NUK E DI SE NGA KE ARDHUR E KU DO SHKOSH/ Nga...

NUK E DI SE NGA KE ARDHUR E KU DO SHKOSH/ Nga Shtjefën Mëshkalla

1399
0

As mos bëj përpjekje të gjesh se kush jam. As mos më kërko në listën e miqve, atje ku shkruan pa të marrë vesh se çfarë do të thuash dhe kudo të mbërrish. Shkurt, as të kam dhe as më ke mik. Më mirë kështu, se dhe kaq larg, sa je fare i padukshem, thuajse sa një plesht, që të bie ndër mend vetëm kur të pickon e kruhesh, se ndryshe nuk durohesh, e jo të të lexosh deri në fund! Thjesht jam një lexues, i cili rastësisht mori në dorë librin tënd. Më gënjeu kopertina. Ish ajo që më kujtoi disa piktura natyre andej nga vitet ’70, ku nisëm për pak kohë t’u prishnim formën dhe ngjyrat edhe pemëve, si tek i yti, ku janë të vdekura, si dheu, dhe as që u afrohen fare të vërtetave. Por si duket të shkon për shtat. Dhe më erdhi keq që e gjithë kjo katrahurë është shkruar në shqip e jo në gjermanisht. Se në të nuk ka asgjë shqiptare dhe nuk ta them nga një patriotizm i lënduar, por dhe ajo kronikë që, siç e thua edhe vetë, nuk paska qenë e tillë, edhe pse ngjarja duket se ndodh në Tiranë, s’duket se ndodh atje. Shpesh fshihet për të qenë diku tjetër, fantazi. Por jo, mor zotëri, ajo ç’shkruan nuk është për vendin tim as për ç’jetoj çdo ditë. Njerëzit, siç i përshkruan ti, nuk janë aspak ashtu!

 

  1. Arsyet

 

Shkruani të cituar: “…njerëzit s’ka të ngjarë t’i mobilizojnë shpresat e reja, revolucionare derisa mprehtësisht të ndihen të grabitur nga rrethanat në të cilat jetojnë… Një përgjigje e dhunshme, shpesh përmbysëse, ndodh atëherë kur njerëzit, të cilët kanë qenë vazhdimisht të privuar nga të mirat me vlerë dhe kushtet e jetës, i kanë bërë të mendojnë se është qeveria e tyre që do t’ua zgjidhe këtë padrejtësi, pastaj janë zhgënjyer nga kjo shpresë e rreme.”

 

  1. a) “Të ndjehen të grabitur nga rrethanat në të cilat jetojnë”! A për nj’mend e ke a t’ka xan marria. Për cilat kushte flet. Ne jena msu me na vjedh e me vjedh, mos m’a përmend se “kena ken dhe jem kaq t’vorfën”, sa nuk asht ma marre me vjedh dhe as me u shit, o lum miku! Por qysh, a nuk e ke kuptue se kshtu pat ngja nan turkun, njashtu nan Naltmadhnin, e po q’ashut edhe nan Partin’ a partit. Jo mor mik, “na nuk ndjehna t’grabitun”, se pasha buken t’grabisim vet m’a s’pari! Ç’asht kjo lvizje, “alla oksident”, se medemek me u ba si Fronca, per gjoja nji tarif studenti, kur gjysma e rinis s’ka pun e paret xhirojne pa na prek, e rrugt prishen sa jane ndertu, si me ken Rozafa. Lvizje me pushime dimnore! Hajt mor ….

 

  1. b) “pastaj janë zhgënjyer nga kjo shpresë e rreme.” O djalo, nuk e di a e ke mësuar, se ç’shkollë ke mbaruar apo e ke blerë të shkretën, se politikën nuk e kemi ba kurrë ne shqiptarët, por të mëdhenjtë, biro! Që kur na coptuan dhe ndanë u ngritëm të biem të zhgënjyer, s’dinim me kë dhe nga kush, u rrëzuam, u qetësuam dhe vamë tëhu për të mbetur siç qemë. Aq sa u ngrit dhe Haxhi Qamili me myftiun e Tiranës, lëvizja e popullit fshatar, vranë e varën, të ktheheshim tek Turqia, se ishim më mirë me të dhe nën të. Për ç’zhgënjim e ke fjalën? Po të mos i kishim vënë dërmën Italisë a Gjermanisë, pale si do ishim, fare Evropë. Por, më mirë kështu siç jemi. Të sigurtë në atë pak tonën. Më mirë të të vjedhë i yti, se kockën ta lë.

 

  1. Mendimtarë me mendësi tjetërlloj

 

Ne jemi vend i vogël. Në mos e njohim njëri-tjetrin nga afër, dalim kushërinj. Me këtë dua të them se ia dimë të gjitha gjithkujt dhe atij që mendon se i ka të kyçura në sënduk. Dimë ta

 

bëjmë biografinë më mirë seç ia bën vetes, ashtu si dhe llogarinë e shtëpisë më mirë seç hiqesh ta shesësh ti. Dhe ku i ke fshehur paudhësitë. Muret prej guri a betoni jehojnë zëlartë. Dhe diku, me dorën e dikujt tjetër shkruan:

 

“S’është dashuria për fqinjin – të cilin shpesh nuk e njoh fare – që më nxit të rrëmbej një kovë me ujë dhe të rend drejt shtëpisë së tij, kur e shoh që digjet; është mjaft më e gjerë…” Kuptohet, se është pikërisht e kundërta e kësaj ajo ç’mbyste me spiunllëqe trupat diplomatike, në kohën e artë të Zogut I, siç ndodh rëndom dhe tani. Kush nuk shkruante letra anonime të raportonte dhe kryente devotshëm përgjime vullnetare për të zezën e atij me të cilin ndante bukën. Ç’dolli u ngrit apo dhe për mendimet e pakënaqura shprehur për mungesën e vezëve apo të vajgurit. Tallonat! Kush nuk e di sot se i kujt partie je? Thuame ti. Kush nuk e di këtu se për kë votove? E kuptoni ju që këtu të fluturon e ta rrëmbejnë nga goja bukën e gojës po dole në miting. Këtu or ti, nuk del njeri në rrugë po nuk e pagove. Nuk voton pa u shpërblyer!

 

Shikoni o të uruar, që në qorrësinë tuaj shihni vetëm veten, së kush i lëshon anatemat kundër politikës këtu, kush bën analizat nëpër televizionet dhe mediat shqipëtare. Përse vallë nuk merrni shembull nga Ilir Demalia, nga Fatos Todi Lubonja apo avokati i nderuar Ngjela, që kanë lidhje të direkte dinë dhe të fshehta të planeve të diplomacisë Perëndimore, si të CIA-s, lidhje të ngushta me zj. Merkel, se kush do ta këtë radhën të arrestohet nga peshqit e mëdhenj dhe jo si ti, more qyqar, që fluturon në fantazira librash dhe mundohesh të na shesësh petulla me ujë.

 

Dhe një tjeter si ty, njëfarë Kujtim Drishti, pa kujtim e kuptim, që nuk e di pse i shkrepi, si gjithë mërgimtaret dhe mërgimtarët, të shkruajë në pleqëri, një artikull të stërgjate analitik, ku me shkronja kapitale nënvizon:

 

“POPULLI SHIKON QË IA KANË VJEDHUR KUSHTETUTËN POR NUK LËVIZ DOT. HAJDUTËT IA KANË LIDHUR KËMBËT.”

 

Nuk e kuptoni vallë që populli, flas për atë jashtë partive, të cilat duan llokma të majme pushteti, është mirë siç është duke lëpirë kockën që i ra për ise apo që e vodhi diku prej dikujt. Nuk e kuptoni që s’ka asnjë arsye të dalë në shesh, jo se ia kanë lidhur këmbët cubat, por se do ta pijë kafen në qetësinë e Zotit!

 

Ti na thua:

 

“Lufto deri sa i palinduri të lindë, dhe ata duke vdekur të vdesin.”

 

Une të them:

 

Jo mor jo: “Prit sa i palinduri të vdesë dhe ata të vdekur të lindin” apo

 

“Prit i palinduri të lindë, prit, sa ata duke vdekur të vdesin!”

 

Kismet!

 

Shtjefën Mëshkalla

 

P.S. Mos gënje veten se kush të dërgon nje “like” të lexon, as miqtë!