Banorët kanë gjithë natën të ngujuar dhe në këto orë të para të mëngjesit janë përplasur me policinë.
Ata kanë goditur me gurë dhe sende të forta efektivët e policisë që ndodhen në vendngjarje.
Nga kjo përplasje e dhunshme, policia ka shoqëruar disa persona, mes tyre pedagogun dhe aktivistin e njohur Ervin Goci. Mes të arrestuarve ka edhe persona që nuk janë banorë të Astirit, por ndodhen atje në mbështetje të tyre.
Tensionet mes banorëve dhe policisë, kanë nisur prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm.
Ndërkaq është bllokuar tërësisht segmenti nga pallati me shigjeta tek ish sheshi ’Shqiponja’ dhe askush nuk mund të kalojë, edhe persona që nuk kanë lidhje me protestën dhe kanë dalë për të ikur në punë. Policia nuk lejon akënd të kalojë në këtë zonë.
Përveç efektivëve të policisë, në vendngjarje ndodhen edhe forcat speciale.