Parimi i balancës së të drejtave dhe detyrimeve në vend të tërheqjes...

Parimi i balancës së të drejtave dhe detyrimeve në vend të tërheqjes nga aplikimi i të drejtave/ Nga Dr. Margarita Kola

618
0

Vetëm prej mediave në mungesë të një transparencë të plotë paraprake për publikun, shqiptarët u vunë në dijeni se shteti shqiptar në bazë të një hapësire për tërheqje që lejon Konventa ka vendosur të tërhiqet përkohësisht nga nenet 8 dhe 11 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut; nenet 1 dhe 2 të Protokollit Shtesë të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të njeriut dhe Lirive Themelore dhe nenit 2 të Protokollit Nr.4 të Konventës për Mbrojtien e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore e njohur ndryshe si Konventa Europiane e të drejtave të Njeriut.

 

Me anë të një note verbale të dërguar pranë Këshillit të Evropës, Qeveria Shqipëtare ka kërkuar tërheqjen dhe e ka arsyetuar këtë veprim me shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore e cila ka sjellë kufizime në liri dhe të drejta themelore të njeriut lidhur me lëvizjen, proçesin arsimor si dhe të drejtën e pronës.

Në vitin 1996 me LIGJIN Nr.8137, datë 31.7.1996 “PËR RATIFIKIMIN E KONVENTËS EVROPIANE PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE TË NJERIUT DHE LIRIVE THEMELORE” Kuvendi I Shqipërisë vendosi ratifikimin e Konventës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore si edhe Protokollove Shtesë Nr.1, Nr.2, Nr.4, Nr.7 dhe Nr.11 të Konventës përkatëse.

 

Kjo do të thotë që në bazë të parimit të reciprocitetit dhe referuar nenit 25 të Konventës evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, njihet kompetenca e Komisionit Evropian të të Drejtave të Njeriut për të pranuar peticione nga çdo person, organizatë jo qeveritare apo grup personash, që pretendojnë të jenë viktima të një shkelje të të drejtave të garantuara në Konventë si dhe në Protokollet Shtesë Nr.1, Nr.2, Nr.4 dhe Nr.7, Nr.11për rastet kur shkelja e të drejtave të garantuara në këto dokumente ka ndodhur në Republikën e Shqipërisë dhe për më tepër referuar nenit 46 po të kësaj Konvente, njihet juridiksioni I Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për interpretimin dhe zbatimin e Konventës si dhe të Protokolleve Shtesë të Konventës.

 

 

Por përpara se të analizojmë avantazhet dhe disavantazhet e një tërheqje të tillë le të sqarojmë për lexuesin jo-jurist se me çfarë kanë të bëjnë nenet 8 dhe 11 te Konventës Europiane të të drejtave të njeriut si dhe nenet përkatëse të protokolleve.

Neni 8 I Konventës sanksionon të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare dhe konkretisht në paragrafin 1 citon se “ Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij” duke vazhduar në paragrafin 2 me citimin se “Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve”.

 

Ndërsa Neni 11 I Konventës sanksionon Lirinë e tubimit dhe të organizimit dhe strukturalisht si në shumicën e neneve të kësaj Konvente në paragrafin e parë citohen materia e së drejtës dhe në paragrafin e dytë përcaktohen mënyrat e sigurimit të ushtrimit të së drejtës. Sipas këtij Neni 1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së tubimit paqësor dhe të organizimit me të tjerët, duke përfshirë të drejtën e themelimit me të tjerë të sindikatave dhe të pjesëmarrjes në to për mbrojtjen e interesave të tij dhe 2. Ushtrimi i këtyre të drejtave nuk mund t’u nënshtrohet kufizimeve të tjera përveç atyre që parashikohen me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve. Ky nen nuk ndalon kufizime të ligjshme të ushtrimit të këtyre të drejtave nga pjesëtarë të forcave të armatosura, të policisë ose të administratës shtetërore.

Ndërsa përkatësisht Nenet 1 dhe 2 të protokollit shtesë të Konventës kanë të bëjnë me të drejtat e pronës dhe arsimit dhe Neni 2 i Protokollit 4 me të drejtën e lëvizjes.

 

Pra siç shihet në frymën e Konventës si garantuese e të drejtave dhe lirive themelore flitet edhe për kufizim të drejtash të lidhura me situata specifike kur interesi publik dhe ruajtja e tij dikton kufizime të drejtash por gjithmonë kufizime të ligjshme tdhe vetëm të këtyre të drejtave.

 

Siç edhe kam shkruar në një shkrim të disa ditëve mëparë gjithashtu Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenet 15 dhe 17 nënvizon se organet e pushtetit në përmbushje të detyrave të tyre duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve por edhe duhet të kontribuojnë në realizimin e tyre ; këto liri dhe të drejta mund të kufizohen vetëm me ligj për shkak të interesit publik;kufizimi i tyre duhet të jetë në përpjestim me gjëndjen që e ka diktuar dhe në asnjë moment nuk mund të tejkaloj as kufizimet e përcaktuara nga Konventa Europiane e të drejtave të Njeriut dhe as te cënoj thelbin e këtyre të drejtave themelore.

 

Thënë kjo natyrshëm lind pyetja;po përse kur vetë Konventa dhe Kushtetuta njeh konceptimin e kufizimit ligjor të të drejtave në situata të caktuara u dashërka të kërkojmë tërheqjen qoftë edhe të përkohshme nga të drejtat e saksionuara nga Neni 8 dhe 11 i Konventës me arsyetimin se të drejtat dhe liritë janë kufizuar për shkak të një situate të caktuar si COVID19?

Nuk kanë qënë të shumtë juristët që janë prononcuar në debatin e tërheqjes së Shqipërisë nga nene të caktuara të Konventës por edhe ata që janë përfshirë janë mjaftuar vetëm me shpjegimin që Konventa lejon mekanizmin e tërheqjes së përkohshme nga një e drejtë sepse sipas tyre kjo lidhet me derogimin e së drejtës pa analizuar nëse kjo tërheqje së pari, a ishte e domosdoshme në situatën e krijuar dhe së dyti, çfarë pasojash ka mbi qytetarin shqiptar në kushtet konkrete kur aplikohet.

 

Tërheqja nga një e drejtë nuk rrjedh nga derogimi dhe as nuk është e njëjtë më derogimin e së drejtës. Ndërsa derogimi është kufizim i ligjshëm i së drejtës dhe nënkupton zbatimin e parimit të balancimit të të drejtave dhe detyrimeve pra të kufizojmë në mënyrë të ligjshme disa të drejta për ti zëvendësuar me disa detyrime të cilat këto të fundit përkthehen në të drejta të tjera prevaluese për interesin publik ku përfshhet dhe vetë individi të cilit ju kufizuan disa të drejta individuale duke krijuar kështu një balancë të drejtash dhe detyrimesh të reja sipas situatës së re të krijuar.Tërheqja nga një e drejtë përkundrazi nuk krijon një balancë të drejtash dhe nuk ka pse rrjedh nga derogimi sepse derogimi vetë është i lejuar nga Konventa sipas Nenit 15 në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme siç janë rastet e luftës ose rreziku tjetër publik që i kanoset jetës së shoqërisë, ku çdo shteti që është palë kontraktuese e konventës i lejohet të marrë masa që iu shmangen detyrimeve të parashikuara nga kjo Konventë, veçse në shkallën më të vogël që e kërkon situata, me kusht që këto masa të mos jenë të papajtueshme me detyrimet e tjera sipas të drejtës ndërkombëtare duke mos lejuar asnjë shmangie nga Neni 2 ( e drejta e jetës) dhe e shoqëruar kjo me detyrimin e shprehur në paragrafin 3 të këtij Neni që çdo Palë Kontraktuese, që ushtron këtë të drejtë derogimi, mban plotësisht të informuar Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës për të gjitha masat e marra dhe arsyet pse ato janë marrë. Gjithashtu, ajo duhet të informojë Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës për datën në të cilën këto masa kanë humbur fuqinë dhe dispozitat e Konventës vihen sërish në zbatim të plotë. Në interpretim të këtij paragrafi tërheqja gjithashtu nuk është informim mbi derogimin por është mosnjohje e fuqisë detyruese që kanë nenet përkatëse mbi shtetin që normalisht do të lindnin si detyrime në kushtet kur shteti i kishte pranuar këto detyrime. Tërheqja është një mekanizëm i lejuar dhe buron jo nga derogimi por nga shtrati ku operon e drejta ndërkombëtare deri tani që ka të bëj me natyrën e saj jo detyruese për aq kohë sa shtetet nuk zgjedhin të njohin detyrimet për shkak të aplikimt të një sovraniteti të gjërë të shteteve sot për sot në raport me normat,traktatet dhe konventat ndërkombëtare.Tërheqja nga një e drejtë sjell si pasojë që nuk ka vend të flitet për interpretim të kësaj të drejtë të shkelur nga shteti që tërhiqet nëpërmjet Gjykatës së Strasburgut.

 

E thënë më thjeshtë nëse për shkeljen e këtyre neneve ndaj të cilëve është kryer tërheqja do të ngrihej një padi ndaj shtetit shqiptar në gjykatën e Strasburgut atëherë padia ka shumë gjasa mos të pranohet fare për shqyrtim sepse shteti ka shpallur tërheqje për këto të drejta pra nuk e njeh fuqinë e konventës për këto nene pra si rrjedhoj detyrimin për të garantuar të drejtat specifike materializuar në këto nene dhe si rezultat as të drejtën e interpretimit të këtyre të drejtave nga gjykata e Strasburgut ose në rastin më të mirë nëse pranohej të shqyrtohej një padi e tillë atëherë fitimi i një rasti të tillë bëhej ekstremalisht i vështirë për kërkuesin.Në kushtet e derogimit pra aplikimit të kufizimit jo të tërheqjes kjo padi ngrihet me kushte shumë më të favorshme për tu pranuar por përsëri me një barrë prove të vështirë por gjithsesi më të lehtësuar krahasimisht për kërkuesin.Pra në kushtet e tërheqjes e drejta e ngritjes së padisë në gjykatën e Strasburgut de jure mund të thuhet që egziston por de facto është e pothuajse e pamundur. Pra kësisoj një garant më pak për të drejtat themelore të qytetarit.

 

Pra kjo bene të qartë një prej arsyejeve por jo të vetmen përse qeveria shqiptare zgjodhi të tërhiqet nga disa Nene te Konventes dhe protokolleve te Konventës. Pra tërheqja mbron shtetin nga mundësia e humbjes së rasteve ligjore që mund të shqyrtohen nga Gjykata e Strasburgut kur në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese në vend fluksi i rasteve të tilla do të kishte si drejtim vetëm këtë gjykate.Pra, edhe njëherë në kushtet e mungesës së gykatës kushtetuese në vend një pamundësim de facto i padive të tilla për tu ngritur në Gjykatën e Strasburgut është mbrojtja më e mirë për qeverinë por pozicioni më disavantazhues për qytetarin.Nuk ka asnjë garant të vetëm për qytetarin në këto kushte.

 

Në vijim të analizës së mësipërme nëse qeveria do të kishte kufizuar në mënyrë të ligjshme pra kishte deroguar në mënyrë të ligjshme të drejtat sipas parashikimeve të Nenit 15 të Konventës dhe neneve 15 edhe 17 të Kushtetutës nuk do të kishte asnjë interes dhe arsye të përdorte mekanizmin e tërheqjes por atë të balancimit të të drejtave dhe detyrimeve.Kjo ngre dyshimin e arsyeshëm se masat e kufizimit të të drejtave dhe lirive ose nuk janë proporcionale dhe sipas përcaktimeve kushtetuese gjasa kjo ta nxjerr shtetin zbuluar në kushtet e mungesës së albitrit kushtetues dhe qeveria shpejt vendosi të veshi xhaketën antiplumb kur u ndje e kërcënuar nga opinioni publik (kujtojmë faljen e gjobave të qytetarëve të cilët nuk respektuan masat e ndalim qarkullimt)ose në kushtet ku i vetmi garant ngelet gjykata kushtetuese e cila mungon për qytetarët shqiptar nëpërmjet tërheqjes i jep legjitimet të plotë vetes të marr masa të tjera dispropocionale dhe jo të ligjshme nën pretekstin e tërheqjes. Përpos arsyejeve të mësipërme asnjë shkak tjetër nuk konsiston as në dukje dhe as në thellësinë e argumentit ta bënte të nevojshëm rradhitjen e Shqipërisë në linjën e shteteve si Armenia, Gjeorgjia, dhe Moldavia të cilat kanë kërkuar tërheqje nga nene të caktuara të Konventës.

 

Nuk është e rastësishme që vendet me demokraci të zhvilluar nuk kanë paraqitur kërkesa për tërheqje nga detyrimet që kanë nga Konventa por kanë implemetuar derogimin brënda hapësirave kushtetuese dhe në interpretim të nenit 15 të Konventës edhe pse janë në të njëjtat kushte pandemie se Shqipëria për të mos thënë më keq. A thua këto shtete nuk ndihen të detyruara të informojnë Këshillin e Europës për masat kufizuese që kanë marr të cilat afektojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve të tyre?Kurrsesi balancimi i të drejtave dhe detyrimeve që kanë zgjedhur këto shtete nuk ka si të garantoj mëpak të drejta për qytetarët e tyre se sa tërheqja ose shuarja e së drejtës siç ka zgjedhur të aplikoj shteti shqiptar për qytetarët e tij.

 

Këtu gjithashtu lind një interes për debat doktrinar dhe në lidhje me nayrën e të drejtave nga e cila qeveria ka kërkuar të tërhiqet.Përse kur shteti shqipëtar zgjedh të tërhiqet nga Neni 2 i Protokollit 4 të Konventës pra nga e drejta e lëvizjes nuk ka asnjë arsye të kërkoj tërheqjen specifikisht gjithashtu dhe në të njëjtën kohë të së drejtës së Lirisë së tubimit dhe të organizimit pra largimin e saj nga detyrimi për të garantuar një të drejtë të tillë kur në fakt realisht është kufizuar e drejta e lëvizjes ose në një interpretim alogaritmik të tërthortë për se qënka e diktueshme nga situata ndalimi i tubimeve dhe organizimeve nëse tubimet jo domosdoshmërisht mund të zhvillohen në mënyrë të tillë që të kërkojnë angazhim fizik të protestuesve? A nuk është kjo një masë disproporcionale në kushtet e mungesës së gjykatës Kushtetuese në vend dhe të pothuajse pamundësisë së drejtimit në Gjykatën e Strasburgut ti shtohet qytetarëve edhe ndalimi i së drejtës së tubimit ose organizimit kur kjo mund të mos bjeri ndesh me lirinë e lëvizjes ose distancimin social? Nëse nuk ka arbitër që të “protestoj” nëpërmjet garantimit të ligjshmësirë për qytetarin dhe nëse ai vetë nuk ka mundësi tjetër për vec mohimit të së drejtës për tubim çfarë garancie tjetër i ngelet vec garantit hyjnor? Për mua kjo është ta vendosësh qytetarin në pozitat e fatalizmit pra garancitë e tij mbi ushtrimin e të drejtave të mbahen në fijen humorit të qeverisësit. A ka rrezik infektimi nga virusi i tubimeve apo virusi vdes tubimet?

 

Pa pretenduar të bëj politikanin të cilin se kam as profesion dhe as vokacion të brëndshëm, më ngelet të them se nëse, tërheqjes së Shqiperisë përkohësisht nga disa Nene të Konventës Europiane të të Drejtave dhe Lirive themelore te Njeriut dhe protokolleve të saj do ti shtohej edhe ndonjë pezullim i neneve të Kushtetutës që po e përflet media në këto 12 orët e fundit se mund të kërkohet nga qeveria (të cilën e shoh si të pamundur të ndodh dhe uroj kurrë mos të ndodh) atëherë do të jemi në kushtet e një monarkie pothuajse absolute me një “asamble(parlament)” jo kushtetuese, me një opozitë të mekur dhe një president që në kushtet e pandemisë nuk di pse i është ngjirur zëri dhe loja feudal -pleybej të luhet në skenë reale.

 

Tani ,barra e provës i ngelet qeverisë të na provoj se e kundërta është e vërtetë dhe këtë nuk e provon dot për aq kohë sa nuk jep prova me substancë provueshmërie se përse zgjodhi “në të mirë të qytetarëve shqiptarë”tërheqjen nga disa të drejta në vend të derogimit të ligjshëm sipas parimit të balancimit të të drejave dhe detyrimeve.

 

Kush mendon se liritë dhe të drejtat themelore janë cështje juristësh për tu diskutuar në fakt nuk e di se sa afër moslirisë ndodhet.

 

©Dr.Margarita Kola 21 Prill,2020