‘Rama po tradhton kombin’, Nishani për ‘Shengenin Ballkanik’: Serbia një Rusi e...

‘Rama po tradhton kombin’, Nishani për ‘Shengenin Ballkanik’: Serbia një Rusi e vogël, kërkon të stopojë integrimin e Shqipërisë dhe Kosovës

409
0

Ish-presidenti Bujar Nishani ka komentuar marrëveshjen e “Shengenit Ballkanik” dhe ka ngritur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

 

Në një postim në rrjetet sociale, Nishani e cilëson Serbinë si një Rusi të vogël që synon të stopojë proceset integruese të Shqipërisë dhe Kosovës.

 

“Serbia duket qartë tashmë se ka dy synime. E para të zhbëjë proçeset e arritura deri tani të shtetformimit prej Kosovës dhe së dyti të stopojë e shmangë më tej nga proçeset integruese dhe rrugëtimin drejt hapsirës perëndimore vendet e tjera të rajonit, përfshirë Shqipërinë”, shkruan ish-presidenti, ndërsa pretendon se Rama po tradhton kombin.

 

“Po ky, Kryeministri (pa legjitimitet politik e moral) i Shqipërisë çfarë interesi ka në bashkangjitjen në këtë strategji anti-perëndim të Serbisë? Për mendimin tim, asgjë tjetër përveçse tradhëtisë kombëtare, tek e cila është shitur për të zaptuar zyrën e Qeverisë Shqiptare!”, thekson Nishani.

 

Postimi i plotë:

 

“Shengeni Ballkanik” apo rilindja e Platformës Jugosllave e ashtuquajtur “e të pa angazhuarve” ?

 

Ne shqiptarët kemi patur një fat të keq në historinë tonë mijëra vjeçare.

 

Ky fat na ndau e izoloi vijimësisht nga përkatësia jonë identitare, kulturore dhe ajo njerëzore, nga hapësira dhe modeli perëndimor.

 

Ky fat na përndoqi deri ditën kur Muri i Berlinit, ra dhe era e perëndimi depërtoi e erdhi ndër hapësirat tona.

 

Që prej asaj kohe, pengesa, kurthe, por edhe mina të shumta janë hedhur përsëri ndër rrugëtimin tonë por dëmet nuk kanë qenë dot fatale.

 

Sot shqiptarët janë më të lirë, më të sigurtë, më pranë njëri-tjetrit, por gjembat e minat ende i ndeshin rrugës tek ecin.

 

Shqipëria anëtare e NATO-s dhe prespektiva e Kosovës në të, kanë sfiduar fatalisht kërcënimet ndaj sigurisë tonë dhe të gjithë rajonit.

 

Lëvizja e lirë për ne në Shqipëri dhe prespektiva e padiskutueshme për Kosovën në këtë dimension lirie ka mundësuar përshpejtimin e kurimit të kulturës dhe civilizimit tonë dëmtuar rëndë prej shekujsh pushtimi, izolimi dhe opiumit ideologjik.

 

Proçesi i integrimit evropian për ne është udhërrëfyesi për ndërtim, modernizim, maturim e normalizim.

 

Proçesi, është dhe mbetet baza, thelbi, udha, vetë evropianizimi ynë.

 

Jo thjesht anëtarësimi por tashmë proçesi i përafrimit dhe standartizimit me Evropën po sfidohet hapur !

 

Kushdo është i qartë se do të ishte shumë e vështirë për Bashkimin Evropian të bënte anëtare të tryezës së saj politike dhe ekonomike një Rusi të Vogël në Ballkan siç është Serbia.

 

Serbia e di fare mirë këtë realitet sepse në fakt ajo e ka zgjedhur me vullnetin e saj të jetë pjesë e asaj përkatësie.

 

Kjo është zgjedhja e saj por ajo nuk ndalet tek kjo.

 

Tashmë ka hapur anën tjetër të medaljes.

 

Serbia duket qartë tashmë se ka dy synime.

 

E para të zhbëjë proçeset e arritura deri tani të shtetformimit prej Kosovës dhe së dyti të stopojë e shmangë më tej nga proçeset integruese dhe rrugëtimin drejt hapsirës perëndimore vendet e tjera të rajonit, përfshirë Shqipërinë.

 

Pas dështimit të së ashtuquajturës 6+1, ajo ka shpikur tani “Shengenin Ballkanik” !!!

 

Në fak ajo është një strategji për të rilindur modelin titist jugosllav të ashtuquajtur “të pa angazhuarit”, ku synon të ngec të gjithë rajonin tonë.

 

Pra nuk na duhet Evropa e as integrimi në të, ne do krijojmë “jugosllavinë-bis” të pa ndikuar dhe të pa lidhur me Bashkimin Evropian.

 

E kemi dëgjuar hapur tashmë të thënë këtë disa herë nga Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama, të cilët flasin prej kohësh me të njëjtën gjuhë antiperëndim e antievropë.

 

Me Jugosllavinë -bis, Serbia planifikon synimin hileqar e cinik të izolimit të Kosovës nga proceset integruese euro-atlantike duke thënë ; se ja Serbia nuk e pengon Kosovën, “le të vijë në rilindjen tonë” !

 

Sa për tryezat rajonale ato janë të instaluara dhe kthyera në traditë shumë të mirë tashmë.

 

Procesi i Brdo-Brijunit, ku janë të angazhuara si të barabarta të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor plus Kroacia e Sllovenia, por edhe i mbështetur fort nga BE e SHBA të cilët kanë qenë pjesmarrës në këto tryeza me Kancelaren Merkel, Presidentin Hollandë, Presidentin Mattarella, Presidentin Fischer, Presidentin Tusk e madje dhe Zv/Presidentin Biden.

 

Po ashtu funksionon Procesi i Bashkëpunimit Ekonomik të Evropës Juglindore (SEECP) ku Kosova ulet e barabartë edhe me ato shtete të cilat nuk e njohin formalisht.

 

Ndaj, synimi i Serbisë është nga njëra anë që të zhbëhen tërësisht këto organizma e tryeza ku Kosova në fakt eshte palë e barabartë prej vitesh dhe ta kolapsojë këtë shtet të ri në tasin e piskavicave sllave të Ballkanit.

 

Mirë që A. Vuçiç është në zbatim të projektit të tij anti-Kosovë, po ky Kryeministri i Shqipërisë pse angazhohet në krah të tij, vallë ?

 

Serbia nuk është e angazhuar vetëm kundër Kosovës.

 

Detyra dhe platforma e saj është të minojë rrugën perëndimore të të gjithë rajonit.

 

Ringjallja e modelit të një hapsire “të pa angazhuar” në raport me Bashkimin Evropian, me dimensionin, kulturën e standartin e kësaj familje, alias “Jugosllavia e Re”, ku natyrisht lider është Serbia, duket synimi i qartë e i kuptueshëm i A. Vuçiç.

 

Po Edi Rama vallë çfarë arsye ka që i bëhet bisht ?

 

Kosova, Mali i Zi e Bosnja&Herzegovina e injoruan dhe bojkotuan këtë platformë serbe, në fakt anti/evropiane !

 

Kërkojnë të na mbushin kokën me propagandë për lirinë e lëvizjes, të tregut apo arsimimit !

 

Për çfarë lëvizje të lirë të mallrave mund të bëhet fjalë kur Serbia as nuk njeh e as nuk lejon hyrjen e mjeteve me targa të Kosovës apo dokumente të institucioneve të Kosovës.

 

A ka harruar vallë Edi Rama se Serbia nuk ka pranuar të jetë pjesë e vendeve që kanë vënë sanksione ndaj mallrave ruse.

 

Shqipëria është pjesë e këtij koalicioni.

 

Si mundet ti parandalojë Edi Rama mallrat e Rusisë të hyjnë në Shqipëri pa kontroll nga Serbia ?

 

Edi Rama në fakt është autori i ngritjes së barrierave të reja të qarkullimit të mallrave nga dhe në Kosovë me taksën skandaloze tek Rruga e Kombit !

 

Kërkojnë të na mbushin mendjen me dokrra propagande për hapësirë të përbashkët lirie !

 

Edi Rama e ka harruar, (as nuk e kërkon më) por ne jo, që Serbia refuzon prej vitesh te njohë diplomat shqiptare të studentëve të Luginës së Preshevës.

 

Ndaj e gjithë propaganda e tyre është veçse një bullshit që synon të maskojë qëllimet e vërteta të Serbisë.

 

Serbia është në të drejtën e zgjedhjes së pozicionimit të saj anti-europë dhe anti-Kosovë, të përpjekjeve për ti shërbyer aleancës së saj me Rusinë për të izoluar përafrimin evropian të rajonit tonë.

 

Po ky, Kryeministri (pa legjitimitet politik e moral) i Shqipërisë çfarë interesi ka në bashkangjitjen në këtë strategji anti-perëndim të Serbisë ?

 

Për mendimin tim, asgjë tjetër përveçse tradhëtisë kombëtare, tek e cila është shitur për të zaptuar zyrën e Qeverisë Shqiptare !