Paskal Milo: Të zhbëhet Parlamenti, ja në cilin vit i ka rrënjët...

Paskal Milo: Të zhbëhet Parlamenti, ja në cilin vit i ka rrënjët kjo krizë

348
0

Politikani Paskal Milo, i ftuar në “360 Gradë” në Ora News, tha se kriza aktuale politike i ka rrënjët tek ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. “Sigurisht nuk them ndonjë gjë të re po të përsëris që është e paprecedentë, por para se të them se është e paprecedentë, këtë fenomen e kanë gatuar dy partitë e mëdha politike me ndryshimet dramatike që i bënë Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor të vitit 2008. Kjo është shfaqja më tipike e atyre ndryshimeve të paprecedenta dhe që prodhojnë sot situata të paprecedenta. Nëse PS dhe PD duhet të japin zgjidhje afatgjatë dhe të mos riciklojnë kriza të tmerrshme duhet t’i kthehen asaj nate të gjatë të prillit të vitit 2008, ku si dele përjashto 7 deputetë votuan kokulur”, u shpreh Milo. Ish-ministri i Jashtëm tha se ky Parlament duhet të zhbëhet përmes zgjedhjeve të lira dhe një sistemi tjetër zgjedhor. “Parlamenti shqiptar sot de jure është legjitim, por de facto është i përçudnuar. Ata deputetë që kanë pranuar të shkojnë atje në emër të legjitimitetit, në brendësi të ndërgjegjes së tyre ndihen jo komod përballë një opinioni që gjithmonë e më shumë po krijohet bindja se sa më shpejt të gjendet zgjidhja, aq më mirë është për Shqipërinë. Një Parlament i tillë me një përbërje të tillë duhet të zhbëhet përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me një sistem tjetër dhe me një ligj tjetër, nëse mendojmë për Shqipërinë”, deklaroi Paskal Milo.