Nga heronjtë e rremë, te disidentët e rremë. Maks Velo është i shqetësuar. Sipas tij, me vuajtjet e komunizmit abuzohet për përfitime të veçanta dhe përjashtim nuk bëjnë as artistët. Arkitekti rrëfen rastin e piktorit Hila dhe përzgjedhjen e padrejtë sipas tij, të artistit për të ekspozuar në Muzeun e Artit Modern në Varshavë.

“Nuk ishte as Galeria që e caktoi, por një njeri me pushtet, i cili ua caktoi detyrimisht Edi Hilën, pa lënë për ta asnjë mundësi që të takonin edhe artistë të tjerë e të zgjidhnin vetë studiuesit polakë”, tregon Velo për “Panoramën”. Ekspozita “Piktori i transformimit” u hap më 2 mars (deri në 6 maj) të vitit të kaluar në ambientet e Muzeut të Artit Modern në Varshavë dhe u kurua nga drejtori i Galerisë Kombëtare, Erzen Shkololli, si dhe Kathrin Rhomberg, Joanna Mytkowska etj. Është mbajtur në vazhdën e një serie ekspozitash që përfshijnë artistë, të cilët kanë mbajtur qëndrime kritike ndaj sistemeve të artit ku kanë jetuar e çka sipas Velos, e bën edhe më të dyshimtë përzgjedhjen e Hilës. “Hila ishte një piktor i aftë, por jo disident. Nuk ka një fond me vepra që ishin ndryshe realizmit socialist”, tregon Velo. Madje për të, edhe “Mbjellja e pemëve” apo “Parakalimi” janë të socrealizmit, pasi siç shpjegon ai, u bënin jehonë thirrjeve politike të partisë.

Një tjetër peng i Velos është bashkëpunimi i lënë përgjysmë me producentin belg, Sergio Ghizzardi, me të cilin prej vitit 2001 ishin duke punuar për të realizuar një dokumentar për jetën, burgun e veprat e artistit. Velo ruan ende sinopsin e skenarit, materiale të tjera që do ndihmonin për realizimin, si dhe bisedat me producentin. “Puna nuk nisi nga realizimi se ndërhyri Kryeministri Rama e unë menjëherë hoqa dorë”, rrëfen Velo. Sakaq, dokumentari do të vijonte edhe me Edi Hilën dhe Kryeministrin Rama, e në këtë pikë Velo refuzon të vazhdojë bashkëpunimin me Ghizzardin. “S’mund të bashkëpunoja me Hilën, se ai s’ka qenë i burgosur politik”, thotë Velo, duke theksuar se Rama dhe Hila duhet të mbajnë përgjegjësi për falsifikimin që bënë. Një fakt tjetër që piktori sjell në vëmendje është përmendja e Hilës mes të burgosurve në botimin “World literature” të albanologut të ndjerë Robert Elsie. Informacion i rremë, njësoj si shkaqet e bëra publike në lidhje me riedukimin e Hilës, sipas Velos. “Nuk luhet me burgun”, thotë arkitekti. Për më tepër atë të diktaturës, që ai e provoi në lëkurë. Sprovat çnjerëzore përndoqën edhe familjarët e tij. Vdekja e të atit mjek, përjashtimi nga puna i të vëllait, tronditjet që shpunë të motrën në spitalin psikiatrik, janë një peshë e rëndë. “Pastaj më dogjën edhe veprat! Në asnjë diktaturë nuk i janë djegur veprat artistit, por mua më ndodhi edhe kjo. Ku ka vuajtje më të madhe për një artist?!” – thotë arkitekti. Për këto arsye, edhe siç rrëfen, “në emër të rezistencës intelektuale, që iu kundërvu ideologjisë mashtruese komuniste”, ai vendosi që të thyejë heshtjen dhe të tregojë mashtrimet, që sipas tij janë bërë mbi plagët që la diktatura më e ashpër staliniste.

Zoti Velo, para disa ditësh ngritët shqetësimin mbi disidentët e rremë. Biseda që patët me përkthyesen, e cila ju shoqëroi në takimin ndërkombëtar në Varshavë gjatë fillimit të qershorit, ju nxit të thoni se edhe piktori Edi Hila mund të jetë i tillë. Çfarë ju tha konkretisht zonja Stolarska?

Është e vërtetë. Ka kohë që shoh me shqetësim se si po falsifikohen faktet për atë periudhë, që e kam jetuar intensivisht. Atëherë ishin me dhjetëra e dhjetëra piktorë e skulptorë që përbetoheshin për Partinë dhe që u angazhuan me denoncime e spiunime për të më futur në burg. Janë 105 dokumente të botuara së fundi në librin “Jetë paralele”. U përmbysën epokat dhe po këta njerëz duan tani të quhen disidentë dhe të përfitojnë nga burgu im. Kur dola nga burgu, ata ishin të pakënaqur që mbeta gjallë, tani duan të bëhen bashkëvuajtës.

Në datën 4 qershor ishim ulur në darkën zyrtare në Kështjellën e Varshavës. Ishim ftuar si disidentë me rastin e 30-vjetorit të zgjedhjeve të lira nga Senati i Polonisë unë dhe Visar Zhiti, bashkë me gruan e tij, Edën. Në një moment, përkthyesja Malgorzata Stolarska më pyet:

– Edi Hila, me Ju ka qenë në burg?
– Jo, me ne jo, por ai as nuk ka qenë në burg fare, – i përgjigjem unë.
– Nuk ka mundësi… e keni gabim, – ngulmon përkthyesja.
– Nuk e kam gabim, e di mirë, – i them.
– Po unë e kam të shkruar që ai ka qenë i burgosur politik në biografi, pastaj, ne prandaj ia bëmë ekspozitën, jo për punët, – më tregoi Stolarska.

Me pak fjalë, kjo ishte biseda për këtë problem. Unë pak a shumë e dija që më herët, kur erdhën studiuesit Polakë dhe u caktua nga ana e Galerisë Edi Hila. Madje, nuk ishte as Galeria që e caktoi, por një njeri me pushtet, i cili ua caktoi detyrimisht Edi Hilën, pa lënë për ta asnjë mundësi që të takonin edhe artistë të tjerë e të zgjidhnin vetë ata. Është caktuar një mënyrë e çuditshme për të paraqitur atë periudhë. Nga një anë iu thuhet nga ana e disa artistëve konceptualë se nuk ka pasur fare një disidencë e nga ana tjetër shtohet: Ja, kemi vetëm Edi Hilën. Kjo sjellje është përsëritur edhe kur kanë ardhur kërkesa nga Qendra “Pompidu”.

Përse bëhet kjo?

Duhet të kuptojmë se vitet e fundit, Europa, sidomos qendrat kërkimore të artit, duan të dinë për disidencën në art gjatë periudhës së komunizmit. Sidomos në Shqipëri, meqenëse ata nuk i njohin problemet e asaj periudhe. Disidenca në art dhe letërsi është një nga format më të vështira, por dhe më të rëndësishme të rezistencës intelektuale. Ajo iu kundërvu ideologjisë mashtruese komuniste. Ata që e bënë këtë janë të vlerësuar lart dhe do të shkruhen në analet e antikomunizmit europian. Meqenëse kanë kaluar 30 vjet nga rënia e komunizmit, shumë disidentë kanë vdekur, pastaj ka filluar falsifikimi i ngjarjeve dhe prandaj kërkohen të identifikohen dhe respektohen. Për këtë arsye, edhe trysnia e falsifikimit është rritur te ne.

Edi Hilën, ju e gjeni si të dënuar të diktaturës edhe në një botim të Elsies, bërë në fillimet e viteve ’90, ku renditet ndër artistët që “kanë qenë në burg apo kampe përqendrimi”. Kush mund t’ia ketë dhënë sipas jush një informacion të tillë studiuesit?

Robert Elsie erdhi tek unë në dimër të 1990-ës. Unë kisha dalë nga burgu dhe punoja si punëtor në Abrazivi. Ishte mbasdite dhe erdhi bashkë me Perikli Jorgonin, një poet dhe studiues shumë i dhënë pas artit dhe poezisë moderne. E takoja për herë të parë Elsin, që do mbetet një nga albanologët më të veçantë, që jetoi me intelektualët shqiptarë kohët e tyre më të vështira. Ai besonte te çdo njeri. Unë i dhashë vendimin e gjyqit dhe i dhurova një vizatim. Ai vjen mbas një viti, në dimrin e vitit 1991, dhe kish me separatin e botimit të tij në Oklahoma (“World literature today”) në pranverë të atij viti, të cilin ma la mua. Me këtë botim, Elsi hyn në historinë e letërsisë dhe artit si i pari që u mor, studioi dhe e bëri të njohur në botë disidencën letrare dhe artistike shqiptare. Jam i bindur se atë informacion djallëzor për Edi Hilën ia ka dhënë vetëm ai: Edi Hila.

Këtë bindje e kam sepse është diçka që ai e ka përsëritur edhe në dhjetëra raste të tjera, sa herë që vinin studiues, profesorë dhe piktorë të huaj. Ai më ka kërcënuar mua kur shkrova për këtë problem para Galerisë së Arteve. Hila është njeriu i pëshpësheve, intrigave, kërcënimeve, servilizmit. Për sa i përket riedukimit të piktorit Hila, si shkak është bërë i ditur deri më tani tendenca e tij antikonformiste kundër artit socialist, e ngritur si akuzë. Konkretisht, tipare të shfaqura në dekorin e Festivalit të 11-të dhe te “Mbjellja e pemëve”.

E vërteta lidhur me riedukimin e tij, sipas jush është një tjetër. A mund të na e rrëfeni? Unë kam botuar 120 dokumente, ai nuk ka botuar asnjë. Përse nuk boton dokumentin se përse u dërgua në Pularia? Administrata komuniste ish shumë e rregullt, çdo gjë është e dokumentuar. Përse e lë të pasqaruar?
Ai ka shkuar në Pularia jo vetëm, por bashkë me operatorin B.D., me të.

 

E