Pushkatimi i Beut të Saukut/ Rrëfimi: Ja emri i zyrtarit të lartë...

Pushkatimi i Beut të Saukut/ Rrëfimi: Ja emri i zyrtarit të lartë që përmendi

524
0

Rrethanat e ekzekutimit të Nazif Tugës mesnatën e 20 korrikut 1989, rrëzë një kodre në gjunjët e Dajtit, i kanë ditur vetëm pesë zyrtarë, të cilëve regjimi u besoi aktin e fundit të tragjedisë monstruoze. Njëri ndër ta, D.M., pas shumë dilemash e mëdyshjesh tunduese vuri dorën në zemër dhe u tregoi familjarëve vendin ku ishin groposur eshtrat e Beut të Saukut. Identifikimi i tij u bë shkak për të depërtuar më tej te të pathënat e asaj nate të tmerrshme. G.R., një tjetër dëshmitar i ngjarjes makabre, duke kapërcyer përbetimin e dikurshëm se për gjëra të tilla do të rrëfehej vetëm në varr, ka treguar diçka më shumë nga detajet e tmerrshme të tragjedisë së 20 korrikut ’89. Po si e kujton ai historinë e atyre momenteve fatale, kur në emër të urdhrit dhe detyrës ka marrë pjesë në ekzekutimin e Nazif Tugës…

 

 

Ju keni qenë pjesë e grupit që ekzekutoi Nazif Tugën…

Jo kështu, jo. Ne thjesht zbatuam një vendim gjykate të formës së prerë. Gjykata e dënoi me vdekje, pushkatim. Dikush do ta çonte në fund verdiktin e saj. Për këtë kishte një urdhër të ministrit të Brendshëm, që përcaktonte vendin, datën dhe procedurën përkatëse për ekzekutimin e Nazifit. Në zbatim të urdhrit, më qëlloi dhe mua të isha pjesë e atij grupi. Bile, atë natë jam detyruar të lë në mes një gosti familjare…

 

Ju jetonit në Tiranë, e njihnit më parë Nazif Tugën?

 

Nuk më kishte qëlluar të isha ndonjëherë përballë tij, por kisha dëgjuar për të. Nazifi në atë kohë ishte një figurë e njohur në Tiranë, po sidomos në rrethina…

 

Figurë e njohur për organet e Policisë për sjellje jo të hijshme?

 

Më parë, Nazif Tuga nuk kishte qenë kurrë kontingjent i organeve tona. Përkundrazi. Ai njihej si tip babaxhani dhe njeri që bënte mirë, sidomos për njerëzit në nevojë. Kishte qëlluar të kishte ndihmuar dhe një njeriun tim, që nuk reshte duke shprehur mirënjohjen për të.

 

Dhe ndodhi të ishit përballë tij kur u ekzekutua…

 

Të thashë, jo nga dëshira, por i detyruar nga urdhri, që në të tilla raste nuk vihej kurrë në diskutim.

 

E kujtoni reagimin e Nazifit kur e morët nga birucat e burgut për ta çuar te vendi i ekzekutimit. Kërkoi ndonjë sqarim të veçantë, se thonë që ka kërkuar të takonte një zyrtar të lartë?

 

Ato momente, Nazifi dukej si i përhumbur dhe nuk mbaj mend të jetë shprehur për ndonjë gjë të veçantë. Vetëm pak çaste para këtij momenti, zëvendësprokurori i rrethit e kishte njohur me përgjigjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, që refuzonte kërkesën e tij për t’i falur jetën. Kjo besoj i kishte shuar çdo shpresë dhe e kishte shkërmoqur shpirtërisht. Nga sa më kujtohet, kur po hipte në makinë, ktheu një herë kokën pas dhe aty për aty përmendi një emër. Një emër zyrtari. Diçka filloi të shqiptojë për të, por zëri i tij humbi në zhurmën e makinës së porsandezur…

 

Hezitoi për të hipur në makinë? Thonë, se ka kundërshtuar…

 

Nuk mund ta shpreh që hezitoi apo kundërshtoi për të hipur në makinë. E thashë, ndenji vetëm një çast te dera dhe foli diçka në emër të një zyrtari. Vetëm kaq…

 

Përmendi emrin e Haxhi Lleshit…

 

Të thashë që ishte zallamahi nga zhurma e makinës dhe nuk kuptohej gjë çfarë fliste…

 

Nga qelia e burgut, ku e çuat për ta ekzekutuar?

 

Atje ku thoshte urdhri i ministrit të Brendshëm. Te vendi i caktuar, aty duhej ta çonim patjetër.

 

Aty pastaj…

 

Aty u bë ekzekutimi i vendimit të gjykatës së lartë.

 

Ju qëlluat mbi të?

 

E ç’rëndësi ka kjo. Unë isha aty për tjetër gjë. Megjithatë…

 

E mbani mend çfarë komunikuat me Nazifin para pushkatimit?

 

Edhe ky komunikim përshkruhej me detaje në urdhrin e ministrit të Brendshëm. Nuk të lejonte njeri të dilje jashtë porosive të detajuara të atij urdhri. Bile-bile, udhëzimi i ministrit parashikonte që çdo gjë e atyre momenteve të regjistrohej me saktësi në një dokument zyrtar.

 

Çfarë kërkonte për të dokumentuar me imtësi ministri i Brendshëm nga momentet e ekzekutimit?

 

Nga sa mbaj mend, në urdhër precizohej që para ekzekutimit, i dënuari duhej të njihej me vendimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe t’i kërkohej të shprehej për herë të fundit.

 

Ju kujtohen fjalët e fundit, që shprehu Nazif Tuga para pushkatimit?

 

Nuk më kujtohen me saktësi, por ka një procesverbal zyrtar, ku kam firmosur dhe unë në të cilin janë regjistruar çdo gjë me përpikërinë më të madhe. Tani që janë hapur dosjet, është e lehtë për ta zbardhur dhe këtë aspekt…

 

Megjithatë, ju diçka keni fiksuar nga ai komunikim jo i zakonshëm?

 

Patjetër që më ka lënë gjurmë në kujtesë, ndryshe nuk do isha i sinqertë. Po si të them, tani dhe vitet kanë bërë të tyren. Mbaj mend që një çast ngriti kokën lart dhe tha se nuk e kishte menduar kurrë diçka të tillë, megjithatë ju bëni detyrën, tha. Pastaj shqiptoi diçka për partinë dhe Ramiz Alinë dhe si pushoi një çast, përmendi amanetin për fëmijët…/