Performanca më e mirë financiare, Tirana përzgjidhet nga OKB

Performanca më e mirë financiare, Tirana përzgjidhet nga OKB

436
0

 

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) përzgjedh Tiranën si një nga 10 qytetet që kanë patur performancën më të mirë financiare. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në konferencën “Bridge for Cities 4.0”, e mbajtur në Vienë, së bashku kryebashkiakë dhe personalitete të larta nga e gjithë bota, të cilën diskutuan mbi promovimin e zbatimit të Axhendës 2030 për Zhvillim e Qëndrueshëm, themelimin e një platforme urbane për krijimin e një rrjeti dhe nxitjen e bashkëpunimeve të ndërsjellta.

Veliaj theksoi se ky vlerësim i dhënë nga OKB-ja, është një inkurajim që për katër vitet e ardhshme Tirana të kthehet jo vetëm në polin më të rëndësishëm ekonomik të Shqipërisë, por edhe të gjithë rajonit. “Ishte një kënaqësi e veçantë të ishim në Vienë për të prezantuar Tiranën dhe historinë e saj të suksesit në menaxhimin financiar. Ishim një nga 10 qytetet e përzgjedhura nga OKB-ja, si qytetet që kanë pasur performancën më të mirë financiare. Vërtet nuk jemi qytet i pasur, por krahasuar me atë që gjetëm dhe atë ku jemi sot, së bashku kemi bërë shumë. Jam shumë krenar për qytetarët e Tiranës, që e trajtojnë qytetin si familjen e tyre. Vlerësimi që na u dha nga OKB-ja, si një nga qytetet me performancën më të mirë ekonomike krahasuar me atë që gjetëm, është një inkurajim që të gjithë bashkë, katër vitet e ardhshme, ta kthejmë Tiranën jo vetëm në polin më të rëndësishëm ekonomik të Shqipërisë, por me shumë gjasë, edhe në polin më të rëndësishëm ekonomik të gjithë rajonit të Ballkanit”, tha ai.

Në këtë takim, kryebashkiaku prezantoi disa nga nismat e ndërmarra për të nxitur ekonominë e Tiranës në katër vitet e fundit, si dhe sfidat me të cilat përballet kryeqyteti shqiptar. “Ajo që kemi prezantuar në OKB-në e Vjenës është se bashkia nuk është vetëm një realitet urban, bashkia është edhe një realitet ekonomik. Bashkia e Tiranës është përgjegjëse për 50% të ekonomisë së vendit dhe ka pasur rritjen më të madhe ekonomike të çdo rajoni të Shqipërisë. Sipas INSTAT-it, Bashkia dhe Qarku i Tiranës është rritur mbi 10%. Kjo do të thotë se duhet të përgatitemi që ta mbajmë këtë rritje”, deklaroi Veliaj.

Ai theksoi se Bashkia e Tiranës po aplikon pranë qeverisë shqiptare për t’u licencuar si operator i një zone të lirë ekonomike në zonën e Kasharit, që do t’i japë një tjetër impuls zhvillimit ekonomik. “Po aplikojmë pranë qeverisë shqiptare që të licencohemi si operator i një zone të lirë ekonomike. Është një zonë që kemi përzgjedhur në Kashar, rreth 60-70 hektarë, të cilën duam t’ua ofrojmë kompanive që duan të zgjerojnë kapacitetet e tyre, kryesisht për kapanone dhe për linja prodhimi”, tha ai.

Gjithashtu, Bashkia e Tiranës pritet që të jenë një operator i rëndësishëm ekonomik edhe në fushën e energjisë, një nismë që synon të nxisë edhe shumë prej projekteve të tjera si transporti publik elektrik. “Duam të vazhdojmë të jemi operator aktiv ekonomik edhe në fusha të tjera, siç është fusha energjetike. Bashkia ka një hidrocentral, duam të shfrytëzojmë ujëmbledhësin e Bovillës për ta kthyer jo vetëm si një vend nga ku marrim ujin, por edhe si një vend ku me panele solare, pluskuese, mund të marrim edhe energji elektrike, që pastaj të subvencionojmë transportin elektrik në Tiranë, me autobusët apo taksitë elektrike që kemi filluar t’i fusim në qytet”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.