“Mos i operoni më shqiptarët” Si e denoncoi mjeku grabitjen kolosale me...

“Mos i operoni më shqiptarët” Si e denoncoi mjeku grabitjen kolosale me koncesionin e sterilizimit

372
0

Skandali i vazhdueshëm i koncesionit të sterilizimit të paisjeve mjeksore, që shpesh është denoncuar nga media apo opozita, këtë herë ka marrë një goditje të fortë nga një profesionist. Fjala është për mjekun urolog, Artan Koni që ka denoncuar me një video atë që ai e quan “grabitje kolosale”. Ajo që e ka shtyrë mjekun të protestojë dhe të ngrejë zërin është një shkresë e Ministrisë të shëndetësisë drejtuar spitaleve kryesore të vendit, për ti kërkuar atyre që gjatë vitit të ardhshëm të bëjnë më pak operacione se gjatë vitit të shkuar.

Arsyeja: koncesionari i strelilizimit “Sani Service” po merr më shumë para sesa janë parashikuar. Sipas statistikave gjatë 2018 janë kryer rreth 90 mijë ndërhyrje kirurgjikale për të cilat shteti i ka kaluar koncesionarit 17 milionë euro, ose 3.6 milionë më shumë sesa parashikimi. Dhe nisur nga kjo ministria bën kërkesën absurde: në vend që të negociojë ulje çmimesh me privatin, i thotë mjekve operoni më pak të sëmurë, sikur kjo të ishte një çështje dëshirash.

Nisur nga kjo, mjeku Artan Koni bën reagimin (mos e humb videon poshtë). Sikur shteti ta bënte me fonde publike dhe jo me koncesion privat sterilizimin, me aq para sa harxhon do të mund të operonte….sa??? Plot 7 milionë shqiptarë në vit.

Ja pse sipas këtij profesionisti të guximshëm, që në vend të emigrojë në Gjermani zgjedh të ngrejë zërin, koncesioni i sterilizimit është një grabitje spektakolare.

I vënë shpesh në akuzë për këtë skandal, kryeministri Rama e ka mbrojtur gjithnjë atë. Madje në prag të zgjedhjeve të 2017, ai u paraqit në emisionin “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit me një set paisjesh të vjetra mjeksore në dorë duke thënë se ai qe krenar për këtë arritje (foto poshte). Ai e krahasoi vetën me paisjet e reja dhe opozitën politike me veglat e vjetra.

Por kontrata e koncesionit për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale u firmos mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Sani Service në dhjetor 2015 për një afat 10 vjeçar me një vlerë të parashikuar prej 9.6 miliardë lekësh, gjithmonë ka ngritur dyshime.

Pas një investigimi të BIRN që kur kompania koncesionare Sani Service, u shpall fituese u zbulua se pas saj fshihej një mik i Ramës dhe ish ministrit Ilir Beqja, Ilir Rrapaj që pati punuar në ndërtim si emigrant në Itali.

Për më shumë se një dekadë, Ilir Rrapaj drejtoi një kompani të vogël ndërtimi me vetëm një të punësuar, të regjistruar në një zonë të qetë rezidenciale në qytetin e Peruxhias të rajonit Umbria në Itali, të cilën e themeloi së bashku me dy të afërm të tij në vitin 2000 me një kapital të vogël prej 1500 eurosh.

Megjithatë, pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e qershorit 2013, emigranti me origjinë nga fshati Rexhepaj i Vlorës u kthye në Shqipëri dhe vendosi kontakte me kreun e shëndetësisë shqiptare, Ilir Beqaj, me të cilin ka pasur takime të shpeshta ku kanë marrë pjesë edhe biznesmenë italianë, të interesuar në tregun e shërbimeve mjekësore.

Dy vjet pas rikthimit në atdhe, me anë të një kompanie të regjistruar në Kosovë, Rrapaj është shpallur fituesi kryesor i një kontrate koncesionare prej 100 milionë dollarësh në një tender të kontestuar.

Nëpërmjet kompanisë së tij Investital LLC, e cila ka një kapital prej 1000 eurosh dhe është e regjistruar në Prishtinë, Rrapaj zotëroi 40 % të aksioneve të një bashkimi kompanish italiane, të cilat fituan tenderin për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.

Pikërisht kësaj kompanie shteti i dha këtë vit 7 milionë euro (3,6 më shumë se parashikimi) gjë që e detyroi Ministrinë e shëndetësisë të urdhëronte spitalet të operonin më pak të sëmurë