Qytetaria e klasës së 8 pa Kosovën në hartë, reagon Shahini: Gabim...

Qytetaria e klasës së 8 pa Kosovën në hartë, reagon Shahini: Gabim i paqëllimshëm, do detyrojmë shtëpinë botuese ta korrigjojë

363
0

Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka reaguar pasi në media u publikua një faqe e Qytetarisë së klasës së 8-të ku në hartë mungonte Kosova.

Me anë të një postimi në Facebook, Shahini thotë se ka ndjerë shumë keqardhje kur e ka parë këtë gabim, për të cilin thotë se është i paqëllimshëm.

Ministrja thotë se do të detyrohet menjëherë shtëpia botuese që ky gabim të korrigjohet sa më shpejt.

“Më erdhi keq kur pashë të postuar në rrjete sociale një faqe të një libri me pasaktësi në hartën e rajonit të Ballkanit.

Kosova është Republikë dhe njihet si e tillë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, 23 vende anëtare të BE-së, SHBA-të dhe shumë shtete të tjera aleate. Por nga autori i librit, te artisti grafik, te redaktori i shtëpisë botuese e deri te komisioni që ka dhënë OK për botim, nuk kanë qenë në gjendje ta vërejnë mungesën e shtetit të Kosovës në të!

Ky është natyrisht një gabim i paqëllimshëm dhe s’është i vetmi, megjithëse janë bërë përmirësime kolosale në korrigjimin e teksteve shkollore. Por padiskutim që nuk do të duhej të ekzistonin pasaktësi të tilla në librat shkollorë!

Lajmi i mirë është se kjo ka ndodhur ndërkohë që po zhvillohet procesi i kontrollit të librave shkollorë, pasi sivjet është mbyllur procesi i hartimit të librave të rinj. Pastaj do të vihet në lëvizje detyrimi për shtëpitë botuese që t’i adresojnë menjëherë me fletë plotësuese gabimet e konstatuara, ndërsa në vijim me redaktim të plotë”, shkruan Shahini.