Rama në Tropojë: Votoni për vete; i lini mënjanë fanellat e partive

Rama në Tropojë: Votoni për vete; i lini mënjanë fanellat e partive

451
0

Kryeministri Edi Rama njëherazi kryetar i Partisë Socialiste e zhvendosi sot fushatën elektorale në qytetin e Tropojës, skaji më verilindor i vendit.

Në takimin me banorë të këtij qyteti kryeministri i ftoi ata që më 25 qershor të votojnë kuqezi, “t’i lini mënjanë fanellat e partive dhe të votoni për vete, për fëmijët dhe për transformimin e zones ku jetoni”, ju drejtua Rama.

Duke u ndalur tek oferta elektorale e Partisë Demokratike, kryeministri tha se në të ka gjëra që nuk shkojnë. “Përveç se një çerek shekulli PD nuk bëri asgjë për Tropojën, por sot na paraqitet në gjithë qarkun e Kukësit me një skuadër që nuk ka asnjë grua dhe asnjë vajzë, duke ja hequr atyre të drejtën e përfaqësimit në parlament”, u shpreh ai.

Rama theksoi se ndonëse kryetari i bashkisë Tropojë i takon Partisë Demokratike, kjo nuk e ka penguar qeverinë që ta mbështesë fuqishëm këtë qytet. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim për sa kohë do të kemi mundësi të forcojmë këtë partneritet, pasi kryebashkiakun e kanë zgjedhur qytetarët tropojanë, ndërsa ne, qytetarët e Shqipërisë dhe për mbi partitë është Tropoja, një shembull kuptimplotë i faktit se ne nuk i paragjykojmë kryebashkiakët, por jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ta.

“Ndaj qe të vazhdojmë të bëjmë në 4 vitet e ardhshme për Tropojën shumë më tepër se sa kemi bërë në 44 muaj, duhet të votoni pa diskutim PS-në, tha Rama. Vota nuk është punë zemre, shtoi ai, por është punë mendje dhe interesi për të gjithë.

Duke i apeluar qytetarëve që të mos jenë “mish për top” për partitë, që e kanë copëtuar administratën për të marrë më shumë vota, kryeministri deklaroi se sot gjithkush ka shumë për të humbur, pasi PS ka fuqinë për ta çuar Shqipërinë me shumë më tepër shpejtësi në rrugën drejt një ekonomie më të mirë, rritjeje të punësimit dhe mirëqenie. “Duhet të zgjidhni kalin më të fortë dhe karrocën më të sigurt”, u shpreh Rama

Ai u ndal sërish tek domodoshmëria e reformës në drejtësi, e cila do të bëjë spastrimin e sistemit nga të korruptuarit.

Ne duam që e drejta e pronës të mos shitet e blihet në gjykatë, se ju jeni demokratë, por kur shkoni në gjykatë nëse nuk ke para dhe as mbiemër të njohur te rrjepin si cjap dhe del i rrjepur në të drejtat e tua.

“Ne e kemi ndarë mendjen qe do të shkojnë në burg gjykatësit dhe prokurorët qe jua kanë nxirë jeten socialistëve dhe demokratëve. Për pak ditë votohen komisionet dhe fillon spastrimi dhe kjo nuk është për socialistet, por se e kërkon populli”, u shpreh Kreu i qeverisë.

Rama i këshilloi banorët e Tropojës që të mos e japin votën për partitë e vogla, përfaqësuesit e të cilave, sipas tij, janë  mjeshtra te manipulimit të popullit.

Janë të gjithë ata që kanë hyrë dhe dalë në korridoret e pushtetit dhe janë mësuar me tepsinë dhe nuk ndahen dot prej saj, tha kryeministri. Mos çoni vota tek partitë e vogla, shtoi ai, se janë vota kot. Do i jepni votën, por për çfarë? Që të marrin zyra dhe të punësojnë njerëz të paaftë, edhe të rriten vetë’”, shtoi Rama.