Nga Anila Kadija/ Qipro një copë parajse..

Nga Anila Kadija/ Qipro një copë parajse..

1001
0

Histori, vende, kultura të ndryshme, dhe foto ekskluzive për “vizion.com.al” nga nga reporterja Anila Kadija

Sot dita e fundit… Kështu shkruaj në ditarin tim të kujtimeve pas çdo udhëtimi, por kjo ditë e fundit këtu në bregdet nuk kishte ndjesinë e zakonshme me padurim të risistemimit të valixhes, apo pritjes së kthimit si në atë shprehjen e përhershme “shtëpi e ëmbël shtëpi”. Po më vinte keq që po ikja, po më vinte keq që kjo ishte dita e fundit nga Veriu i Qipros. Ky vend na dhuroi bujari pa fund dhe na injektoi qetësine e paqte. Ishte qetësia që vjen nga jeta në një ishull që ngjarjet i pret pa ngut dhe lëviz po pa ngut. Jeta në Qipro ishte një eksperience që nuk e prisnim! Çdo ditë, të paktën dy apo tre vende na lanë të stepur përballë bukurive që ofronin… Ky ishull ka magji miks kulturash . Gjen rrënoja romake, ashtu sikur gjen manastire ortodokse të konservuara me një krenari të pa parë edhe nga muslimanët. Sa çudi me këta popuj! Feja i ndau, në një farë mënyre, po megjithatë, ata nuk jane fare fanatikë… Ka një histori të dhimbshme ky ishull. Qysh në 1953 me konflikte bashkë jetese dhe nga 1964 deri më 1974 një lufte civile që jua ndau përgjithmonë kufijtë. Qipro me dy profile. Ky vend i bekuar nga Perëndia, por i mallkuar nga njeriu për vite me rradhë. Sa emocion ishte të kaloje vijën kufitare në Nikosia, kryeqyteti i republikës. Ajo e ndan në dy pjesë atë qytet dhe bashkë me të edhe ishullin. Një linjë jeshile gjendet si një rrëke loti dhe kalon përmes qytetit, të çon tek postblloku grek. Kështu ndahet pjesa veriore turke dhe ajo jugore greke. Të jetosh në Turqi dhe të shkosh e të pish një kafe, me këmbë, në Greqi duke kaluar nga një portë në tjetrën , nga një rrugicë në tjetrën. Dhe ato dyer e dritare ngjitur me postë bllokun e pashaportave se ç’të lënë një nostalgji të hidhur grilash të mbyllura e shtëpish bosh. Janë tani ato shtëpi pjesë e askujt. Mbi to mbretëron një heshtje enigmatike ngjarjesh që ne, turistët, nuk mund t’i imagjinojme. Fillimisht nuk e dinim historine. Po kur shkuam në varret dhe muzeumin e luftës, u stepëm. Pjesa e veriut është masakruar nga një politike dhe egoizëm etnik, një çmenduri që kërkonte Greqinë e madhe me lëvizjen e 1964 të Enossos…

 

Vendasit atje janë të butë, të shtruar, të vuajtur. Janë masakruar nga një dhunē e pakontrolluar për dekada. Në konfliktet civile që udhëhiqen nga mëndje të sëmura, gjithmonë populli është ai që paguan haraçin e dhëmbjes. Të vërtetat zbulohen vetëm kur je aty, dëgjon dhe shikon me sytë e tu. I nderuam ata të rënë duke shkruar shqip në një libër të cilit ja hapte faqet e vërteta historike, me fakte e fotografi, nën flladin e valëve që përcollën tek ne rrënqethje keqardhje.

Guida jonë ishte një zotëri turk, Teme quhej, i rritur dhe shkolluar në Gjermani. I gjatë sa nuk kishte asnjë nevojë të mbante ndonjë shenjë lart që grupi të mos humbiste fillin, siç jemi mësuar të shikojmë shpesh nëpër rrugët e botës. Ai na ka mahnitur me kulturën dhe profesionalitetin e tij. Po ashtu edhe shoferi i autobuzit ishte profesionist i vërtetë. Sa të perpjeta kemi marrë dhe ku nuk na çoi, por ne fare se ndjemë rrugën edhe kur ishim në buzë të ndonjë kthese të cmendur,me orë e orë të gjata. Ishte vërtetë profesionist!

Fotografia e Anila Kadija

Ne ja besuam këtë udhëtim English Heritage, që të jep mundësinë, me një abonim prej £92 çifti, të njohësh 400 vende historike kulturore në UK falas për 15 muaj dhe jo vetëm. Një strategji turistke që nuk e kam parë apo dëgjuar në ndonjë vend tjetër me sa jam e informuar! Ky sistem turistik te jep edhe oferta grupesh jashtë UK.

Por le te vazhdoj me udhëtimin në Qipro. Gadishulli Karpas,ku kaluam në një ndër ditët e para të këtij udhëtimi, ishte një vend « flori ». Edhe emrin ashtu e kishte, Golden Beach. Ishte i shtrirë përgjatë kodrash të bleruara dhe një sistemi bio faune të virgjër. Atje nuk ishte e thjeshtë të shkoje i pashoqëruar. Ajo që çalon ,në pjesen veriore të ishullit, është sistemi i mjeteve publike. Ka furgona privatë dhe taxi, por jo mjete të tjera si trena, apo autobuzë publik. Ndoshta edhe për këtë, shumë vende kanë mbetur të paprekura dhe ende të pastra nga ndotja globale. Uji trasparent dhe ngrohtësia e atij vendi ishte një ftesë e pamohueshme për të bërë një zhytje në Prill! Janë vende që tërheqin njëra tjetrën dhe nuk të lënë kohë të humbasësh.

Fotografia e Anila Kadija

Po në atë gadishull, në zonën Famagusta, gjen një manastir të vjetēr, Apostolos Andreas Manastir, me një verandë poshtë këmbëve të tij si një varkë e hedhur nga qielli drejt e në det. Tezga bizhuterish me gurë të vërtetë të çmuar e me çmime shumë të arsyeshme. Aty kishte shumë kafshë, një koloni macesh që mbroheshin dhe ushqeheshin nga vendasit dhe turistët. Karakteristike tjetër e zonës ishin gomerët, pjesë e pandare e parkut kombëtare që mbrohej nga shteti, të cilët të vinin afër si të ishin qen shtëpie edhe karrotat shiteshin për ta me qese. Ekosistemi i gjērave kishte një balancim perfekt.

Një tjeter vend i bukur ishte Kyrenia dhe e gjithë zona e saj përreth. Aty gjeje kështjellën fortresë te shekullit XVI të ndërtuar nga Perandoria Veneziane në buze të detit. Aty ishte edhe muzeumi Shipëreck me amfora dhe anije shekullore të gjetura në det. Përballë kësaj kështjelle një gji në forme gjysmë hëne, plot me lokale tipike të vjetra dhe anije relike ,si një skenë e përgatitur për spektakēl marine e një filmi piratesh, bukur te shfaqej e gjithe kjo panorame! Lule, lule, kudo. Kjo, mars-prilli, është edhe periudha me e mire e vitit për të vizituar Qipron se nga Maji fillon të digjet natyra nga dielli i fortë.

Fotografia e Anila Kadija

Interesante ishte edhe katedralia ne Famagusta, katedralja e Shen Nikolles, e njohur më vonë si xhamija Ayasofya e Magusa , sot e quajtur Xhamia e Lala Mustafa Pasha. Kur e viziton ndeshesh me një vecanti surprize tek shikon minarenë brënda skeletit të një katedraleje gotike. Për herë të parë në jetën tonë hoqëm këpucët dhe u futëm në një vend të shenjtë, për të dy fetë, ku tani falen muslymanët. E bukur edhe fortesa e qytetit e ndërtuar nga venecianët. Italia e lashtë me ndoqi kudo nëpër Qipro. U njohëm me një sit arkeologjik në Soli, romak, me mozaikun e famshëm të tij dhe statuja, i paparë nga madheshtia. Në muzeun e tij ishin të balcamosur edhe shpend të faunës, ku nuk mungonte shqiponja. Pashë me syte e mi edhe një qingj me 8 këmbë dhe një kokë, pjellë e një modifikimi gjenetik. Vura duart në kokë!

Po ashtu hanet e Nicosias në pjesën turke, të ndërtuara në 1572 ishin një shembull i shkelqyer i arkitekturës së asaj periudhe. Sot ishin kthyer në vende publike, ku kishte bare, restorante, apo dyqane me orendi tipike të larmishme artixhianati. Aty gjendeshin edhe shumë banja turke që garantonin një relaks maksimal.

Fotografia e Anila Kadija

Vizita e manastirit të skalitur në këmbët e malit, i quajtur Bellapais Abbe ose Abbey i paqes, i shekullit të XIII, na ngjiti në kuotë 220 m mbi nivelin e detit, ku pamja e qytetit Kyrenia dhe vijës bregdetare të linte pa frymë. Oborret me agrume sidoemos limone me kujtuan rivieren e Ligurias.Në verë, ky fshat i vogël I quajtur Bellapais shndrrohej në një arenë ku organizohen aktivitete të larmishme artistike, ndërsa rrugicat që të çonin drejt malit në periudhën e pranveres janë një spektakel natyre dhe aromash kanelle në shkopinj që shiten në tregut fshatar. Aty gjendet edhe shtepia e një shkrimtari të njohur anglez,Laërence Durrell, i cili duke jetuar në këtë vend ka shkruajtur një liber të njohur të titulluar “Bitter Lemones” .

Një antiteater në Famagusta i bukur sa nuk bëhej më dhe i pa prishur, kishte mbetur si në periudhën romake, në formë dhe madhësi si në Taormine apo Butrint. Heshtja e gurëve, të cilët i kishte brrejtur era dhe vitet, ngaterrohej për disa orë me zërin e guidës turistike, bashkëbisedimit tonë me pasthirrjet “oh sa bukur”. Të gjithë përpiqeshim të hipnim nëpër gurët shekullore të tij dhe për pak të mund të kapnim edhe retë që shpërndaheshin në qiellin blu, për të mbetur sërisht vetëm në botën e tyre mistike enigmatike kur ne të gjithë u larguam me autobuzat turistikë që na kishin sjellur në këtë vend të lashtë të quajtur Kato Paphos Arkiologjik park ku heshtur qëndron edhe shtëpia e perëndisë Dionis.

Fotografia e Anila Kadija

Rrugës fushave pa fund me grurë të verdhë ju bënin hije male të larta. Mimoza, por me një lule më të madhe se ajo e Europës, ishte e pranishme sidomos kodrave. U ngjitëm në 740 m mbi nivelin e detit, në kështjellën e Shen Hilarion. Në majë të dukej sikur kishe rënë në marrëveshje me diejt. Aq lart ishe e aq afër të dukej qielli aty . Një ndër keshtjellat më të bukura dhe të vjetrat e zonës e ndërtuar si vendmbrojtje për vendasit në momentet e sulmeve nga piratët arabë që vinin nga deti dhe toka. Kjo keshtjellë gjendet përmes rrugës që të çon nga Nikosia ne Kyrenia. Si kanë jetuar njerezit atje nuk mund ta besoj! Aq lart! Të gjitha rrugët, qoshet, apo vendet ku kaluam na lanë shije esencash dy kulturash që shtynin dhe tërhiqnin njëra tjetrën. Pazaret me tezgat shumë ngjyrëshe. Agrume pa fund. Këtu pihet me shumë lëng portokalli se ujë. Peshku me erë deti në zgarë. Sallata që mban aromë toke e porsa ujitur! Na çuan në punishten e sixhadeve, në ate të diamanteve dhe ate të lëkurës. Njëra me interesante se tjetra. Në një treg në një fshat ku prodhohej vaji i ullirit me cilësor dhe produkte bio për estetikën. Aty mora një krem dhe më vonë u pendova përse vetëm një! Safi ulli si i thone fjales! Na çuan në një rezerve natyrore mes malesh si të ishe në Alto Adige . Një darkë e kaluam në një harem. Kërcenin vajzat si shtojzavalle me muzikën orientale, por një djalë na la pa mënd se kërcente më mirë se ato! Kërcyem të gjithë duke u përzjerë në muzikë orientale dhe ortodokse. Nuk thonë kot që arti është ai që bashkon popujt edhe kur kulturat janë të ndryshme apo të aferta. Anglezët janë shumë larg prej kësaj mënyre, por aty u shkrinë si një akullnaje në diell, po, po taman nga ai diell që aq shumë ju mungon .

Fotografia e Anila Kadija

Këto i shkrova një ditë pas ditës së fundit në atë ishull të bukur kur unë isha mijëra km larg. Por unë ndjehesha ende sikur isha aty, në atë ishull që më fton sërisht bujarisht të njoh një anë tjeter të tij, pjesën jugore. Qipro për mua nuk ka atë vijë jeshile që të çonte në pjesën turke dhe atë rozë në greken. Ka shumëngjyrëshmërinë e qipriotëve që e duan njëri -tjetrin pavarësisht nga politika që u krijoi dhembje.