Parathënie për vëllimin poetik “Ruaju harrimit”, me autor Qazim Thaçi

Parathënie për vëllimin poetik “Ruaju harrimit”, me autor Qazim Thaçi

77
0

Nga Bardhul TODA, Elbasan

 

Me krijimtarinë e z. Qazim Thaçi, u njoha falë dashamirësisë dhe besimit të mikut, të intelektualit dhe të të përkushtuarit të fjalës së shkruar, z. Gëzim Ajgeraj.

Propozimi që mora nga autori, përmes mikut të zemrës Ajgeraj, është një vlerësim që më emocionoi, por më tepër se kaq, është përgjegjësi për atë çka të besohet të bësh në një krijimtari letrare.

Një shprehje e vjetër thotë: “E panjohura është e frikshme!”

Pikërisht, përgjegjësia që mora kishte lidhje me këtë shprehje, pasi për fatin tim jo të mirë, nuk e kam pasur rastin më parë të njihesha si lexues me krijimtarinë e z. Thaçi.

Ajo që vjen më pas në mposhtjen e ngurrimit ndaj të panjohurës, ishte vetë krijimtaria në fjalë, që të çliron dhe të pështjell brenda vargjeve, ku bota e brendshme e krijuesit ka shkrirë çdo ndjesi dhe përjetim që e mundon dhe jo vetëm kaq.

Nuk është risi kur përsëris shprehjen: “Poezia lind nga dhimbja!”, por duhet të kemi parasysh që, sa herë kemi në dorë një krijim poetik, duhet të futemi “nën lëkurën” e autorit, për të kuptuar dhimbjen që e ka shtyrë të thurjen e vargjeve.

Kështu ndodh edhe në vëllimin poetik “Ruaju harrimit”, me autor Qazim Thaçin.

Jashtë trungut mëmë Shqipërisë, përpjekja titanike e Kosovës trime, solli arritjen e fitores së madhe të lirisë, dhe tashmë ajo është shtet i pavarur.

Fitoret janë meritë e gjerë popullore, ndaj dhe kombi ynë është ende në këmbë dhe i fortë, pikërisht nga bazamenti i tij atdhetar.

Fatkeqësisht, jo të gjithë janë pjesë organike e shpirtit të sinqertë të një populli. Pas lufte, duket sikur ideali i fitores zbehet, dhe disa syresh, nisin “gjuetinë” personale të përfitimeve. Një dukuri kjo, jo e panjohur në fazat që ka kaluar Shqipëria pas shpalljes së pavarësisë, dhe e përsëritur turpshëm pas viteve ‘1990, me ndryshimin politik nga një partiak në atë shumë partiak, e thënë ndryshe sistem demokratik, edhe pse jemi shumë larg kësaj fjale të madhe.

Në vargjet e dhimbjes së Qazim Thaçit, kjo dukuri që jo më kot e përmenda, është një nga brengat e tij, që plagën shpirtërore nuk ia kurojnë, por ia thellojnë autorit.

Brenga e këtij “mallkimi” që na vjen nga njerëzit dhe jo nga zoti, krijuesi Thaçi e shpalos edhe në poezi sentimentale siç është ajo me titull: “Për ty, për poezinë”, e cila nis me vargun: “Kur poezia dhe Albana kanë ditëlindjen,…”, dhe e mbyll me dy vargje të thjeshtë në lexim, por të thellë dhe të vërtetë për atë që ndodh rëndom:

“Kjo botë thellë brenda vetes ka shumë dashuri,

por, në vend të saj, më tepër derdh helm dhe pabesi…”

Prirja negative e disa njerëzve për të bërë të keqen në vend të së mirës, ka sjellë në përditshmërinë tonë realitetin e hidhur: “Anormalja të trajtohet si normale, dhe normalja të jetë vetë anormalja”.

Në këtë linjë janë edhe vargjet e poezisë me titull: “Përtej bregut të pikëllimit”:

“A thua bijtë tanë e matin veten me kohën e harrimit,

Apo koha e trëndafilave të egër, ua vret sot besimin?!”

 

Në orvatjen e tij brenda dhimbjes, poeti kërkon të zgjojë dhe të kujtojë tek të gjallët brezat që nuk u shuan dhe shkruan epokë për kombin. Me një titull thirrës në vetvete, poezia: “Kudo të jemi”, ka nxjerrë nga mendja e autorit vargjet:

“Kalërojmë ndër brezni për të dëshmuar traditën e besës,

që të sotmit, e harruan…”,

 

duke e mbyllur me thirrjen e drejtpërdrejtë:

“Në çdo skutë të shpirtit për besën ndaj Atdheut,

Kudo të jemi, amanet e patëm, amanet do ta lemë!…”

Në këtë nënkuptim të thellë krijues, në sfondin e mendjes përsëritet historia e kohëve të vështira, e kohëve kur përgjumja ndaj atdheut krijonte dhe braktisje të nevojave të tij. Në këtë sfond përfytyrues që të ndërton poeti, sheh që në thellësi të së shkuarës të shfaqet Fishta, Mjeda, Pashko Vasa me Vëllezërit Frashëri, dhe pse jo, tërë Rilindësit tanë të pavdekshëm, me thirrjet e tyre për zgjimin ndaj çështjes kombëtare, të traditave dhe me kryefjalën shqiptare, besën.

Pikërisht, realitetin e sotëm autori e sheh deri diku si kohën e kolerës, për plagën e re që është hapur pas luftës, atë të ikjes në kurbet të të rinjve, ndërsa më shumë se kurrë, kjo forcë e madhe për të ardhmen e shtetit të Kosovës dhe kombit të shqiptarëve, duhet të punojë dhe jetojë në trojet e veta, për rimëkëmbjen e vendit.

Në këtë mërzi që shfaqet dukshëm prej tij, brenda kësaj ikje, autori i bën radiografinë shkakut të dukurisë, ndaj së cilës ajo që është trauma më e rëndë, është zhgënjimi nga “dremitja” e traditës së besës.

Në poezinë:  “Dhembje e trishtim…”, mjaftojnë edhe dy vargje për të shprehur gjithçka që mund të thuhet me dhjetëra fjalë:

“Prizreni, duket sikur vret Besën e Lidhjes, në shenjë trishtimi

Për ikjen e bijve të këtij qyteti, në heshtje, si në kohë kolere…”

 

Lundrimi në këtë vëllim poetik, është një përvojë e bukur dhe e veçantë. Edhe pse në dhjetëra krijime poetike nga autorë të ndryshëm, kjo dhimbje është e pranishme, stili krijues i autorit Qazim Thaçi, krijon risi në trajtimin e dukurisë, dhe kjo, falë përvojës dhe pjekurisë së tij krijuese, e thënë në mënyrë figurative, është një ndërtues i mirë dhe i kujdesshëm në vendosjen e tullave në muret e poezisë së tij.

Kthesat e mendimit brenda një poezie, karakteri që u jep vargjeve dhe krijimit, nuk dalin nga suaza qendrore e çështjes, duke përçuar tek lexuesi shijen e veçantë, të krijimit autokton, pa plagjiatura, duke krijuar kornizën e tij të këndvështrimit të qartë, edhe në dukuri të trajtuara gjetkë.

Kur krijuesit trajtojnë dhimbjen në krijimet e tyre, në përgjithësi vargu dhe mendimi qafojnë kahun sentimental, gjë që sjell në fokus zbutjen shpirtërore, duke humbur forcën apo rrugën e zgjidhjes.

Tek Qazim Thaçi ana sentimentale e trajtuar dhe e përpunuar artistikisht, qëndron në një tjetër nivel. Ajo nuk zbutet, nuk zbehet, por brenda vramendjes kërkon rrugë të reja për zgjidhje.

Në poezinë me titull: “Si lis i vrarë”, dhimbja e dukshme për një humbje, nuk ka mbetur jetime në mëshirë të fatit, por me guxim ajo ka bërë veprimin e duhur kur shprehet:

“Ti kaherë ke vdekur në kujtimin tim si një lis i vrarë rrufeje”

Mjafton ky varg, për të kuptuar gjithçka është thënë me pak fjalë. Për autorin veshja e të keqes me vdekjen, është zgjidhja më e mirë për ta larguar atë përfundimisht nga vetja dhe nga rruga e jetës. Një tjetër rrugë e zgjedhur dhe e përdorur me finesë nga autori, është edhe këshillimi si formë jo vetëm e duhura në komunikim, por edhe si model i bukur i sjelljes njerëzore.

Kjo hollësi është aq e pastër dhe e sinqertë në poezinë nga e cila ka marrë titullin edhe libri, pra: “Ruaju harrimit”. Që në fillim autori del i qartë në atë çfarë do të thotë në vijim me vargjet:

“Ruaju harrimit nëse nuk do të bëhesh gjethe e tharë vjeshte,

Dhe dhimbjen ta lësh pa lamtumirën e fundit!

Buzëqeshjen peng mos e lër, se, dashuria vdes edhe para kohe.

Ruaju harrimit, që porositë prindërore mos të të kthehen në pelin!

 

Në vargjet e këtij vëllimi poetik, ajo që ka një dominim të qartë në të gjitha tematikat që ka prekur autori, është sinqeriteti. Ai shprehet ashtu siç e përjeton ndjesinë shpirtërore, pa pasur drojën që mund të paragjykohet. Një nga rastet është poezia:  “Fjalën mos e kthe n’harrim!”, me vargjet:

“Vjen mëngjesi prapë në Durrës,

ditë e bukur si flori,

por unë sytë nuk mund t’i laj,

nga frika, mos më ikësh ti.”

 

Në rrëfimin e tij të sinqertë, ndryshe nga një kastë që mundohen ta fshehin dashurinë për arsye nga më të ndryshmet, Thaçi, përkundrazi është i çlirët dhe tejet i qartë në shfaqjen e saj. Po në poezinë e sipërpërmendur, vargjet nisin:

“Buzëdetit kur zbret nata,

ti më ulesh mbi qerpik,

Aq sa çmallem, aq mallohem,

Veç për ty me ata dy sy.”

 

Me butësinë e çiltër, ai e shpreh ndjenjën me një përforcim të admirueshëm dhe të ekspozuar, kur me aq domethënie flet me anë të vargut:

“Aq sa çmallem, aq mallohem”

 

Në këtë kontekst do të thosha që duhet të jetë e lumtur ajo zemër që ka rënë në ndjenjën e pastër të kësaj zemre krijuese.

Siç dhe e kam përmendur dhe më sipër, kthesat e trajtimit brenda një poezie, janë aq bukur renditur, dhe asnjë paragraf mendimi nuk mbetet jashtë pjesës tjetër, deri në mbyllje të poezisë.

Një tjetër shembull na vjen përmes poezisë me titull: “Bregut të Drinit”, e cila nis me botën e brendshme të dashurisë, me vargjet:

“Me ëndrrat luftoj ditën dhe natën,

me ëndrrat dritë-hije prej copëzash kujtimesh,

aty shoh sytë e mikes që plagët më shërojnë,

sytë e sajë dritë, që natën e ndriçojnë.”,

 

dhe pjesa tjetër ecën rrjedhshëm si më poshtë:

 

“Tej më çojnë ëndrrat, drejt nënës larguar,

mbi varrin e babait që larg shtëpisë mbeti,

në Kalanë e Cucës i rrëfej një miku,

për besën ndaj Atdheut, që im at s’e treti.

Ndanë bregut të Drinit kujtimet e kurbetit,

gjarpërojnë mendueshëm mbi valët e dritës,

aty shoh Kosovën të lodhur nga vitet,

aty shoh tradhtarët që pas shpine i vunë thikën.”

 

Këto pështjellime të forta të autorit, na japin edhe një lidhje tjetër po kaq të fortë që ai ka brenda vetes. Për të dashuria personale që e kënaq, e çlodh dhe e bën të ndjehet tjetër njeri, është po kaq e fortë edhe për dashurinë ndaj Kosovës.

 

Nëse dashuria e parë është qetësia, kjo e dyta është pikërisht dhimbja dhe pikëllimi, për atë që pritet në të vërtetë, dhe për atë çfarë ndodh në të vërtetë. Një mendim i qëndisur nga përvoja  e autorit, mund të arrijë të trajtojë dy dashuri të barabarta brenda një poezie, dy dashuri për dy qasje të ndryshme, por me peshë të barabartë për poetin.

 

Në figuracionin që përdor autori, gjetjet janë sa të goditura, aq edhe befasuese. Është vargu:

 

“Bota urbane i ngjan Nepërkës me helm modern”,

 

shkruar në poezinë: “Shtatë ditë…”, që e tejkalon pritshmërinë e krahasimit të helmit me gjithçka lidhet me më të keqen, por autori me gjetjen: “helm modern”, në të njëjtën kohë godet ashpër realitetin e përditshmërisë së hidhur ndaj popullit dhe vendit. Mjaftojnë këto dy fjalë, për t’i dhënë kuptimin e plotë asaj që ndodh fatkeqësisht, jashtë dëshirës dhe pritshmërisë. Pra “helmi modern” është gjithçkaja e katandisë që autorit i shkakton kaq shumë tronditje.

Në dhimbjen për shokun e humbur, sërish fuqia e forcës për ta përballuar brengën, mundohet të gjejë atë fije të hollë të rrezatimit kundër vdekjes. “I shtrenjti miku im” është një nga këto zgjidhje të mençura, me dozën e optimizmit në mposhtje të së keqes, ledhatuar me vargjet:

“Vepra jote është hapur nëpër kaltërsi,

Ajo tashmë lundron përtej Adriatikut,

Dhe në qiell shtrin krahët porsi një Sgalem,

I shtrenjti miku im, i tretur për Atdhe…

I trishtë mbetet  vetëm kumti i ikjes…”

 

Pikërisht vargu i fundit përcjell mesazhin e pavdekësisë: “I trishtë mbetet  vetëm kumti i ikjes…”, pra vetëm ai mbetet kob, ndërsa përtej lajmit është përjetësia, kujtimi që nuk do të shuhet kurrë, bashkë me dashurinë për shokun.

Shtrirja e vargjeve në tërësinë e vëllimit, përmban sasi të konsiderueshme poezish për atdheun, dhe për më tepër në dhimbjen e poetit, siç edhe e kam përmendur, thelbi mbetet besa, një nga virtytet tona të krenarisë kombëtare.

Në këtë vorbull të përditshmërisë që prekim çdo ditë, ky virtyt i lashtë dhe veti nga më të rrallat e kombeve në botë, autorit i dhemb fikja e saj, dhe pa dyshim, keqardhja për mënjanimin e kësaj vlere dinjitoze tashmë e larguar nga morali njerëzor, të paktën nuk ka humbur nga objektet e historisë sonë, duke e ruajtur atë besnikërisht.

Për poetin, natyra dhe stinët, cilat do qofshin ato, janë ashtu si dashuria e nënës për fëmijën. Veç të tjerash, me çiltërsinë shpirtërore që e karakterizon autorin, vjen edhe poezia: “Aromë Atdheu”, ku në pjesën e parë thuhet:

 

“Kur vjeshta zverdh gjethet,

e i përtokë mëngjeseve me erë,

edhe këto silueta, kanë aromë Atdheu.

Shtëpia e Lidhjes besnike në çdo stinë,

Ruan amanetin për vendin, për lirinë.

 

Ruan ajo besën për trojet shqiptare,

Si nëna e mirë, që përballon shumë halle.

Thërret gjëmimi i saj, dhe kujton të vdekurit,

Që vendin ta shpëtojmë nga katrahura e shekullit.”

 

Në aromën e atdheut, edhe Shtëpia e Lidhjes është ajo besnikja e përjetshme, ku siç thotë poeti: “Ruan amanetin për vendin, për lirinë.”.

Nën “lëkurën” së këtij vargu, nënkuptimi duket se nxjerr në sipërfaqe pyetjen: Po njerëzit ç’po bëjnë për besën?

Ajo që vjen si përgjigje e kësaj pyetje, është fatkeqësi e qartë që besa po humb, ndaj dhe i tërë vëllimi, këtë dhimbje e përmend në shumë raste, pavarësisht këndvështrimit apo mënyrës së temës së referuar.

 

Të nderuar lexues!

Vëllimi poetik që keni në dorë, është një vlerë e re që i shtohet fondit të madh të krijimeve poetike. Për Ju, është fat që do të keni Tuajën këtë krijimtari të autorit Qazim Thaçi, për arsye të shumta.

 

Së pari, në këtë vëllim është derdhur shpirti i një njeriu që ndjen dhimbjen për atë që nuk është e realizuar, ashtu siç ishte ëndrra e të gjithë luftëtarëve të lirisë së Kosovës, ashtu siç ishte dhe mbetet e gjallë, ëndrra e Dëshmorëve të asaj lufte, që dhanë jetën për lirinë dhe Kosovën e dëshiruar, që deri tani, mbetet dhimbje e poetit, si Kosova e pa realizuar.

 

Mbi të gjitha, nuk është e lehtë të shkruash sinqerisht për atë çfarë ndjen, dhe shumë krijues e mbushin vargun e tyre me ngarkesa të tepërta figurash letrare, dhe ca më keq, me fjalë të tepërta të pa nevojshme, gjë që në “Ruaju harrimit”, jo vetëm nuk ndodh, por vargu i thjeshtë, i pastër, pa ngarkesa të tepërta, dhe i sinqertë i autorit, është një tjetër vlerë që e pasuron jo vetëm librin, por nderon edhe vetë krijimtarinë e pasur të z. Thaçi.

 

Për më tepër, zbuloni vetë të gjitha të pathënat e tjera që nuk janë përmbledhur në parathëne, enkas për t’iu lënë Ju të gjykoni dhe të vlerësoni krijimtarinë dhe vetë autorin e nderuar, poetin Qazim Thaçi.

 

Duke Ju falënderuar, Ju uroj lexim të këndshëm!

 

Me respekt dhe mirënjohje

 

Bardhul TODA, Elbasan