Per Trebeshinen. Ikën shkrimtari që nuk pajtua kurrë me të keqen. A...

Per Trebeshinen. Ikën shkrimtari që nuk pajtua kurrë me të keqen. A do të botohet vepra e Trebeshinës, pas vdekjes?/ Nuri Dragoj

1164
0

Shuhet shkrimtari i shquar Kasëm Trebeshina. Në mëngjesin e datës 7 nëntor, ai dha frymën e fundit për t’u larguar nga kjo botë e bëzdisshme dhe shkoi të prehet në qetësinë e vet.

I papajtuar për asnjë çast me padrejtësinë, kudër mediokritetit dhe mungesës së lirisë, i neveritur nga letërsia banale e realizmit socialist, ku merrte përparësi morali, guxoi të kërkonte largimin nga Shqipëri. I tha hapur Enver Hoxhës dhe Mehmet shehut se kërkonte të ikte nga Shqipëria dhe të vendosej në Zivër, ku mund të shkruante ilirë. Vizën transit do ta merrte vet në Romë. Kur shteti shqiptar nuk e botonte veprën e tij le ta botonte Ita;lia, Zvicëra…Por shteti komunist nuk mund të jepte leje për njeriun, vepra e të cilit nuk binte erë socialiste.

Ishte tetori i vitit 1953, kur Trebeshina e krahësoi Enver Hoxhën me Luigjin e XIV. Pas kësaj u vu në pranga. Në burg për disa vite, më pas u amnistua për të qenë pak kohë e lirë, ndonëse më 18 maj 1962 do të internohej në Zvërnec të Vlorës. Por kjo ishte e pamjaftueshme. E shtruan në spitalin psikiatrik. E quajtën të çmendur dhe e mbytën në injeksione. Përsëri burg. Doli jashtë telave me gjemba për 18 muaj. Punoi pak kohë si përkthyes, por ia hoqën dhe këtë të drejtë. Madje e nxorën jashtë edhe nga shtëpia. E lanë në një bodrum. Kjo e detyroi t’i shkruante prapë Enver Hoxhës, ku i thoshte se po nuk iu dha e drejta e përkthimit dhe kthimi në shtëpi, do të braktiste zgjedhjet e 20 prillit 1980. Enver Hoxha e lexoi letrën dhe menjëherë urdhëroi arrestimin e tij. Më 11 prill u lëshua urdhër arresti dhe më 15 prill u vu nën pranga. (Më 11 prill do të vdiste dhe Enver Hoxha dhe më 15 prill do të varrosej). Mallkim i rëndë prej Trebeshinës. Pas hetimeve të gjata, më 19 mars 1981, shkrimtari që nuk pajtohej me dhunën u dënua 9 vjet burg.

U dënua shkrimtari, vepra e të cilit qëndron ndërmjet traditës kuteliane dhe surealizmit, ndonëse atij vetë i pëlqente ta quante realizëm simbolik. “Kasëm Trebeshina, profet” e cilësonte Robert Elsie në vitin 1992 prozatorin, dramaturgun dhe poetin e sapokthyer në jetë, sepse Trebeshina kundërshtoi që në zanafillë realizmin socialist pasojat e të cilit i kishte parashikuar bashkë me burgosjen e poetëve e shkrimtarëve.

Eshtë e vërtetë që stili i Trebeshinës është më afër të folurës së përditshme, larg stileve të përdredhura, gjë që është një shembull nga të mëdhenjtë e letërsisë botërore. Ndaj shkrimtari në fjalë nënvizon në veprën e tij “Fitorja në humbje” se “që të kuptohet drejt letërsia e realizmit socialist, ajo nuk duhet peshuar me peshoren e zgjedhjeve në votime, me atë të referendumeve apo mitingjeve, ku nuk e merr vesh qeni të zonë..”.

Në fund të fundit, novatorizmi nuk lind kurrë si moda e një shekulli, por përmes traditës dhe unit të papërsëritshëm të shkrimtarit të lindur. Dhe që të realizohet kjo, shkrimtari duhet t’i sigurojë vetes lirinë e nevojshme, duke mos qenë nën pushtetin e mbretërve të hershëm dhe as të atyre të

mëvonshëm, të mos ia skllavërojnë shpirtin perandoritë e vjetra dhe as ato të reja. Me një fjalë, të mos i shërbejë asnjë lloj diktature dhe të mos gjunjëzohet para të hollave. Pikërisht këtë gjë e ka arritur Kasëm Trebeshina, përmes një guximi të pashembullt dhe të një tmerri të vërtetë, përmes burgjeve dhe internimeve në një jetë të tërë.

Pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende në dorëshkrim: Mendohet të ketë rreth 170 dorëshkrime, përmbledhje poezish, tregime, novela, romane, drama, komedi, tragjikomedi, shkrime kritike, eseistike dhe publicistike. Kasëm Trebeshina e kundërshtoi që në nismë metodën e realizmit socialist, pasojat e të cilit i kishte parashikuar bashkë me burgosjen dhe pushkatimin e poetëve. Në vitet ’50 ai filloi të shkruajë ndryshe nga veprat që botoheshin në atë kohë. Thellësia filozofike e veprave të tij dhe prekja e temave tabu lidhen me talentin e shkrimtarit që shkruan si i thotë shpirti pa pyetur për pasojat. Dhe ndonëse persekutimet e herëpashershme e bënë atë të vuajë fizikisht, vepra e Trebeshinës, ndonëse nuk u botua, si ajo vera e vjetër, e shfaqi vlerën e saj pas disa dekadash.

Kalendari i sistemit komunist dukej se shkonte së prapthi. Pas dënimit të Trebeshinës, në Shqipëri u montua një sistem mesjetar që ndëshkonte kudo dhe në mënyrë mizore çdo tentativë të dikujt për të shprehur mendimin e lirë. Aty – këtu thuhej se Enver Hoxha ishte i sëmurë dhe platformat e tij ishin të mangëta, ngaqë ai vetë nuk dinte çfarë thoshte. Pas dënimit të Trebeshinës, në Shqipëri u montua një valë terrori dhe Hoxha arriti “të zbulojë” gjatë vitit 1981, grupin më të rrezikshëm armiqësor që “kryesohej” nga kryeministri Mehmet Shehu, i cili pati familjarisht një fund tepër tragjik. Më vonë, vijuan burgosjet dhe pushkatimet, të cilat në të gjitha rastet shoqëroheshin me mbledhje të gjata në ndërmarrjet ku njerëzit e thjeshtë që nuk dinin asgjë, ishin të detyruar të dënonin veprimtarinë e “grupeve armiqësore”, që vazhdonte të zbulonte Enver Hoxha. Kështu, ditët e burgut për Kasëm Trebeshinën u bënë akoma më të rënda, por ai shpesh shprehej me qetësi se vetë jeta nën terrorin e përditshëm ishte një burg i pafund. Megjithatë, Trebeshina nuk pranoi asnjë ditë që të kryente punë fizike, por vazhdoi të ushqehej me frymëzimet e subjekteve të romaneve të ardhshme edhe në burgje. Në muajt e parë të vitit 1991, emri i Trebeshinës dhe historia e jetës së tij shërbeu si një çengel shprese për brezin e ri dhe mbarë popullin shqiptar. Atëherë ndodhte shpesh që, sapo oratorët nëpër mitingje përmendnin emrin e Trebeshinës, ndërpriteshin nga brohoritjet dhe duartrokitjet e zjarrta të turmës së pranishme. Kësisoj, gjatë periudhës së protestave studentore, në kuadrin e refleksioneve të organizuara në Institutin e Arteve, dy figura të njohura të artit e letërsisë dhe pikërisht Ardian Klosi e Edi Rama, ftuan në këtë sallë përpara mijëra të pranishmëve, vetë Kasëm Trebeshinën. Atë ditë, dyert e jashtme të Akademisë së Arteve për çudi ishin të mbyllura me çelës, por vrulli i turmës së njerëzve i theu ato, duke shënuar kështu për herë të parë në historinë e kësaj akademie një incident të tillë. Ardhja e Kasëm Trebeshinës u prit me duartrokitje të zjarrta. Mijëra studentë e qytetarë të Tiranës u çuan në këmbë duke bërtitur: “Poshtë komunizmi”.

Dukej qartë se respekti i njerëzve ndaj Trebeshinës ishte shtuar ndjeshëm dhe tentativa e Byrosë Politike për ta mbuluar atë me harresë, kishte dështuar përfundimisht. Në atë sallë të vogël të Akademisë, atë ditë ishin futur brenda një numër aq i madh njerëzish, që mund të përbënin trefishin e kapacitetit të saj në kushte normale. Dhe rrëfimi i Trebeshinës nuk i zhgënjeu të ardhurit. Përkundrazi, jeta e Trebeshinës u shërbeu atyre si shembull frymëzimi për të mos u lodhur në luftën për liri e demokraci. Bashkëbisedimin me shkrimtarin e drejtoi Edi Rama, i cili në atë kohë ishte pedagog në Institutin e Arteve. Trebeshina pohoi se ka qenë dënuar pesë here në jetën e tij: dy herë nga fashistët dhe tri herë nga komunistët. Nuk dua ta përgjithësoj këtë gjë, se unë jam dënuar direkt nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, nuk hyjnë dhe të tjerët në këtë çështje.

Disidenca kërkohet të jetë monopol

Trebeshina nuk dëshironte ta quanin disident. Për të nuk kishte rëndësi disidenca, por vepra e tij. Ajo çfarë ka hedhur në letër. Në një intervistë dhënë gazetës “Expres” të Kosovës, ribotuar në gazetën “Republika”, ai argumentonte dy shkaqet kryesore, përse nuk duhej ta quanin disident, pavarësisht nga rrethanat që ishin krijuar, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore. “Ka dy arsye që unë nuk dua të pranohem si disident, – sqaronte Trebeshina.

E para, se në Shqipëri tani po spekulohet me desidencën. Dihet që në Katovicë të Polonisë, Gorbaçovi dha udhëzimet e duhura që të bënin transformimin e shoqërisë. Në Shqipëri nuk po vërehet asgjë. Kërkojnë ruajtjen e regjimit dhe ashtu si në shumë fusha të tjera edhe disidencën duan ta fabrikojnë sikur e kanë bërë ata. Madje, kalohet nganjëherë deri në absurditete të tilla, sikur edhe në Ministrinë e Brendshme, edhe në Sigurimin e Shtetit që ka bërë këto krime, të jetë organizuar disidenca. Po ashtu edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve. Me një disidencë të tillë, tejet të fëlliqur, nuk mund të rrish. Nuk mund të ulesh në një tryezë me ta.

Arsyeja e dytë që ai nuk donte të quhej dissident është fakti se për të permendej letra dërguar Enver Hoxhës, në një kohë që vet ai nuk dëshironte të përmendej në asnjë mënyrë. Disa duan të thonë: “Trebeshina ka vuajtur, por disidenca e vërtetë ka qenë në Lidhje, se aty kemi shkrimtarët e mëdhenj” dhe duan të kalojnë në heshtje duke folur për disidencën, duke lënë përshtypjen e tillë qëllimisht, “ne po ia krijojmë të drejtat” edhe “artin e kemi ne”.

Përkundrazi, Dritëro Agolli ka thënë: “Kasëm Trebeshina ka qenë një trim i madh në luftë dhe pas saj. Eshtë nga të paktët njerëz që i ka thënë gjërat ashtu siç i ka menduar. Eshtë shkrimtar i mirë dhe shumë shkrime të tij kanë mbetur pa u botuar. Ka mbi 80 drama të pabotuara. Madje, brenda tyre ka mendim filozofik. Bëhet fjalë për vepra me vlerë, jo për shkrime çfarëdo. Por ka edhe botime që i janë përkthyer në gjuhë të huaja, sidomos në gjermanisht. Kasëmi e thoshte me trimëri çdo gjë. Në vitin 1953, i dërgon një letër Enver Hoxhës, ku i thotë se metoda e Realizmit Socialist në letërsi është metodë që pengon zhvillimin e saj, i pengon frymëmarrjen. Letërsia nuk bëhet me urdhër. Se në të kërkohej fryma e partishmërisë, patriotizmit, fryma popullore, heroi pozitiv etj. Atëherë nuk mund të jepej jeta siç ishte në realitet. Sot thonë shumë shkrimtarë që pretendojnë se dikur kanë menduar ndryshe, se gjoja janë disidentë, por në fakt, disident si Trebeshina nuk ka… Eshtë i vetmi që mendimet e tij i ka dhënë me shkrim dhe ato janë të dokumentuara edhe sot. Ky qëndrim prej rebeli, në një farë mënyre, e dëmtoi atë dhe shoqërinë, pasi nuk u botua në kohën e duhur tërë ajo krijimtari që kishte shkruar. Nga ana tjetër, në kushtet e një lirie të mundshme ai mund të kishte shkruar edhe shumë vepra të tjera. Kasëmi ka shumë krijimtari të pabotuar. Por tani botimi i veprave është vështirësuar. Atëherë duhet të bëje një lloj marrëveshjeje a kompromisi me pushtetin, i cili paguante para për botimin e librave, kur Brenda tyre futej fryma që donte shteti, ndërsa tani kërkohet kompromis me biznesmenët, të cilët nuk e vlerësojnë dhe aq shumë librin.”

Letërsia e shërbesës nuk është letërsi

Në vitet 2007-2008, pas kërkesave të shumta të gazetarëve, Kasëm Trebeshina pranoi të fliste për letërsinë e Realizmit Socialist në Shqipëri. Ja si është shprehur ai në thelbin e gjykimeve mbi këtë periudhë të debatueshme të artit shqiptar: “…Periudha e realizmit socialist në Shqipëri është vlerësuar në mënyrë feudalo-perandorake. Këtë sistem ata kërkojnë ta ruajnë edhe tani. Kur flitet për shkrimtarët e realizmit socialist, thuhet se “kanë nderuar kombin”, “ata na kanë bërë të njohur jashtë vendit”. Kaq. Nuk pyet kush se cilat janë vlerat e tyre letrare, çfarë kontributi letrar sjellin ato. Ata arrijnë deri aty sa një autor ta vendosin barabar me flamurin. Kombi që qëndron më poshtë nga një shkrimtar apo artist, s’është komb… Lidhja e Shkrimtarëve ka propozuar që të digjet vepra ime dhe ka vendim gjyqi për djegjen e veprës sime. Jo vetëm për mua, por edhe për Fishtën, Koliqin, Konicën. Përderisa letërsia shqipe është një tempull, ku ata kanë hedhur vrerin e tyre, pa u analizuar dhe pranuar gabimet e bëra, ai s’është më tempull.

Shkrimtarët shqiptarë mund t’i ndash në dy kategori. Kategoria e vjetër, që ishin shkollat perëndimore, e cila e pranoi realizmin socialsit, por asnjëherë nuk shkoi deri tek zhdukja

fizike e shkrimeve. Ka patur dhe grupin e dytë. Ky është grupi i të gjashtëdhjetës. Menjëherë mbas viteve gjashtëdhjetë, me intrigat e tyre, çfarë nuk kanë bërë. Gjithë Lidhja e Shkrimtarëve është me denoncime për njëri-tjetrin…Ne shkrimtarët që kemi patur vlera të qëndrueshme në veprat letrare na kanë përjashtuar zyrtarisht duke na burgosur, duke na tradhtuar, duke na ndjekur edhe tani, duke aplikuar gjuetinë e shtrigave. Madje edhe punë nuk na japin, sepse të gjitha i duan për veten e tyre. I shpallin luftë letërsisë, ngrihen dhe deklarojnë se “ky është prift”, “ky është reaksionar”, bëjnë gjithë këtë zhurmë. A mund të ketë letërsi në klimë të këtillë dhe a mund t’i thuash njeriut që i ke shpallur luftë, çfarë mendimi ke ti për mua? Në këto kushte, unë nuk di dhe nuk mund të vlerësoj një letërsi të tillë. Këtu ka kashtë, ka dhe kokrra. Ata që e kanë

bërë këtë lesh e li, le ta ndajnë. Pastaj, ata janë të parët që duhet të zbresin në literaritet. Thonë për vite me radhë se “me ne erdhi drita”, dmth, me revolucionin komunist fillon viti zero. Gjithë pjesa tjetër ka qenë errësirë. A mund ta pranojmë ne këtë?

Për mua, letërsia e shërbesës ka më shumë antivlera. Nuk mund të fusësh në shkollë, t’i helmosh fëmijët tanë me libra që kanë personazh Enver Hoxhën. Ai është kriminel komunist dhe ka ushtruar genocid në popullin shqiptar. Strasburgu thotë se regjimi komunist në Shqipëri ka bërë genocid. Ose i thoni Strasburgut: “Jo, komunizmi në Shqipëri ishte demokraci e plotë”, ose pranoni të vërtetën. S’ka dy karrige këtu. Janë kryer krime ose s’janë kryer krime!?

Unë nuk them të mos botohen libra të tillë. Ai që do ta blejë, le ta blejë. Të mbajë në shtëpi të tij edhe Enver Hoxhën, edhe kë të dojë. Por publikisht jo, se ai është kriminel. Ai s’mund të jetë në librat shkollorë, ta lexojnë fëmijët. Nëse u jep “Dimrin e madh” nxënësve të shkollave, duhet t’u

japësh edhe “Mein Kampf” të Hitlerit. Me një fjalë, duhet të ndahemi një herë mirë me të kaluarën. Prandaj nuk mund të kërkohet vlerësim për letërsinë, pa kaluar në literaritet, duke u çveshur dhe nga komplekset. Të hiqet politika nga letërsia, të vlerësohet si art brenda kufijve të literaritetit, brenda kufijve të artit. Atëherë mund të flasim..”.

Në një intervistë të dhënë në gazetën “Metropol”, duke folur për këtë çështje, ai është shprehur: “Të parin që duhet të gënjejë artisti është vetja e tij. Po nuk arriti të gënjejë veten e tij, nuk mund të kalojë te të tjerët. Del artificiale letërsia e shkruar në shërbim të këtij apo atij. Letërsia e shërbesës nuk është letërsi. Vepra letrare qëndron vetëm në ato raste kur ai që shkruan është totalisht i sinqertë, kur vet autori nuk ka asnjë lëkundje për vërtetësinë e asaj që shkruan…Mendohet se të gjithë kanë të drejtë të botojnë çfarë të duan, por programi i shkollave duhet të shihet me kujdes, për të përcjellë si vlera ato që janë vërtet të tilla…”.

Duke shprehur keqardhjen për gjendjen aktuale të nivelit të librave që vihen në dispozicion të shkollave, Trebeshina tërhiqte vemendjen për më shumë kujdes. Vendi i veprave të realizmit socialist duhet të jetë diku tjetër, tek ata që e kanë mendjen te to, “të mendojnë për këto vepra, e kur të mbyllin derën e shtëpisë, le të qajnë fshehurazi. Tani për tani, nëpërmjet mbështetësve të tyre le të sigurojnë para, për të ngrënë dhe për të pirë…”.

A do të botohet vepra e Trebeshinës?

Gjatë kohës që Trebeshina ishte gjallë, nuk u mundësua botimi i veprës së tij. Unë besoj se ëjstë në nderin e Ministrisë së Kukturës që të marrë një nismë për botimin e saj, pasi mendoj që ka vlerë për lexuesin shqiptar. Nuk u bë asnjë përçapje për ndihmën e shkrimtarëve të burgosur, kur në vendet e Evropës Lindore, për gjithë dramaturgët, u organizuan festivale teatrale, në mënyrë që dramaturgët e dënuar të integroheshin në shoqëri duke shfaqur veprat e tyre. Në Shqipëri, jo vetëm që këtë nuk duan ta bëjnë, por atje nuk hyn dot në teatër. E gjen derën të mbyllur. Trebeshina pohonte se ishte dramaturg me 76 drama dhe nuk i qe kërkuar ende asnjë nga teatri i Tiranës. “Gjithmonë kam qenë i sabotuar, – thoshte ai. – Në Shqipëri disidentët konsiderohen si kundërshtarë, si njerëz që kanë dëmtuar regjimin. Në fshehtësi kanë një urrejtje të tmerrshme për njerëzit që kanë qenë në burg dhe as që duan t’i rehabilitojnë. Kur më pyetën në Francë në vitin 1992 nëse shpresoja që vepra të më botohej në Shqipëri, unë kam thënë: “Jo, nuk shpresoj, se në Shqipëri vazhdon akoma regjimi komunist”. Jetoj ende në një shtet armik. Në një shtet që më lufton orë e çast. Unë kam 80 vjet. Mosha 80 – vjeçare nuk është as vlerë as ndonjë meritë. Mund të bëhet vlerësimi i veprës psh, 70 – vjetori i krijimtarisë sime dhe të botohet vepra komplet, në qoftë se e meritoj. Nëse nuk e meritoj, atëherë të mos botohet. Unë dua të botohem në qoftë se e meritoj të botohem”. Tashmë jemi në 70 vjetorin e veprës së tij, ndonëse shkrimet i ka nisur më herët, ndaj le ta botojmë atë dhe lexuesi të jap gjykimin e tij. Mbase pajtohet me këtë mendim edhe kryeministri Rama. Atëherë marrin jetë dhe vargjet e tij testament.

Kur s’dini tjetër çfar’ të bëni

Arnoni bukur kohën tuaj!…

Për ju nuk dua të dëgjoj,

gjithnjë mes jush do jem i huaj!

Unë s’rroj një koh’…Tej kohëve nisem

Gjer ku s’do mbahen më shënime!….

Për monument nuk kam nevojë

Se monument ësht’ vepra ime!