Nuk emëroi kandidatin e dytë të Kushtetueses, Meta-deputetëve: Gjeni pesë minuta kohë...

Nuk emëroi kandidatin e dytë të Kushtetueses, Meta-deputetëve: Gjeni pesë minuta kohë të lexoni nenin….

335
0

Presidenti Ilir Meta këtë mëngjes ka reaguar sërish për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në seancën e sotme parlamenmtare.

Ndonëse vetë refuzoi të emërojë anëtarin e dytë, presidenti i bën thirrje deputetëve të tregojnë përgjegjshmëri dhe të gjejnë 5 minuta kohë të lexojnë nenin 179 dhe të veprojnë pa humbur kohë.

Kreu i Shtetit ka publikuar një foto nga momenti kur është betuar si president.

Reagimi i Metës në Facebook:

Të nderuar deputetë,

Sot është një ditë tepër e rëndësishme për të treguar përgjegjshmëri për të ardhmen europiane të Shqipërisë!

Ju e dini që krijimi i Gjykatës Kushtetuese është një nga nëntë kushtet kryesore të Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Kushtetuta e ka përcaktuar qartë radhën se si kryhen emërimet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese!

Presidenti i Republikës e zgjodhi anëtarin e parë të saj menjëherë !

Tani është radha e Kuvendit të zgjedhë anëtarin e dytë, edhe pse me vonesë!

Presidenti po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe do të shprehet menjëherë brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë sapo Kuvendi të ketë shprehur vullnetin e tij.

Ndaj ju lutem, gjeni pesë minuta kohë, lexoni nenin 179, pika 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenin 86 pika 4/a/c të ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe veproni pa humbur kohë!

Sa për marifetet e individëve të verbër partiakë të sistemit të drejtësisë dhe botimet kontrabandë në Fletoren Zyrtare, do t’i zbardhim për ju dhe publikun pak më vonë, bashkë me mbledhjet e pazbardhura të KED!!!

Përshëndetje nga Forumi i Paqes në Paris!