Në hirin e betejave identitare, gjithmonë mbesin thëngjij të pashuar

Në hirin e betejave identitare, gjithmonë mbesin thëngjij të pashuar

398
0

Jemi me fat që jetojmë në epokën e Nënës Tereze, sepe ajo nuk e shikoi botën nga prizmi i egoizmave dhe shpirtngushtësive. Destinacioni që duam të arrijmë është e përbashkëta e virtyteve që kanë kombet për të luftuar të keqen në mesin e vet dhe për të sakrifikuar nganjëherë lakminë personale për të mirën e përgjithshme.

 

 

Shkruan Prof.dr. Skender ASANI

 

 

Në hirin e betejave identitare, gjithmonë mbesin thëngjij të pashuar. Kështu ndodhi edhe me bredhin e shkatërruar të Nënës Terezë, e cila atëherë kur e kishte mbjellur me dorë të vetë, gjatë vizitës së saj të fundit në Shkup. 1980, as që i kishte shkuar ndër mend se kjo trashëgimi e saj do të përfundojë në ndonjë kontejner të Bashkisë së Qytetit të Shkupit. Por, nga bredhi i shkatërruar kishin mbetur boçat me fara, të cilat do të rilindin si feniksi.

Në mitologjinë e lashtë, simbolika i zogut madhështor Feniks, që lidhet më së shpeshti me Diellin, vdes dhe ringjallet nëpër kultura të ndryshme, dhe gjatë gjithë kohës. Legjenda e lashtë, përshkruan pamjen e një zogu magjik të ndritshëm dhe vezullues, që jeton qindra vjet para se të vdesë, duke shpërthyer në flakë. Pastaj rilind nga hiri, për të nisur një jetë të re dhe të gjatë. Kaq e fuqishme është kjo simbolikë, sa që është një motiv dhe imazh, që sot përdoret shpesh në kulturën dhe folklorin popullor. Feniksi legjendar është një zog i madh, shumë i ngjashëm me një shqiponjë që fluturon pa ndërprerë dhe monitoron hapësirën.

Një ditë atij do t’i kapë syri edhe një park i dendur në Tiranë, por edhe në Prishtinë e Shkup, sepse edhe historia e një pylli  ka filluar nga një dru i vetëm. Kështu do të ndodhë edhe me një park që do të lind mu në zemër të Tiranës.

 

Ditë më parë nga Shkupi në Tiranë udhëtuan 25 boça nga bredhi i shkatërruar i Nënës Tereze. Me këtë rast  drejtoresha  e  Agjensisë Kombëtare të Parqeve dhe Rekreacionit të Shqipërisë, Erinda Fino,  shprehu faleminderimin e saj të sinqertë për këtë nismë fisnike që pritet të finalizohet më 18 tetor, ditën e Lumturimit të Nënës Tereze. Bëhet fjalë për mbjelljen e 25 fidaneve nga farat që mbetën nga bredhi i shkatërruar të Nënës Terezë në Shkup.

 

Ngjashëm, do të veprohet edhe në Prishtinë, ku gjithashtu do të mbillen 25 bredha, në shenjë të ripërtërirjes së trashëgimisë së Nënës Tereze.

 

Jo vetëm si simbolikë që lidhet me 25 vjetorin e vdekjes së Nënës Terezë, por edhe si ide që përtërinë trashëgiminë e nobelistes shqiptare përmes një parku që do të lind mu në zemër të Tiranës, ky aksion i përbashkët i ITSHKSH dhe AKPR do të shënojë fillimin e një bashkëpunimi brendakombëtar për të përtëri farat e trashëgimisë kulturore e shpirtërore të shqiptarëve në Ballkan.

 

Thellimi i bashkëpunimit me Tiranën po zhvillohet në prag të mbajtjes së manifestimit tradicional kulturor e shkencor “Drita e Gonxhes” që mbahet nga 26 gushtë-5 shtator, me ç’rast edhe Agjensia Kombëtare e Parqeve dhe Rekreacionit e Shqipërisë do të përfshihet në aktivitetet e përbashkëta të këtij manifestimi.

 

Ky bashkëpunim po ndodhë edhe në një kontekst të volitshëm evropian në të cilin po përfshihen vendet tona, sidomos pas marrjes së datave për fillim të negociatave me BE-në. Duke e kthyer këtë kontekst në favor të urave bahkëpunuese që do të ngrihen, ITSHKSH dhe intitucionet partnere do të shpiejnë përpara axhendat dhe projektet që pritet të realizohen në të ardhmen.

 

Feniksi i rilindur ndjek misionin e Nënës Tereze e cila na mëson që pas çdo fatkeqësie të dalim më të fortë, pa çdo dëshpërimi të bëhemi më të motivuar. Edhe bota shqiptare, e ndodhur në rubikonin e dridhjeve tektonike gjeopolitike, po mundohet të ruaj statusin e kombit përparimtar, me vlera perendimore që integrimin e brendshëm kulturor e shpirtëror po e bën duke përtëri farat e trashëgimisë kulturore e shpirtërore të shqiptarëve në Ballkan.

Aksioni për të mbjellur 25 fidane nga farat e bredhit të shkatërruar të Nënës Tereze në Shkup, përmbledhe në vete fuqinë e simbolikës së një Feniksi i cili përfaqëson idenë se fundi është vetëm fillimi. Ashtu si ky mit i fuqishëm që do të rilindë pa pushim në legjendën dhe imagjinatën njerëzore, edhe bredhat e Nënës Tereze do të injektojnë në zemrat e njerëzve dashurinë dhe paqen. Sepse më mirë se në një park të mbjellë nga farat e bredhit të shkatërruar të Nënë Tereze, askund tjetër nuk do të ketë fresk për të gjithë ata që kanë nevojë të qetësojnë shpirtin dhe mendjen pas një dite të lodhhme e të zhurmshme.

 

Të mos kesh frikë nga dështimi, don të thotë të shmangni zhgënjimin. Kjo është përafërsisht filozofia jetësore e Nënës Tereze, të cilën po mundohemi ta shndërrojmë në aksiomë veprimi , kurse kauzat tona civilizuese të mundohemi t’i bëjmë sa më gjithpërfshirëse, pa konturat e ndarjeve etnike, gjuhësor, religjioze…

 

Sikur një diell që ngroh gjithë njerëzit, ashtu është edhe fuqia e ideve fisnike, të cilat hapin rrugë e shtigje edhe aty ku mendja e njeriut nganjëherë dorëzohet para misterit që sjell e panjohura. Por, kur para vetes ke një shtegtare si Nënë Tereza, atëherë çdo situatë e komplikuar shndërrohet në një udhë të çelur që të shpie në destinaconin  e dëshiruar.

 

Jemi me fat që jetojmë në epokën e Nënës Tereze, sepe ajo nuk e shikoi botën nga prizmi i egoizmave dhe shpirtngushtësive.

Destinacioni që duam të arrijmë është e përbashkëta e virtyteve që kanë kombet për të luftuar të keqen në mesin e vet dhe për të sakrifikuar nganjëherë lakminë personale për të mirën e përgjithshme.

 

Shkup, 19 korrik 2022