Rama paralajmëron prokurorin e Durrësit: S’do i shpëtojë ndëshkimit

Rama paralajmëron prokurorin e Durrësit: S’do i shpëtojë ndëshkimit

302
0

 

Kryeministri Edi Rama e ka përmendur sërish prokurorin e Durrësit Arjan Ndoj, i cili ka kërkuar arrestimin e ish kreut të Kadastrës në këtë qytet.

Gjatë fjalës së tij në takimin e përjavshëm me qytetarët që kanë marrë zgjidhje për problemet e tyre nga portali i bashkëqeverisjes, pak ditë pasi në Kuvend tha se prokurori bashkëpunon me bandat kriminale dhe ushtron presion e shantazh mbi zyrtarët e administratës, sot e ka paralajmëruar publikisht se nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit, dhe se bashkë me prokurorët e gjyqtarët e tjerë të korruptuar, do të japin llogari për pasurinë e tyre.

Ndërkohë sipas Ramës, të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët, që shkarkohen nga Vettingu, do të rikthehen për të dhënë llogari.

“Ju e patë vetë javën e kaluar, të transformimit të një figure të sistemit të drejtësisë me përfaqësues të interesave të krimit, që sigurisht nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit, por ama kur vjen puna te ndërhyrja në proces, kjo është e pamundur për qeverinë, për pushtetin ekzekutiv, sepse Kushtetua përcakton qartë kufijtë e çdo pushteti dhe kufizimet që ne kemi, pavarësisht se mund të jetë e drejtë ajo që qytetari kërkon.

Fatkeqësisht po shohim se pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka dhe një efekt negativ, sepse shumë prokurorë e gjykatës që janë të zhytur deri në fyt, po e shfrytëzojnë pushtetin që ju jep ligji me moton ‘të kapin, çfarë të kapim’. Ata nuk kuptojnë që ndërtimi i sistemit të ri të drejtësisë kërkon kohë.

Ata që Vettingu i përjashton, do të rikthehen para prokurorëve dhe gjykatëse për të dhënë llogari për pasurinë e tyre, të jenë të sigurt. Edhe ata që bëjnë krime për të përfituar para të zezë, apo shpërblime të majme nga organizata kriminale, drejtësia mbi ta mund të vonojë dhe pak, por nuk do të harrojë”, tha Rama.