Këtë vit tryezat në familjet e naftëtarëve të Ballshit janë bosh në mbrëmjen e ndërrimit të viteve. Prej 3 muajsh punonjësit e ARMO nuk paguhen. Puna në uzinën e Ballshit është ndalur dhe askush nuk jep përgjigje për këtë situatë.
Puna në rafineri është ndalur pasi kompania që ka në shfrytëzim uzinën “Tosk Energji” nuk është furnizuar me lëndë të parë. Subjekti në fjalë pretendon se “Bankers Petrolium” nuk ka përmbushur detyrimet për furnizimin me naftë bruto. Ndërkohë, “Bankers” pretendon se kompania “Bylis Energji” nuk ka shlyer detyrimet e prapambetura. Punonjësit i kanë adresuar disa letra Ministres së Energjisë Belinda Balluku, deri edhe kryeministrit Edi Rama por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Shteti është treguar neglizhent në vazhdimësi për këtë problematikë edhe pse është ende aksionere me 15 % në këtë kompani të privatizuar gjatë qeverisjes Berisha, por që ka prodhuar vetëm drama sociale në komunitetin e Ballshit. Mbijetesa e këtij komuniteti është e lidhur kryesisht me funksionimin e uzinës së naftës.
Naftëtarët kanë deklaruar se në janar do t’i rikthehen protestave madje duke ripërsëritur të njëjtin skenar të disa viteve më parë kur iu drejtuan Tiranës në këmbë.
“Veç 3 muajve të fundit që nuk kemi marrë pagat, ne nuk na janë derdhur sigurimet shoqërore për të paktën 8 muajt e fundit. Situata është edhe më e rëndë pasi ne kemi pa marrë edhe 18 paga të tjera të prapambetura mes viteve 2015-2017, kur uzina ëhstë shfrytëzuar nga kompani të ndryshme, apo kompani që ndryshonin emrat për tu fshehur. Në total, kemi 21 paga të prapambetura”, thonë naftëtarët.
Gjatë periudhës që ishte kompani shtetërore ARMO i mbyllte bilancet me një fitim që varionte mes 10-20 milionë euro në vit, dhe prej privatizimit situata është krejt e kundërta. Sot ARMO regjistron rreth 600 milionë dollarë borxhe në detyrime ndaj shtetit, paga të prapambetura, pagesa për lëndën e parë dhe detyrime të ndryshme.
Kompanitë që e kanë shfrytëzuar uzinën i kanë lënë vendin njëra-tjerës dhe çuditërisht, nga një kompani që mbyllej me fitim kur ishte shtetërore, çdo vit bilancet e saj janë deklaruar me humbje. Në fakt, gjithçka ka qenë një strategji e pastër për t’ju shmangur taksave nga kompanitë që i kanë lënë vendin njëra-tjerës në shfrytzimin e këtij aseti.
Ndërmarrja u privatizua në vitin 2008 nga “Taçi Oil”. Deri në vitin 2013 kompania akumuloi 300 milionë dollarë borxhe. Më pas, kompania u ble nga azerët e Heaney Assets Coorporation, të cilët thelluan borxhin në rreth 500 milionë dollarë. Në vitin 2017, pronare e ARMO u bë banka Credins, e cila ishte ndër dhjetëra kreditorët. Në këtë periudhë, uzina e Ballshit iu dha në përdorim kompanisë IRTC, por situata vijoi po njësoj. Aktualisht, kompania që e ka në shfrytëzim, “Tosk Energji”, pretendon se shkaktare e kësaj situate të vështirë është “Bankers Petrolium”, pasi nuk ka përmbushur detyrimet për ta furnizuar me lëndë të parë. Për këtë çështje, Autoriteti I Konkurencës ka nisur jnë hetim në muajin Tetor, pas ankesës së “Tosk Energji”.
Pavarësisht lojës që bëhet prej vitesh me këtë asset të rëndësishëm, ata që vuajnë prej vitesh janë naftattarët. Sot, në tryezat e 1 mijë familjeve që mbahen me pagën nga uzina e naftës do të mungojë gjeli i detit.