Aristokrati, sipërmarrësi, princi i njëmijë e një jetëve e artisti kompleks Jarl Ale de Bassevile, shfaqet shpesh në Shqipëri. Është folur shumë për të si fotografi i nudove të Zonjës së Parë, Melanie Trump, apo origjinën e tij të lashtë të lidhur me anzhutë. E çuditshme është që pasi ka shëtitur botën tre herë, ai vendos të ndërtojë një shtëpi të Libofshë të Fierit. “Ishte një emocion shpirtëror që e kuptova sapo mbërrita. Ky emocion u krijua që sapo pashë njerëzit aty, fermerët. Diçka po më fliste. Në traditën tonë ne besojmë në paganizëm. Ky vend më thirri. Ashtu si në Korsikë, Ballkan, një ishull, apo gjithë vendet për të cilat kam luftuar, këtu e kuptova që ky ishte vendi që unë doja”, shprehet Jarl Ale de Bassevile. Por arsyeja pse ai shihet shpesh në Shqipëri, është edhe një tjetër. “Familja ime e kishte të ndaluar të shkelte ne Evropën lindore pas Luftës së Dytë Botërore. Ishim shpallur non grata. Unë luftova për rrëzimin e murit të Berlinit. Ai ishte mundësia ime për të shkelur anën lindore. Nëna ime ishte kontesha e fundit e Zagrebit dhe ajo ishte princesha e fundit e perandorisë Austro-Hungareze dhe për mua ishte shumë e rëndësishme të kthehesha”, shprehet De Bassevile. I pyetur se nëse shtëpia e tij do të jetë si një kështjellë, ai përgjigjet: “I urrej kështjellat. Unë jam rritur në një kështjellë dhe nuk do doja kurrë të jetoja aty. Do të ndërtoj diçka me stil minimalist ndërthurur me barok. Ne jemi pasardhësit e Ilirëve dhe mendoj që është shumë e rëndësishme t’i kthehemi traditës së hershme”. Por përtej historisë së paganizmit, thirrjes së gjakut, apo pasardhës i mbretit Herald që ka ndërtuar Perandorinë e parë Evropiane, arsyet duket se janë edhe më praktike. “Do më pëlqente të punoja me qeverinë, do isha i lumtur të sillja kompanitë më të mira të botës këtu. Duke filluar që nga ekologjia, e deri tek kompanitë hidro-energjitike. Unë i kam burimet, mund të zhvillojmë resurset ujore, lumin në Fier. Mund të krijohen deri në 5000 vende pune. Kjo është një mundësi që Evropa Lindore të rritet”, shprehet Jarl Ale de Bassevile. Ai së bashku me partneren e tij Egla Harxhi do të bëhen së shpejti prindër, dhe të gjithës kësaj së bashku me vendosjen këtu nuk kërkon t’i japë një shpjegim normal.