Nga Nuri Dragoj/ Përse nuk ndërtohet rruga e Frashërit ?

Nga Nuri Dragoj/ Përse nuk ndërtohet rruga e Frashërit ?

395
0

 

/Nga Nuri Dragoj

 

Frashëri i njerëzve të shquar, parë nga maja e Kokojkës, duket si një flamur i shpalosur. Rruga gjarpëron mes qafave të malit, me kthesa të forta. E gjatë 20 km, rrugë e ngushtë, e copëtuar nga shirat, e kalueshme vetëm me mjete të mëdha, të tipit fuoristradë. Mendja të shkon te vështirësitë për hapjen e kësaj rruge, që ndeshet hap pas hapi me shkëmbinjtë, e mbi të gjitha, për shkaqet që e kanë lenë në këtë gjendje, si 80 vite më parë. Është mëngjes. Jemi duke udhëtuar me makinë. Hedhim sytë nga mali e më tej në pyjet për rreth. Rrezet e diellit thyhen mbi xhamin e makinës, siç lozin fëmijët kur rrezet i thyejnë me pasqyrë. Tregojnë se njerëzit në këto anë, deri pas gjysmës së parë të shek. XX, udhëtonin me kuaj. Nuk kishte rrugë automobilistike. Udhëtonin orë të tëra. Shkonin të blinin bereqet në Myzeqe. Edhe sot shihet po ajo pamje, ndonëse ka shumë më pak banorë. Por në Frashër vazhdojnë të jenë tri bustet e vëllezërve “Frashëri”. Ata janë madhështorë, si të lindur nga vet toka. Poshtë tyre janë shkruar gërmat e emrave të njerëzve të shquar të asaj treve, të Përmetit e Shqipërisë, emra që nuk kanë për t’u harruar kurrë.

Por shtëpia e njerëzve të kombit ka mbetur shkretë. Shkon drejt rrënimit. Teqeja duket se po çel sytë. Është Baba Hekurani që sakrifikon çdo dite. E ka marrë në kujdestari. Përpiqet të rindërtoj teqenë, të mbushi gropat në rrugën e zhavoruar 60 vite më parë, të bëjë gjithçka mundet për ta rigjallëruar jetën e asaj krahine. Vetëm kaq. Ai nuk është shtet. Nuk ka fonde. Mbledh një e nga një ato pak lekë, që banorët i hedhin në teqe për ndihmë, sepse e dinë që Baba Hekurani i përdor me nikoqëirllëk, në dobi të komunitetit.

 

 

Kush e pengon ndërtimin e rrugës Përmet – Frashër?

 

Ka shumë mendime. Disa thonë se nuk ka popullsinë e duhur. Të tjerë janë të mendimit se dëshirohet zbrazja e asaj treve. Ndonjë thotë se nuk u ka shkuar mendja ministrisë së Pushtetit Vendor, as Kryeministrisë. Por kjo bie poshtë, pasi janë bërë disa kërkesa me shkrim. U është sjellë në kujtesë kjo nevojë, madje si domosdoshmëri. Nuk mungojnë dhe ata që shkojnë edhe më tej, kur thonë se pengon Athina. Unë nuk e besoj. Nuk dua ta besoj. Por çfarë nuk ndodh në këtë vend! Mbase u vret veshin emri i Frashërit! Nuk duan ta dëgjojnë. Mbase u vrasin sytë bustet e njerëzve të shquar, teqeja atdhetare, që ka bërë aq shumë për Shqipërinë! Mbase nuk i rezistojnë dot shikimit të gjigantëve të atdhetarisë, të cilët, edhe të vdekur, nuk pajtohen me kafshimet që vazhdojnë t’i bëjnë territorit, në të cilin shtrihet kombit shqiptar.

Paratë nuk janë pengesë. Miliona euro hidhen pa kriterë nëpër rrugë. Dyzet milionë euro për 2 km në Unazën e Madhe të Tiranës. Gjetkë, 264 milionë euro për 27 km rrugë. Janë bërë rrugë malore në zoina që nuk kanë histori, por as banorë, nuk kanë asgjë më shumë se Dangëllia. Për të shkuar në Frashër, nuk duhen më shumë se 20 milionë euro.

 

Përse duhet rindërtuar ajo?

 

Janë të shumtë ata që duan të shkojnë e të shohin shtëpinë muze të vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit e Samiut. Por nuk munden. S’kanë me se të shkojnë. Nuk e  përballojnë dot atë udhëtim të vështirë, për shkak të gropave të shumta, gati të pakalueshme. Rreziku i aksidenteve është i madh. Nuk janë vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, nga diaspora etj. Ndaj duhet rindërtuar.

Na duhet Frashëri. Kemi shumë nevojë për të, për historinë e tij, për njerëzit që ka rritur, na duhet për vete, për fëmijët. Na duhet t’i tregojmë edhe të huajve, që shqiptarët kanë patur figura të shquara në çdo kohë. Për më tepër, Shqipëria ka dhe do të ketë nevojë për figura të tilla. Nderimi i tyre nxit dashurinë për kombin dhe motivon brezin e ri të sakrifikojë për të.

Njeriu duhet të shohë përpara, por nuk mund të hedhi asnjë hap, nëse nuk kthen sytë pas. Frashëri është nyje lidhëse midis të kaluarës dhe të sotmes, midis të sotmes dhe të ardhmes. Aty është një shtëpi muze, ndonëse e braktisur, mbase e rrënuar. Por aty edhe muret flasin. Bustet e vëllezërve Frashëri tregojnë shumë, tregojnë veprën e tyre, ndihmesën e dhënë për të patur këtë Shqipëri që kemi. Ndaj duhet ta shohim të kaluarën, ta vjelim materien e saj, ta përpunojmë e ta përdorim si lëndë të parë për ndërtimet e reja që na presin.

Vizitorët që shkojnë në Frashër kanë nevojë të dinë, cili ishte ky fshat në shek. XIX. Të mësojnë për veprimtarinë e burrave të shquar të kësaj krahine, për rolin e Frashërit në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në bashkimin e luftëtarëve në jug të Shqipërisë dhe organizimin e kryengritjeve antiosmane. Të dinë që Abdyl Frashëri, 140 vjet më parë, trokiti në dyert e qeverive europiane, për të kërkuar pavarësinë e Shqipërisë. Të mësojnë që ndaj Abdylit janë organizuar atentate, janë bërë gjyqe ushtarake, është burgodur dhe internuar dhe ka vdekur në mjerim, pasi e shkriu pasurinë për Shqipërinë. Të mësojnë që Sami Frashëri, ideologu i shquar i përmasave europiane, ka vdekur në tavolinën e punës, duke punuar. Të dinë që Frashëri ka patur 500 shtëpi, më shumë se 20 dyqane. Të njihen me veshjet popullore të njerëzve të thjeshtë, të shohin dallimet midis kostumeve popullore të tyre dhe të njerëzve të pasur. Ka shumë për të mësuar.

Na duhet ndërtimi i asaj rruge, sepse ky fshat, që ndodhet 30 km nga Përmeti, apo 20 km nga rruga nacionale, para vitit 1900, ka patur 1500 banorë, 3 xhami, një kishë, një shkollë fillore, një shkollë greke, një vllahe, një treg me 20 dyqane, pazar të zhvilluar, një teqe bektashiane dhe një objekt të sektit mysliman, sadi. Na duhet sepse Frashëri është kryevend i krahinës së Dangëllisë. Ka qenë i dëgjuar Frashëri, i quajtur dhe “fshati-qytet”, që nga mesi i shek. XVII.

Ndërtimi i rrugës për në Frashër është i nevojshëm, sepse është vendlindja e figurave të shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare: e Abdyl Frashërit, ideolog e patriot i flaktë, një prej udhëheqësve kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe kryengritjeve antiosmane, njeriut që shiti pasurinë për të realizuar pavarësinë e Shqipërisë; e bilbilit të gjuhës shqipe, Naim Frashërit, poetit të madh të kombit, njeriut që formatoi gjuhën e shkruar amtare dhe ushqeu te shqiptarët dashurinë për atdheun, duke u bërë përfaqësues i aspiratave të popullit të vet, për liri e përparim shoqëror. Vargjet e Naimit: Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar, / Zëmrën ti ma gatove, plot me dëshirë dhe me zjarr, janë vargje që e ndihmuan çështjen shqiptare. Madje, Naimi, mund të cilësohet pa hezitim, poeti që ka bërë më shumë për kombin, ndaj dhe është cilësuar Homeri shqiptar. Naimi nuk mund të vdiste pa bërë një lutje shenjtorësh: Jepi shqiptarit dritë / Zot i vërtetë të shohë / Të marrë vesh mirësit / Të vërtetën ta njohë….

Përmeti është vendlindja e Sami Frashërit, filozof dhe ideolog i njohur, hartues i platformës politike për bërjen e Shqipërisë, autor i dhjetëra botimeve në shqip e turqisht. Por ka dhe figura të tjera të njohura, në të gjitha fushat e jetës: klerikë me famë, si At Stath Melani që punoi aq shumë për shtimin e numrit të shkollave në gjuhën shqipe; Baba Alushi e Baba Abedini në teqenë e Frashërit, Baba Xhemali në Përmet etj., që, mbi gjithçka, vunë interesat e larta të kombit shqiptar. Baba Alushi ishte i lidhur ngushtë shpirtërisht me rilindësit. Trazimi i jashtëzakonshëm shpirtëror që kishte ndodhur në Ballkan, e kishte bërë poetin e kombit, dervishët e rilindës të tjerë, të kërkonin për ndihmë edhe rrugën e frymës së shenjtë, sepse nga të gjithë ballkanasit, shqiptarët ishin populli më i sfilitur. Ndaj Naimi thotë: Rroftë e qoftë Shqipëria / Dhe kombi e gjuha jonë / Lulëzoftë dituria! / Edhe ndihmës paçim Zonë!

Frashëri ndodhet midis malesh. Puna e malit është interesante. E sheh që e ke pranë e sërish të duket larg, se nuk e arrin dot. E sheh të shndrisë nën diell, por dhe të vrenitet e mbulohet nga retë, apo të zbardhet nga bora e madhe. Janë hijerëndë malet dhe kanë një lidhje të veçantë me trimat, me luftërat, me historinë e këtij vendi. Janë male të dashura, por që rrinë mendueshëm në natën me hënë, që zhyten në heshtjen e tyre edhe kur qielli mbushet prush me yje. Mali ndryshon shumë nga fusha, pasi me një vështrim, syri pushton hapësira të mëdha, ndërsa shikimi në fushë është i kufizuar, në pyje ca më keq, pasi brenda tij mund të ketë dhe të fshehta rrënqethëse. Male janë vëllezërit Frashëri, ndaj rruga duhet rindërtuar.

 

 

E vlen edhe për turizëm

 

Duke zbritur nga Frashëri për në Përmet, shfaqen para syve si dy gjigantë, Dhëmbeli e Nemërçka, dy male hijerëndë. Midis tyre, Kokojkës e Qelqëzës, shtrihen një mori fshatrash të krahinës së Dangëllisë, plot 22 të tillë. Njëri me peisazh më mahnitës se tjetri. Shumë i dëshiruar për turizmin. Ka njerëz punëtorë në këto anë. Janë dhe me kukturë. Por vendi po braktiset. Jo vetëm këtu, edhe gjetkë. Por trevat kanë dallime midis tyre, gjeografike e historike. Për këtë është shteti, t’i shohi, t’i studioi e të ndërtojë politikat e duhura. Kanë luftuar në shekuj frashërllinjtë. Ata që bënë luftën, dinë të bëjnë edhe punën. Janë njerëz që, ndonëse mendja u shkon në horizonte, këmbët dëshirojnë t’i mbështesin fort në tokë. Turizmi sjell ekonomi, gjallëron jetën e banorëve, rikthen dhe ata që janë larguar, shton numrin e bagëtive e kështu me radhë. Paratë e rrugës mund të shlyhen në një kohë të shkurtër nga biletat e udhëtarëve, nga paratë që do të lenë në muze, në kafe, në restorante. Ardhja në Frashër, do t’i çoj turistët të shohin dhe banjat e Bënjës e Novoselës, kanionet e Langaricës, mrekullitë e Grykës së Këlcyrës, e me radhë. Përmeti ka natyrë të mrekullueshme.

I ndodhur në krahinën e Dangëllisë, mes Kokojkës dhe Qelqëzës, pranë lisave e lajthive, pranë pyllit të pishave e bredhave të parkut të madh, me emrin “Bredhi i Hotovës”, ndihesh si në parajsë. Parku Kombëtar i Bredhit të Hotovës ka sipërfaqe 1200 ha. Është kurora e gjelbërt e Përmetit dhe ka pamje mahnitëse. Ndaj rruga në fjalë, mund të shërbej dhe si një pelegrinazh turistik. E pëlqejnë turistët atë peisazh. Tre vite më parë shoqëronim disa turistë austriakë e gjermanë. Peisazhi i mahniti. Qëndruam te Parku. Kishim porositur dhe një mish në hell. Raki dhe verë të shkëlqyer. “Këtu të vdesësh”, tha një turiste gjermane dhe u shtri mbi bar, mes bredhave. Ndërsa bashkëshortit të saj, studiues në fushën e historisë, iu mërzit rruga. Për një monet deshi që të kthenim makinën pas. “Ky është Frashëri juaj? – pyeti me shpoti ai. Dhe shtoi: -Një komb që fshin kujtesën historike, është i destinuar të shuhet.