“Në radhë të pare jemi “për vete” pastaj për të tjerët” Rrëfimi...

“Në radhë të pare jemi “për vete” pastaj për të tjerët” Rrëfimi i Iva Tiços për librin e saj të parë

425
0

NGA: Etleva Çepele / Fotografia: Anjeza Dyrmishi

Veshja: Geraldina Sposa/ HAIR & MAKE UP: UJVARA HAJDARI

 

Që kur them gazetare, duhet të rrëfej se fillimisht isha shumë skeptike ndaj këtij libri. E vërteta është se lista e shkrimtarëve që e nisën karrierën e tyre si gazetarë është shumë e gjatë dhe, ndër ta, emra të mëdhenj të letrave mbarëbotërore, si Ernest Hemingueji, Xhon Shtainbek, Çarls Dikens, Mark Tuein, e shumë të tjerë, ama nga përvoja me librat e shkruar nga disa gazetarë shqiptarë, nuk prisja të lexoja ndonjë kushedi çë, aq më pak një libër që më pas do t’ua sugjeroja të gjitha mikeshave të mia. Mirëpo ja që kështu ndodhi, origjinaliteti dhe pikëpyetjet e mëdha që ngrenë rrëfimet e Ivës, më bënë të ndryshoja mendim kryekëput. Paçka se e hapa gjithë përtesë, e gjeta veten të përfshirë që në faqen e parë. Nuk kaloi shumë dhe fillova të bëja grimasa e të qeshja me vete. Pastaj, të reflektoja e, në fund, të dilja në përfundime të rëndësishme.

 

Sa e shkurtër është jeta? Cili duhet të jetë qëllimi i saj? Cilat janë problematikat që i mundojnë më së shumti vajzat dhe gratë në shoqërinë shqiptare? Sa e rëndësishme është prania e një burri në jetën tonë? Vallë a bëjmë dot ne edhe pa ta, dhe mbi të gjitha, pse? Por le t’i marrim gjërat me radhë. Përpara se të thotë “për vete”, Iva Tiço thotë “ide dhe debate” dhe ju siguroj që në këtë libër do të gjeni të tilla për tematikat më të vërteta të shoqërisë sonë, jo vetëm të asaj femërore, as edhe vetëm të vajzave single, por të gjithsecilit prej nesh. Këtu nuk e kuptova pse këto rrëfime “mund t’i shkruante çdo vajzë single në qytet”, por për këtë do të pyesim vetë autoren në intervistën në vijim, e cila vjen ekskluzivisht për revistën “Living”.

 

Ajo çka më la më shumë mbresa nga libri ishte fakti që ashtu si me shaka, herë-herë me ironi e sarkazëm, Iva Tiço arrin të shkojë përtej paragjykimeve, madje sikur na i përplas në fytyrë ato që shpesh nuk guxojmë t’i themi as me vete, as me shoqet dhe jo më të shkruajmë një libër. Një gjë është e sigurt: ajo guxoi, guxoi të thyente tabu që me librin e parë, guxoi të na bënte (ne dhe veten ndoshta) të besojmë se ajo çka ka më shumë rëndësi në këtë botë, jemi ne dhe se gjithçka merr kuptim nëse e nisim çdo gjë nga vetja dhe mbi të gjitha, për vete!

 

 

Dua ta nis këtë intervistë me pyetjen e parë që më lindi teksa lexoja librin dhe e përmenda edhe më sipër: në të gjitha intervistat, por siç e dëshmova edhe vetë gjatë leximit, ti thua se libri nuk është vetëm për vajzat single, por për të gjitha gratë e vajzat e shoqërisë shqiptare. Pse atëherë libri yt vjen me këtë nëntitull?

 

Është kjo një zgjedhje komerciale apo ka një shpjegim tjetër?

 

Është diçka mes komerciales dhe thirrjes së kujtesës e për t’i shpënë të gjithë ata lexues që në vitet e fundit më kanë shkruar se mezi prisnin që unë të bëja një libër me shkrimet e blogut tim. Duke ditur që ky libër kishte të garantuar një grup lexuesish që e prisnin, doja t’ju thosha që pikërisht ky është libri që kishin pritur, siç prisnin botimin e “Blogu i një vajze single”. Ndërkohë që ajo fjala “single” nuk ka si të përjashtojë gjithë të tjerat. Edhe ato që nuk janë më single kanë qenë dikur të tilla, mund të bëhen sërish në të ardhmen… Askush nuk e di çfarë na rezervon jeta, në radhë të pare jemi “për vete” pastaj për të tjerët, në çift apo vetëm.

 

Si ndihet Iva si shkrimtare?

 

Ma thuaj dhe njëherë këtë fjalë!? Se unë akoma nuk e besoj që mund të quhem shkrimtare. Më pëlqen përdorimi i kësaj fjale në anglisht, writer – dikush që shkruan. E shqiptoj gjithmonë kur prezantohem me të huaj, në shqip kam shumë drojë ta them. Sikur të mos mjaftonin të gjitha, ne edhe paragjykojmë shumë. Jemi njerëz që vetë nuk lexojmë asnjë rresht, por bëjmë debate letrare dhe flasim me kompetencë të zjarrtë kush është shkrimtar e kush jo, kush merr “Nobel” dhe kush nuk duhet ta marrë. Shajmë madje dhe lexues të caktuar, vetëm duke i parë në dorë kopertinën e librit, për të cilin mund të mos kemi asnjë ide. Jemi shoqëri snobësh, që bëjmë të ndihet keq këdo… Ndoshta për një masë mbrojtëse, ndoshta sepse libri u bë në një kohë kur isha kaq e ngarkuar me shumë punë të tjera, ende nuk e kam kuptuar që ndoshta mund të them edhe se jam shkrimtare.

 

  1. Mund ta thuash dhe me gojën plot madje! Uroj që rruga jote në lëmin e mendimit dhe të letërsisë të jetë e gjatë dhe e suksesshme. Por a e ka ndryshuar kjo përvojë botëkuptimin tënd për letërsinë?

 

 

Jo, sepse unë nuk i jam ndarë librit që kur isha e vogël fare dhe më lexonin të tjerët e deri tani, kur nuk bën vaki të mos lexoj qoftë edhe një faqe në natë. Kam autorët dhe librat e mi të preferuar, më kanë pëlqyer gjithmonë edhe librat e mëdhenj, ata që të tronditin botën dhe ata të vajzave, të shkruar me humor e me thjeshtësi.

 

 

  1. Siç e përmenda edhe në prezantimin e librit për “Living”, dy nga tiparet që bien menjëherë në sy në libër janë guximi për t’i thënë gjërat hapur dhe humori. Besoj se me të drejtë, më lind pyetja: si i ke marrëdhëniet me këto dy ndjenja edhe në jetë?

 

Duket që i kam shumë të mira në fakt dhe të dyja më kanë ndihmuar shumë për të bërë përpara, kaq sa kam bërë. Guximi për t’i thënë gjërat hapur më ka bërë të spikas në shkrime apo paraqitje televizive, që janë puna ime, ndërsa i dyti, humori, ma bën jetën më të thjeshtë, sepse arrin të më zbusë edhe ditët më të këqija. Edhe pse shpeshherë, në situata të caktuara, mund të shndërrohet në sarkazëm, është çlirues, më ndihmon, por besoj se më bën edhe më të këndshme, përtej ndonjë cilësie tjetër, si përkushtimi për miqësitë, që është arsyeja pse kam kaq shumë shokë e miq. Të gjithë duam të jemi të rrethuar nga njerëz me humor dhe pozitivë. Njerëzit që kanë humor, janë gjithmonë optimistë.

 

  1. Ka më shumë se një muaj që “Për vete” ka gjetur rrugën për në zemrat e shumë vajzave dhe grave. Duke qenë se në ditët e sotme, rrjetet sociale ta lehtësojnë punën kur vjen fjala për të marrë “feedback”, a mund të na thuash se si kanë qenë reagimet e tyre?

 

Kjo është gjëja më fantastike e rrjeteve sociale: mund të mësosh saktësisht se çfarë pëlqejnë njerëzit tek ti, te libri yt. Kam marrë me dhjetëra mesazhe, më kanë nisur fjali të shkëputura nga libri, më kanë rrëfyer në inbox histori të ngjashme. Unë vetë, ndër gjithë librat e lexuar, çmoj më së shumti ata me të cilët identifikohem aq shumë, sa të më duket sikur i kam shkruar vetë. Kështu që nuk mund të lumturohesha më shumë sesa kaq, kur lexoj që lexues të tjerë më shkruajnë se u duket sikur i kanë shkruar vetë fjalitë e librit tim.

 

  1. Ç’është libri për Ivën?

 

Veç shumë gjërash të tjera, vijon të mbetet mënyra më e mirë për të njohur botën, për të mësuar gjithçka, por dhe për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe, që është mjeti im i vetëm i punës. Po të mos qe për librat, gjuha do të më kishte përfunduar dhe mua në ato pak mijëra fjalë të fjalorit aktiv dhe në një kohë të vetme foljeje, siç bëjnë të gjithë njerëzit e tjerë që nuk lexojnë asgjë veç rrjeteve sociale. Por veç këtyre, libri mbetet shpëtimi i vetëm në këtë botë të cekët ku jetojmë, ikja prej budallallëqeve, thashethemeve, paragjykimeve, problemeve të përditshme të mbijetesës. Është si të jetosh paralelisht mes dy botëve, asaj të përditshme, që e prek me shqisa dhe që të rrëshqet ditë pas dite, dhe një bote magjike, në të cilën ti zhytesh krejt vetëm herë pas here dhe është kaq plot, sa nuk të del gjithë jeta për ta shijuar.

  1. Cili është autori yt i preferuar?

 

Autorët e preferuar më ndryshojnë herë pas here, me kalimin e viteve. Ka disa që dikur mund të më kenë magjepsur, por që tani nuk do të guxoja t’u rikthehesha, nga frika se mos më zhgënjejnë, se mos nuk gjej aty ato gjëra që kujtoj, të njëjtat përjetime si dikur. Nuk më zhgënjejnë kurrë ama përrallat apo disa libra për fëmijë, si “Princi i lumtur” apo “Piter Pan”, që si e rritur i lexoj në mënyrë tjetër.

 

Lexoj ende me të njëjtën dalldi realizimin magjik, Gabriel Garsia Marquez apo Izabel Allende. Apo më është dukur sikur kam zbuluar ndonjë planet të ri kur kam gjetur autorë si Orhan Pamuk, Ayn Rand, Amos Oz, Carlos Rouiz Zafon, Margaret Atwood, Michel Houellebecq, John Irving… E di që gjatë vitit në vijim do t’u bëj njerëzve dhuratë “Lehtësinë e papërballueshme të qenies” së Milan Kunderës apo librin “Mërzia” të Albertro Moravias, thjesht sepse të dy i shijova vetë pa fund muajt e shkuar. Por kam blerë e kam lexuar menjëherë edhe gjithë librat e tjerë, sapo “zbulova” Elif Shafakun dhe Haruki Murakamin. Ama m’u duk jeta bosh kur J.K.Rowling mbaroi shtatë librat e “Harry Potter”-it dhe fus në të preferuarit e mi edhe gjithë librat vetëndihmues, ata që të mësojnë të mos e vrasësh mendjen, që të bëjnë të lumtur, të mësojnë optimizmin, gjëra si “si të jesh franceze kudo që jeton” dhe, mbi të gjitha, gjithë serinë e romaneve të britanikes Sophie Kinsella: më behet zemra mal kur ndokush më thotë që libri im ia kujtoi atë stil.

 

 

 

  1. Ty vetë, çfarë të frymëzon të shkruash?

 

Deri më tani vetëm historitë e mia apo ato të njerëzve që kam afër, që mund t’i kem përjetuar si të miat… Ndoshta kur të më frymëzojnë historitë që nuk kanë ndodhur kurrë, atëherë do të jem “shkrimtare prej vërteti”.

 

  1. Në gjykimin tim, shkrimtar nuk të bën ajo përse shkruan, por mënyra se si i tjerr mendimet, se si i hedh ato në letër. Gjithsesi, a ke menduar të shkruash sërish? Nëse po, mund të na zbulosh ndonjë gjë rreth zhanrit apo tematikës, apo do të mbetesh te stili i librave vetëndihmues?

 

Po, kjo është e sigurt. Do t’ia bëj dhuratë vetes sërish lumturinë e një libri në treg, por do ta bëj edhe për të gjithë ata që kanë blerë librin tim të parë dhe më shkruajnë çdo ditë që do të donin libra të tjerë nga unë… Se çfarë, ende nuk e kam mirë të qartë. Nëse dhe kjo puna e librave do të ndjekë të njëjtën rrjedhë të karrierës sime si gazetare, ku kam punuar dhe kam prekur të gjitha llojet e gazetarisë, atëherë ndoshta kur të dal në pension do të kem botuar nga të gjitha zhanret.