Rama takim me Mogherinin: Mbështetje të plotë për të ecur përpara me...

Rama takim me Mogherinin: Mbështetje të plotë për të ecur përpara me Reformën në Drejtësi

394
0

Kryeministri Edi Rama pati një takim kokë më kokë me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme e të Sigurisë, Federica Mogherini, në Bruksel, para darkës informale me Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor. Në takim u diskutua për situatën në Shqipëri. Mogherini uroi Kryeministrin për marrëveshjen e arritur dhe për zhbllokimin e Vettingut. Përfaqësuesja e Lartë e unionit theksoi edhe njëherë që Bashkimi Europian e ka bërë të qartë dhe do vijojë ta bëjë edhe më tutje, mbështetjen e plotë për të ecur përpara me Reformën në Drejtësi, ashtu sic do vijojë me mesazhet e qarta për ata që e bllokojnë atë. Kryeministri Rama theksoi se marreveshja u bë për Shqipërinë dhe për shqiptarët dhe për nevojën që ka Shqipëria të ndahet nga e kaluara konfliktuale. Ndërsa në darkën informale, në të cilën Përfaqësuesja e Lartë e BE, Mogherini mblodhi 6 kryeministra, u fol për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe për nevojën e vijimit të reformave në rajon, si dhe për perspektivën europiane të rajonit si një i tërë. Takimi i sotëm, theksoi Mogherini, ka si synim t’i japë një mesazh pozitiv rajonit për perspektivën europiane dhe do të bëhen takime të tilla periodike në të ardhmen, që të ecim para më shpejt drejt kësaj perspektive.