Ndërkombëtarisht korrekt!

Ndërkombëtarisht korrekt!

487
0

Si duhen lexuar përpjekjet e Ramës dhe Bashës për të qenë sinkron me apelin e ndërkombëtarëve për hapje të dialogut. Koha e pashtershme politike deri më 30 qershor dhe pse palët po fitojnë kohë me kushtet e tyre.

Arion Sulo

Edhe pse mes qëndrimeve të djeshme të Ramës dhe Bashës kundërshtia mbeti po aq e madhe, për herë të parë nga fillimi i krizës politike, kryeministri dhe kreu i opozitës përmendën njëri pas tjetrit terma të tilla si dialogu, negociatat, ndërkombëtarët dhe zgjidhja. Rasti e donte që të dilnin të dy para publikut  për të komentuar sipas llogores politike protestën e së hënës, por edhe për t’iu përgjigjur ndërkombëtarëve, që një ditë më parë kërkonin dialog, ndërsa përfaqësuesit e partisë simotër të PD-së në Gjermani, CDU dhe CSU shprehnin gatishmërinë edhe për të ndërhyrë në këtë situatë. Për herë të parë edhe ambasada amerikane bënte thirrje për dialog.

Për të qenë politikisht korrektë me ta,  si Basha dhe Rama pranuan në parim dialogun dhe i quajtën ofertat e tyre të mirëpritura dhe të mirëseardhura, por secili shtoi kushtet e tij, që në fakt janë të pandryshueshëm prej mesit të shkurtit dhe në të vërtetë e minojnë tryezën apo marrëveshjen e mundshme. E përmbledhur e djeshmja mund të cilësohet si një tentativë dyshe propagandistike.

Po dialogut, por me kushte

Kryeministri, i cili  u shpreh se ishte i hapur për dialog pa kushte, shtoi se nuk ishte si paraardhësi i tij, apo si Basha. “Ik ti që të fillojmë të flasim. Unë i them kur do të flasim, ai ma kthen ‘Ik ti që të fillojmë të flasim’. Me kë do të flasësh ti? Me murin?”, tha ai. Por nëse dialogun, kryeministri e ka përsëritur disa herë, kur u pyet për ofertën e CDU/CSU u përgjigj se në leximin e tij, miqtë gjermanë kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar. “Shumë e mirëseardhur, por negociata nuk ka, që të jemi të qartë, në kuptimin e një procesi negociatash që lidhet me 30 qershorin, se nuk kemi asnjë mundësi të negociojmë Kushtetutën e Shqipërisë”. Kjo u shfrytëzua nga Basha,  i cili dy orë më pas tha se “Ai (Rama) hodhi poshtë sot ofertat publike për një angazhim të faktorit ndërkombëtar.

Por edhe kreu i PD, edhe pse siguroi se mirëpret çdo angazhim të faktorit ndërkombëtar për të zgjidhur këtë krizë të thellë sërish i qëndroi bindjes se zgjedhje me Ramën kryeministër që bashkëpunon me krimin nuk ka. “Përdhunuesi serial i zgjedhjeve, nuk mund të jetë kujdestar i zgjedhjeve. Kjo është e padiskutueshme, e panegociueshme. Nuk ka njeri në Shqipëri të besojë se me Edi Ramën kryeministër, mund të ketë një proces të lirë zgjedhor”.

Basha, nga ana tjetër,  hapi dje derën e një takimi të mundshëm me Ramën, por me Ramën kryetar të PS dhe jo kryeministër. “Kryetarin  e PS-së nuk e zgjedh kryetari i PD-së. Procesi për zgjedhje të lira e të ndershme do të kalojë përmes largimit të Ramës nga kryeministër”, u shpreh ai.  Siç shihet të dy palët pas angazhimit të ndërkombëtarëve kanë zbutur dje gjuhën vetëm formalisht, pa hequr dorë nga përmbajtja kryesore e qëndrimeve të tyre, ndërsa CDU\CSU të cilëve iu referuan, shkurt e qartë kërkon pikërisht mosvënien e kushteve paraprake në dialogun mes tyre. “Qeveria dhe opozita tani duhet të hyjnë në dialog urgjentisht dhe pa asnjë parakusht dhe të jenë të gatshme për kompromise. Ata që nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë menjëherë, janë duke e çuar veten drejt izolimit politik. Ne jemi të gatshëm për të ndihmuar në kapërcimin e krizës”, përmbyllet deklarata e dy politikanëve gjermanë.

Edhe “dora e shtrirë e Ramës që siç e komentoi kryeministri “nuk kam nevojë as për gjermanë, as për amerikanë, as për holandezë, as për francezë, as për anglezë, as për norvegjezë, për t’u ulur dhe për të dialoguar, personalisht”, zgjatej përtej zgjedhjeve të 30 qershorit, por pa i përfshirë ato.  Kryeministri me dialogun me opozitën kuptonte reformat kushtetuese, zgjedhore apo dhe të tjera,  por jo zgjedhjet lokale dhe aq më pak shtyrjen e tyre apo zgjedhjet e parakohshme.

Kohë e pashtershme

Fjalia e Ramës se “koha politike është e pashtershme” la dje vend për interpretime sikur një gjetje do bëhet deri ditën e zgjedhjeve. Padyshim që mund të ndodhë. Edhe pse Rama e quajti kapitull të mbyllur çështjen e 30 qershorit, sepse sipas tij shtyrjen e zgjedhjeve nuk e lejon Kushtetuta, Basha e tejkaloi si problem duke sjellë precedentin e vetë Ramës në shtyrjen e zgjedhjeve lokale në 2007.

Nëse marrëveshja mes qeverisë dhe opozitës do të jetë platforma që do të zgjidhë krizën aktuale, pakkush mendon se ajo do të jetë vetëm për zgjedhjet vendore të radhës. Rama këtë kurth komunikativ ngriti dje, ndërsa shprehej  i hapur për dialog me opozitën për çdo reformë të pabërë apo të mos bërë mirë, por duke vënë gardh për garën elektorate të pas 45 ditëve.

Si kryeministri dhe kreu i opozitës mundën të shfaqen dje politikisht korrekt dhe sinkron me thirrjet e ndërkombëtarëve, pa hequr dorë nga kushtet, por kjo s do të thotë asgjë, nëse këta të fundit vendosin të ndërhyjnë për të zgjidhur krizën shqiptare. Ata e dinë shumë mirë se aktorët lokalë janë duke fituar kohë, ndërsa ajo që ende nuk dihet qartë është se a do të ndërhyjnë këtë herë ndërkombëtarët. Duke parë sesi kanë rrjedhur ngjarjet në tre muajt e fundit, pyetja që ngrihet është; a u intereson vërtet të dyja palëve në konflikt ndërhyrja e ndërkombëtarëve apo më saktë,  ndërhyrja e gjermanëve,  të cilët afërmendsh do t’i rrëzojnë  si qeverisë,  ashtu edhe opozitës kushtet përkatëse maksimaliste? Sepse tek e fundit, marrëveshja e 18 majit  2017 ishte e gjitha e hartuar nga ndërkombëtarët, ndërsa Rama e Basha kishin të drejtë vetëm ta firmosnin./ Gazeta Liberale

 

 

 

 

Shperndaje