Pjesë e bandës së Shijakut, kush është ‘Roni’ i arrestuar sot, kapo...

Pjesë e bandës së Shijakut, kush është ‘Roni’ i arrestuar sot, kapo i grupit që çoi në Itali 488 kg heroinë

1291
0

I arrestuari sot në Shijak, Hekuran Hoxha (majtas) dhe Cyle Avdyli, i arrestuar në operacionin ‘Vol-vo 4’

Hekuran Hoxha nuk e ka për herë të parë përballjen me drejtësinë. 10 vite më parë, autoritetet në Shqipëri dhe në Itali njoftonin shpërbërjen e një grupi të rrezikshëm kriminal, me bazë në Shijak, që drejtohej nga Hekuran Hoxha, i njohur me nofkën ‘Roni’, atëherë 38 vjeç.

 

Organizata kriminale që kishte si objekt trafikimin e heroinës nga Shqipëria në Itali, u shkatërrua në korrik 2009 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe antimafia italiane.

 

Grupi shqiptar që përbëhej nga 5 shtetas nga zona e Shijakut, kishte mundur që gjatë viteve 2003-2004 të dërgonte në brigjet italiane sasinë rekord të 488 kg heroinës. Në shumicën e rasteve banda përdorte korrierë, por për efekt sigurie ndonjëherë sasitë e lëndës narkotike, trafikoheshin nga drejtuesit e superorganizatës, e cila drejtohej nga Hekuran Hoxha ose “Roni”.

 

Hetimet për shkatërrimin e saj nisën nga antimafia italiane dhe më pas ato u shtrinë edhe në Shqipëri. Pas koordinimit me palën italiane, Krimet e Rënda arritën të arrestojnë dhe të dërgojnë si të pandehur në gjykatë, shtetasit Hekuran Hoxha, Alket Hatija, Fatbardh Hoxha, Mentor Shehu dhe Saimir Gjepali, që të gjithë nga Shijaku. Nga hetimet e kryera rezultoi se të pandehurit kishin marrë pjesë në 18 episode të trafikimit të lëndëve narkotike të dërguar nga Shqipëria dhe Greqia, për në drejtim të shtetit italian. U provua se Alket Hatija, kishte marrë pjesë në 11 episode, Hekuran Hoxha (Roni) në 7 episode, Fatbardh Hoxha në 4 episode, Mentor Shehu (Toku) në 5 episode dhe Saimir Gjepali ose (Shaqiri) në 2 episode. Të pandehurit kishin lidhje të ngushta miqësore dhe shoqërore me njëri-tjetrin dhe gjithë sasia e trafikuar prej tyre në Itali u sekuestrua nga antimafia italiane.  Grupi e blinte heroinën në Turqi dhe Maqedoni, ku më pas nëpërmjet portit të Durrësit dhe skafeve ajo dërgohej në Itali. E ndërsa krerët e kësaj organizate qëndronin më së shumti në Shijak, “çirakët” e tyre arrestoheshin në Itali. Prokuroria e Milanos arrestoi rreth 90 persona, shqiptarë dhe të huaj që prisnin heroinën apo ishin korrierë të saj në veri të Italisë.

 

Episodi i parë, nga i cili Prokuroria vendosi të regjistrojë procedimin penal, bënte fjalë më 21 janar të vitit 2003. Të pandehurit Hekuran Hoxha dhe Fatbardh Hoxha, si rezultat i përgjimeve telefonike, ka rezultuar se kanë komunikuar vazhdimisht në telefon me bashkëpunëtorin e tyre në Itali Eduart Daiun, të cilin e kanë porositur të përdorë numër të ri telefoni për qëllim të trafikimit të lëndëve narkotike. Të pandehurit, në lidhje me trafikimin e kësaj sasie lënde narkotike, kanë ngarkuar si korrier shtetasin shqiptar Bajram Ndrecaj. Nga hetimet e kryera nga autoritetet italiane, është arritur që të individualizohet dhe të mbahej nën vëzhgim korrieri Bajram Ndrecaj, i cili ka përdorur autoveturen tip Citroen, Xsara-Picasso me targa zviceriane BE57419. Si rezultat i përgjimeve telefonike, pikërisht më 21 janar 2003, në Reggio Emilia, pranë restorantit McDonald’s, “Via Emilia Ospizio”, është arrestuar korrieri Bajram Ndrecaj. Arrestimi i tij është kryer pas kontrollit të ushtruar në autoveturën e mësipërme, në të cilën janë sekuestruar 71 pako me peshë prej 38 kg lëndë narkotike e tipit heroinë. Ndërkohë që përveç këtij rasti organizata ka kryer trafikimin e sasive të ndryshme të heroinës edhe 17 herë të tjera.

 

I pandehuri, Hekuran HOXHA, pasi ka kontaktuar me Arben Baçin, i konfirmon se pas disa ditësh do të mbërrijë pranë tij një korrier tjetër, i individualizuar si kamionistin polak, me emrin Andrzej Levandovvski. Ky korrier është futur në shtetin italian nëpërmjet portit të Barit dhe ka pasur në përdorim një kamion me targë gjermane. Në momentin që korrieri ka qenë në autostradën nr. A14, nga ana e punonjësve të policisë është vendosur që të ndalojnë para se të takohej me pritësin e mallit Arben Baci. Pas kontrollit janë gjetur të fshehur mes disa onfeksione rrobash, 3 çanta me 132 pako, me lëndë narkotike të tipit heroinë, me peshë prej 70 kilogram.

 

Dy vite më pas, në vitin 2011, mediat turke shkruan për aktivitetin e shtetasit Abdulselam Turgut, personazh i njohur në Turqi, që kishte udhëtuar jorastësisht në Shqipëri në shkurt të këtij viti. Gazeta turke “Hyrriet” shkruante se Abdulselam Turgut ka pasur lidhje me një grup shqiptarësh të arrestuar në Durrës për sasi të mëdha heroine. Sipas medias turke, personat që kanë pasur lidhje me turkun kanë qenë Hekuran Hoxha dhe Xhemaim Posmaçiu. Në Turqi mësohet se këta shtetas, në bashkëpunim me Abduselam Turgut, ishin akuzuar për trafikimin e një sasie prej 30.5 kilogramësh heroine të pastër. Prokurori turk i çështjes ka pohuar se Abdulselam Turgut ka pasur një marrëveshje me shtetasit shqiptarë për trafikimin e ngarkesës së drogës nëpërmjet Shqipërisë në Europën Perëndimore. Nga ana tjetër, shtetasit shqiptarë që përmenden në median turke si të lidhur me “peshkun e madh” të narkotrafikut, kanë dosje penale edhe në Shqipëri. Aksioni u zhvillua në qytetin e Shijakut, ku ranë në pranga shtetasit Hekuran Hoxha, 38 vjeç nga Shijaku, i cili njihet me pseudonimin “Roni”; vëllai i tij, Fatbardh Hoxha, 37 vjeç; Alket Hatija, 35 vjeç, me origjinë nga Berati dhe banues në Shijak; Saimir Gjepali, 34 vjeç, nga qyteti i Shijakut, si dhe Mentor Shehu nga fshati Pobrat i Beratit, i cili njihej me pseudonimin “Toku”. Në këtë dosje u mor një masë sigurimi edhe për shtetasin Lutfi Shabani, i njohur si “Ben Çami”. Sipas hetimeve të prokurorisë, gjatë viteve 2003-2004 policia italiane ka kapur dhe sekuestruar në brigjet Apenine rreth 450 kilogramë heroinë, origjina e së cilës ishte nga Shqipëria dhe konkretisht nga Durrësi, ku ishte nisur nga të arrestuarit.