“Ndihem mirë që jemi në vendin e parë”, Alban Bushi: Falenderoj Rashicën...

“Ndihem mirë që jemi në vendin e parë”, Alban Bushi: Falenderoj Rashicën që erdhi te ne, Ibrahimovic e presim

227
0

Shqipëria U-21 luan përballë Rumanisë dhe Malit të Zi, në sfidat e vlefshme për kualifikueset e Europianit 2025. Trajneri i Shpresave, Alban Bushi foli se çfarë pret nga këto dy takime dhe gjithashtu u ndal te Arijon Ibrahimoviç, që po bën mjaft mirë me Frosinonen në Serinë A.

A është skuadra gati? Mund të përsëriten sukseset që kemi pasur në Elbasan dhe Rrogozhinë?

 

Gjëja më e mirë është që në 5 muajt e fundit ne kemi bërë ndeshje. Kjo është diçka shumë e mirë për ekipin, pasi lojtarët janë konsoliduar dhe janë njohur shumë mirë me njëri-tjetrin dhe pak a shumë atë stil loje që ne kemi menduar të luajmë, ata e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë.

 

Kjo është gjëja më e rëndësishme dhe për këtë ndihem mirë. ndihem mirë dhe që jemi në vendin e parë. dhe pse kundërshtarët kryesorë kanë një ndeshje më pak, kjo nuk do të thotë asgjë, sepse të jesh në vend të parë në këtë grup është diçka e mirë. mendoj si Rumania, ashtu dhe Mali i Zi janë kundërshtarë shumë të fortë.

 

I njohim shumë mirë, siç na njohin dhe ata ne. Do bëjmë diçka ndryshe. Nga ndeshja e parë me Rumaninë, duhet të jemi më pak të ekuilibruar, sepse ndeshjen që kemi bërë këtu na kanë kapur shumë herë në kundërsulme. Do mundohemi të jemi më mirë në ndeshjen atje. Dhe me Malin e Zi, sepse është një ekip në nivel pothuajse me ne.

 

 

Dy risi nga kampionati shqiptar. A është për të motivuar të tjerët për të ardhmen?

 

Mendoj se janë dy lojtarë me perspektivë. Rashica është datëlindja 2004, gjithashtu edhe Beqjaj. Mendoj se janë lojtarë shumë të mirë. Rashica është hera e parë që vjen me ne, ka qenë lojtar i të rinjve të Kosovës. Unë e falënderoj që ka zgjedhur Shqipërinë. Mendoj që shpejt do i dali pasaporta dhe ta kemi gati për ndeshjen e radhës.

 

Shqipëria nuk është se ka shumë lojtarë të rinj në kampionatin vendas, nuk i japin shumë dorë të rinjve. Ky është një problem i madh për ekipin Kombëtar U-21, se nuk ka ku kërkon lojtarë dhe jemi munduar të kërkojmë gjithmonë jashtë. edhe pak lojtarë që dalin në kampionatin shqiptar, nuk punohet shumë me ata nga ana individuale për t’i rritur si fizikisht, si taktikisht.

 

Ibrahimoviç po bën mirë në Serinë A. Ka pasur interes nga FSHF-ja për ta afruar?

 

Çdo lojtarë shqiptarë, kudo që është, në çdo kampionat të Europës, ne e kontaktojmë. Nuk diskutohet fare që ka pasur kontakt nga Shqipëria, por për arsye të njëanshme të lojtarit, mund të presë Gjermaninë ose diçka tjetër, për këtë arsye nuk është thirrur. Por çdo lojtar shqiptar, që është në kampionatet e Europës, sidomos që ka nivel për ekipin Kombëtar është kontaktuar 100% nga ne.