Partia e re? Kjo është ftesa e Bashës për Topallin, Boden e...

Partia e re? Kjo është ftesa e Bashës për Topallin, Boden e Patozin

443
0

Lulzim Basha ka komentuar për herë të parë, atë që quhet si levizje politike brenda PD nga Topalli, Bode dhe Patozi. Ky i fundit, deklaroi tre ditë më parë se nuk do ta presë më Bashën dhe po nis punën për parti të re. Në një dalje për mediat për aferen e inceneratorëve, Basha iu përgjigj interesimit të medias për atë ç’ka po ndodh në PD. Ai tha se të gjithë janë të ftuar të kontribuojnë në parti. Por nga ana tjetër, theksoi se sulmet në kafene ndaj kryetarit nuk vlejnë dhe janë të pabaza.

 

News 24: Z. Basha. Për largimin e Edi Ramës, që ju thoni se ka futur drogën në ekonomi dhe po pastron paratë e drogës, do të ishte më e nevojshme nga ana juaj që të bënit një përpjekje reale për të bashkuar partinë? Disa ditë më parë, disa eksponentë të lartë kanë paralajmëruar krijimin e një partie të re. A po rrezikohet në këtë mënyrë përçarja e Partisë Demokratike?

 

Basha: E para, dua t’ju them se, Partia Demokratike sapo ka përfunduar proçesin e analizës dhe po bëhet gati të hedhë hapin përfundimtar drejt ndërtimit dhe riorganizimit të partisë. E dyta, dua të them që është e drejtë e çdokujt të bëjë zgjedhjen e tij politike. Absolutisht e çdokujt. Pretendimi se propozimet nuk janë shqyrtuar nga kryetari, janë pretekst. Nuk është kryetari ai që shqyrton propozimet, janë forumet, është Kuvendi i partisë. Kryetari as nuk shqyrton, as miraton, as nuk hedh poshtë, por kryetari vetë propozon dhe ka vizionin e tij për ndërtimin, fuqizimin e punës në Partinë Demokratike. Ndaj çdokush është i ftuar, gjatë gjithë proçesit të analizës që ka marrë pjesë dhe do të vazhdojë të ketë hapësirën të japë propozimet për fuqizimin dhe mënyrën e organizimit të aksionit tonë politik dhe Partisë Demokratike. Sulmet ndaj kryetarit nuk janë ide politike. As sulmet ndaj Partisë Demokratike në media, nuk i shërbejnë demokratëve, të cilët përballen ditë për ditë me krimin në pushtet, me revanshin e drogës, me varfërinë, me papunësinë, me largimin abuziv nga puna, me largimin nga skemat e ndihmës ekonomike. Partia Demokratike dhe demokratët kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë kundër krimit, kundër drogës dhe kundër kapjes së politikës nga krimi dhe droga dhe kjo është një kauzë që do t’i bashkojë të gjithë demokratët pa dallim. Kështu që në këtë kuadër nuk mendoj se vlejnë, as sulmet personale nga kafenetë, as deklaratat e pabazuara. Unë i bëj ftesë çdokujt që bashkohet rreth këtyre vlerave dhe kjo për mua është themelore. Lufta kundër krimit, dekriminalizimi, si një luftë që e kemi nisur, distancimi nga personat me rekorde kriminale bashkëpunëtorë dhe autorë të trafikut të drogës dhe unë ftoj këdo që bashkohet rreth këtyre vlerave, dhe të bashkohet rreth këtyre vlerave, në një proçes të hapur modern dhe europian, nga e cila Partia Demokratike do të ndërtojë alternativën jo thjesht të pushtetit për nesër, por alternativën e një transformimi të madh politik dhe pastaj ekonomik të vendit. Një transformim të madh politik të vendit. 28 vjet pasi është krijuar Partia Demokratike dhe pasi ka përmbushur shumë misione të rëndësishme kombëtare, tani i takon dhe do të kryejë një tjetër mision për ta sjellë politikën shqiptare në nivelin e standardit europian.

 

Top Channel: Kur do të mblidhet Kuvendi Kombëtar z.Basha?

 

Basha: Në pranverë do të mblidhet Kuvendi Kombëtar dhe pa dyshim, ashtu sikundër proçesit të analizës edhe gjatë këtij proçesi çdokush që dëshiron, do të ketë hapësirën për propozime.

 

Vizion plus: Ju e keni përgjegjësinë për ta bashkuar partinë. Do t’i ftoni në takim, do t’i ftoni për të konkuruar në forume, do t’i ftoni për të qenë pjesë e partisë. Si do ta bashkoni ju partinë? Kjo është përgjegjësia juaj.

 

Basha: Falemnderit për pyetjen. Unë i di shumë mirë përgjegjësitë e mia dhe unë besoj se çdo demokrat nuk pret që proçesi i bashkimit të partisë do të jetë një proçes negociatash personale të kryetarit, por të jetë krijimi i një hapësire, ku çdokush që ndan këto vlera dhe që është gati të kontribuojë, pavarësisht nëse ka 27 vite që kontribuon, apo do të vijë sot në këtë parti popullore, që i bashkon liria, demokracia dhe Shqipëria, si gjithë Europa, të ketë mundësi që zëri i tij apo i saj të dëgjohet. Unë vetë e kam shpallur vizionin tim dhe vizioni im është që kjo është një parti e anëtarëve, jo i kryetarit, as e nënkryetarëve, as e drejtuesve, as e ish-drejtuesve, kjo është një parti e anëtarëve dhe kemi punë për të bërë që të kthehet vendimmarrja plotësisht tek anëtarët. Ky është qëllimi im, është propozimi im, që unë, sikundër çdokush tjetër që ka propozime, do t’ja parashtroj forumit vendimmarrës për ndërtimin, për organizimin e Partisë Demokratike, që është Kuvendi i Partisë Demokratike. Dhe të njëjtën ftesë kam pa asnjë paragjykim. E vetmja ftesë është, distancim total nga personat me rekorde kriminale dhe përqafimi i kauzave të drejta që kemi luftuar për shqiptarët, jo për veten apo pushtetin tonë; dekriminalizimi, lufta kundër krimit, lufta kundër drogës dhe çlirimin e ekonomisë nga monopolet.