Qyteti pa statuja/ Nga Mihal Gjergji

Qyteti pa statuja/ Nga Mihal Gjergji

677
0

 

Saranda, qyteti me shumë emëra. Në hyrje, një rrugë me emërtesë ere: onhezmi. Ndoshta, ky i fundit është babai i Eneas, i cili, mbasi u kthye nga lufta e Trojës, bëri shtatë ditë rrugë për të mbritur në Dodonēn dimërkeqe, në lartësitë e Tomorrit. Orakujt i thanë se ilirët duhet të shtriheshin edhe përtej detit. Enea u kthye, kështu shkruan Homeri, qëndroi një natë në Butrint, pastaj u nis me lundërtarët, kjo pra shënon themelimin e Romës… Saranda – Santi Quaranti, qyteti i dyzetë shenjtorëve. Ata s’janë veçse dyzet ushtarë të sulltanit që u martirizuan për mbrojtjen e teritoreve të perandorisë së dikurshme, e ngaqë sulltani ishte edhe “Kalif” i shpalli shenjtorë. E në nderim të tyre ndërtoi manastirin. Jemi në fundin e shekullit të XIV, kur venecianët dorëzuan teritoret dhe popullatat e vendeve të pushtuara. Pafuqia për tu përballur me osmanët, bëri që, nga Peleponezi e deri në Dalmaci, ata që ne i quajmë -Arvanitas, të ndjeheshin të tradhëtuar…Janë gjaku dhe rraca jonë, mbetur si gurë pa mbishkrime brigjeve të mesdheut. Musolini dëshironte që, Sarandën t’ia bënte dhuratë vajzës së tij, Edës. Qytetet ngjajnë me organizmat e gjallë; kanë mushkëri, zemër, krahë, por kanë edhe plagë. Saranda ka det, por s’ka plazh, mbi krye rrjedh Bistrica, por s’ka ujë për të pirë, ka lokale pa fund, por ka edhe varfëri ekstreme. Unë di t’a lexoj dëshpërimin qytetar. Në buzën e çarë të një nëne (janë me mijëra të tilla!) -shikoj edhe një të çarê shteti. Në kohën time të kursyer, bëra një vëzhgim të kujdesshëm. U ndala te shëtitorja që mban emërin e njërit prej kolosëve të iluminizmit shqiptar, Hasan Tahsinit. Provova një ndjesi drithëruese; turma, sigurisht që s’e njeh, por s’duhet të shkelë mbi dhimbjen e tij. Mes shëtitores është një përmendore (nëse mund ta quajmë kështu) e këtij mendjendrituri. E fotografova në muzg, sepse në terr e kanë lënë. Nëse ja dini varrin, ma thoni! Pas krahëve dëgjoja fjalët e njē gjuhe që më krijon gjendje shushame: -“Sarandi eqi poli kozmos “. Por kjo s’më shqetëson. Hasanin s’e merr greku, sepse është çam, ndërsa Çamërinē e mori, kurse turku është larg, për ta rivrarë përsëri. Këto zëra mund të jenë edhe të fêmijëve tanë, të cilët kanë lindur në Greqi, s’dinë ta shkruajnë e ta lexojnë gjuhën tonë të bukur…Ndoshta këtë rrugë ndiqte edhe Naim Frashëri, kur kthehej nga puna, për t’u ulur pastaj nën dritën e qiririt, e për t’i kënduar bukurisë shqiptare. Ky i fundit, është nxënësi i të parit. Hoxhë Hasan Tahsini, Rektori i parë i Universitetit të Stambollit. Deri te Ura e Bosforit e mbante mbi krye festen e hoxhes, pastaj e hiqte, e vendoste në brezin e mesit, pra pushonte teologu dhe fliste shkencëtari. Ai tashmë ka fituar barazinë më të thellë, i është dorëzuar pushtetit të vdekjes. Por edhe lirinë më të madhe. Tashmē, ka mbritur në orbitën ku qëndrojnë yjet. Indinferecave e mediokërve s’mund t’a vrasë këtë gjigand. Brenda kësaj shëtitoreje janë tê gjithë; ato që duan të shiten dhe ata qê kêrkojne te blejnë, turistë, të ardhur nga viset veriore, qejflinj e meskëputur nga hallet, të cilët përpiqen te shesin ndonjë misër te pjekur. Diku më lart, një muzikë joshëse me fyell, motive spanjolle përzier me trishtimin aziatik. (Fyelli i Naimit-jo!). Pastaj, lëkurë qëngjash e delesh, mbi të cilat ishin stampuar portrete gjeneralësh, artistësh, këngëtarësh, etj. Aty e gjeni Tanganikën. Zanzibarin, Kongon, Zelandën…Portrete politikanësh s’më zuri syri. Ndoshta lëkurët e ujqërve ekspozohen gjetiu. Mes pallateve fantazmë, bizneseve fantazmē, pushteteve fantazmë, kêrkova më kot të veçoja bukuritë e qytetit. S’kisha kë pyesja: -sa gjimnazistë të shkelqyer u diplomuan këte vit? Sa studente vazhdojne jeten universitare? Sa vende pune janë hapur këtë vit? A ka poetë, piktorë, kengetare, aktorë ky qytet? Sa mësues jetojnë në gjendje mjerimi? Sa do rritet buxheti i shtetit për arsimin vitet vijuese? Në cilat banka të botës mbrijnë lekët e biznesmenëve shqiptarë? Kërkova me sy edhe kurveleshasit e mi, ata që, kur komisioni nderkombetar i kufijve hiqte vijat mbi harta, veshën fustanellat e qeleshet, ngjeshen jataganet dhe zbriten ketu, ne Sarandë. E dhanë mesazhin me kengën polifonike. E dini kush janë ata?

“Pyet padishanë e bija

Janë ca xhinde, duan tyja

Janë ata, nga Labëria”

Ata janë përsëri aty, për të ruajtur sinoret, edhe pse të tradhetuar. Ndoshta një kohë, botën do t’a drejtojne gjenitë, shkencetarët dhe filozofët. Kjo mund të ndodhë edhe tek ne, ndryshe, xhindet mund të zgjohen.