“Porosia e fundit e Skënderbeut”, fëmijët shqiptarë të Parmës festojnë

“Porosia e fundit e Skënderbeut”, fëmijët shqiptarë të Parmës festojnë

903
0

Festa e 1 Qershorit e  shkollës shqipe Scanderbeg të Parmës, që këtë vit është teatri me titull “Porosia e fundit e Skënderbeut”

Ashtu si edhe në vitet e shkuara, mbyllet viti shkollor dhe festohet festa e fëmijëve, Festa e 1 Qershorit me nxënësit e Shkollës Shqipe në Parma. Një vit i vështirë, për të parën herë në historinë e shkollës shqipe në Parma por që nuk e dobësoi aspak punën e mësuesve, dëshirën e nxënësve e të familjeve shqiptare në Parma për të vazhduar një punë te nisur 8 vjet më parë, misionin më të hyjnishëm për çdo shqiptar, mësimin e Gjuhës dhe Kulturës Shqipe. Mbyllet kështu, mes vargjesh, poezish, ngjyrash të mrekullueshme kostumesh tradicionale, tinguj muzikor, të gjitha të përmbledhura në teatrin me titull: Porosia e Fundit e Skëndërbeut, Bashkimi bën fuqinë.

Nisin skenat e para të teatrit, në një ambient krejt natyral, në Parkun Dukal të qytetit të Parmës. Gjyshi e nipi, kovaçi e lajmëtari, luftëtarë e vasha të veshura si zanat e malit, Donika e Skënderbeu madhështorë ashtu siç i tregon historia. Mes duartrokitjesh, emocionesh mbyllet skena e Teatrit.

Mësues Durim Lika, drejtues i shkollës Shqipe në Parma, fton të gjithë nxënësit dhe kolegët në skenë për një fotokujtim dhe për të shpërndare dëftesat simbolike të pjesëmarrjes për 33 nxënësit që ndoqën kursin e gjuhës dhe kulturës shqipe në Parma në vitin 2016-2017. Në shenjë inkurajimi e nxitjeje të gjithë nxënësit e shkollës morën falënderime e përgëzime, disa prej tyre shkëlqyen gjatë vitit shkollor.

Robert Xhafa, ish-nxënës i shkollës interpretoi rolin e Skëndërbeut, ish-nxënësi Genci Hoxha rrolin e plakut të mençur të Gjinit me shumë gatishmëri dhe pasion. Aktiviteti u mbyll mes fotove, përqafimeve dhe përgëzimeve për mbylljen me sukses të vitit shkollor.

Falënderojmë Stafin e mësuesve të shkollës shqipe per realizimin e teatrit (Aurela Lashi – Cikli i ulët Erlinda Hoxha Pjeçi – Cikli i ulët Sonila Otobashi – Gjuha shqipe Mimoza Cerri – Letërsi shqipe Elvira Lashi – Muzikë, kostume dhe tradita shqiptare Durim Lika – Histori, gjeografi shqiptare, koordinator dhe drejtues i shkollës shqipe). Falënderojmë prindërit vullnetarë për skenografinë, piktorin Bernard Basha, Rrahim Xhafa, Bujar Tabaku, Femi Hoxha etj, përfaqësuesit e prindërve, Shpresa Qeraj dhe Petrit Mehdiu. Falënderim të veçantë për vullnetaren më të re të shkollës shqipe, Sara Qeraj e cila punoi me parashkollorët.