Italia është paralizuar si pasojë e motit të keq. Shirat e rrëmbyeshëm kanë përmbytur pjesën më të madhe të Italisë qendrore, veriore dhe asaj jugore.
Si pasojë e stuhisë, lumenjtë kanë dalë nga shtrati duke përmbytur qindra shtëpi. Autoritetet e vendit fqinj bëjnë me dije se fatmirësisht asnjë viktimë nuk është shënuar, por dhjetëra banorë, më të rrezikuarit, janë evakuuar nga ekipet e ndërhyrjes së shpejtë.
Shumë të tjerë kanë mbetur pa energji elektrike, ndërkohë që erërat e forta kanë sjellë rrëzimin e pemëve, mbylljen e rrugëve dhe paralizimin e qarkullimit të automjeteve.
Stuhitë e mëdha të shiut po vijojnë, ndaj autoritetet iu kanë bërë thirrje banorëve të mos lëvizin nga banesat deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.
Më keq situata paraqitet në Liguria, ku autoritetet kanë aktivizuar alarmin e kuq.
Stuhitë e mëdha të shiut kanë goditur edhe një pjesë të Francës. Erërat po lëvizin me më shumë se 160 km në orë, ndërsa 140 mijë shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike.