Rama sfidon opozitën: As me plumb ballit, zgjedhje vetëm në 2021

Rama sfidon opozitën: As me plumb ballit, zgjedhje vetëm në 2021

498
0

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për gazetën italiane “Il Messaggero”. Për gazetarin Marco Ventura, Rama ka komentuar aktualitetin politik, duke e krahasuar qeverinë me Juventusin dhe veten me Ronaldon. Rama thotë se revolta bëhet nga ata që u dëbuan me votë nga populli dhe duan të vijnë në pushtet pa zgjedhje. “Ata e thonë vetë se me Edi Ramën nuk kanë shans të fitojnë. Duan që unë të dorëhiqem për të bërë një qeveri tranzitore. Është si t’i kërkosh Juventusit, meqë është shumë i fortë, që të pranojë formacionet që bëjnë të tjerët, jo trajneri i saj dhe që të shkojë në fund të klasifikimit për ta nisur kampionatin nga e para… pa Ronaldon!. Qeveritë tranzitore bëhen kur ka probleme përfaqësimi, ndërsa ne kemi mazhorancën absolute dhe jemi përpara në të gjitha sondazhet. Nuk është një lojë, kemi jo vetëm të drejtën, por detyrën për të përfaqësuar vullnetin e zgjedhësve. Zgjedhjet e ardhshme do të jenë në vitin 2021”, ka thënë kryeministri Rama.

 

Kryeministri është shprehur se policia në sjelljen e saj ishte shumë korrekte, ndryshe nga vite më parë kur katër protestues u vranë në bulevard. I pyetur nëse i referohej Lulzim Bashës kur ishte Ministër i Brendshëm, Rama ka thënë prerë se: “Nuk flas kurrë për kundërshtarët në një gjuhë të huaj, edhe pse është gjuha e gjyshes sime. Gjyshja ime ka pasur origjinë italiane”. Për deklaratat e Berishës, ka thënë: “Ai shprehet se mënyra e vetme për të më dëbuar, është me një plumb ballit, por nuk dua ta komentoj. Shqipëria në kohën e Berishës digjej. Kërkon vetëm të pengojë reformën në drejtësi. Janë më shumë se 50 gjyqtarë të korruptuar që kemi nxjerrë jashtë sistemit”.

 

I pyetur se kundërshtarët e krahasojnë me Nicolas Maduron, Rama tha se është pikërisht opozita që ka probleme me ndërkombëtarët.

 

“Ndryshe nga Venezuela, në Shqipëri amerikanët dhe Europa i kanë bërë apel opozitës se po shkel principet e demokracisë. Nëse do të isha si Maduro, do të kisha unë probleme me SHBA-të dhe Bashkimin Europian”, është përgjigjur Rama.

 

Gazetari italian ka pyetur nëse ka ndonjë rrezik që situata të degjenerojë dhe të rinisë një eksod drejt Italisë dhe kryeministri është përgjigjur: “Jo! Jo! Kjo është vetëm një revoltë brenda pallatit, revoltë nga ata që u dëbuan dhe ëndërrojnë të pamundurën. Pra duan të vijnë në pushtet pa votime.”