvendëson me llafe, intriga, zjarre, zhdukje, shtrembërime, ndërrime identitetesh, duke i atribuuar vetes vlera të paqena. Kemi mungesa studiuesish, historianësh (edhe të artit), si dhe kritikësh. E vetmja gjë që duhet bërë është të ruhen faktet e të mos i shtrembërojnë sipas dëshirës./Panorama/