Mjekët këshilluan nënën ta abortonte, fëmija i lindur me trurin jashtë kafkës...

Mjekët këshilluan nënën ta abortonte, fëmija i lindur me trurin jashtë kafkës mbijeton dhe sot është 7 muajsh

621
0

Një familje në New Jersey, të cilëve iu tha se djali i tyre nuk do të mbijetonte pas lindjes, tani po feston shtatë mujorin e  fëmijës. Gjatë ultratingullit në javën e 10, djali i palindur i Maria Santa Maria-s, Lucas, u diagnostikua me një defekt të rrallë dhe kur lindi ai e kishte trurin jashtë kafkës, një sëmundje e njohur si ekzencefalia. Besohet se ai është foshnja i parë që mbijeton pasi lind me këtë problem.

Mjekët i thanë nënës se djali nuk do të jetonte dot më shumë se disa orë pas lindjes. Ata i këshilluan asaj të bënte abort. “Nuk doja ta bëja këtë”, tregon ajo. Pavarësisht sesi do të shkonin gjërat, ajo donte ta lindte Lucasin. Mjekët u habitën që ai mbijetoi gjatë lindjes. Por gjithsesi, Santa Maria e përgatiti veten dhe familjen e saj për atë që kishin paralajmëruar mjekët: që ai përfundimisht nuk do të mbijetonte.

Nëna tregon se bëri rregullime për varrimin dhe gjithashtu kontaktoi një specialist që të përgatiste fëmijët e saj më të rritur në rast se Lucasi nuk do t’ja dilte. Por, kur stafi mjekësor pa se Lucas ishte i shëndetshëm, ata kryen një operacion katër ditë pas lindjes së tij. Operacioni i Lucasit përfshinte heqjen e indeve anormale të trurit për të parandaluar dëmtimin e zonës funksionale të trurit të tij.

Doktorët thanë se që pas operacionit, kocka ka filluar të formojë një shtresë mbrojtëse rreth trurit të Lucasit, dhe se koka ka filluar të zhvillohet mbi të, e plotë e me flokë. Sa i përket zhvillimit mendor të vogëlushit, mjekët thanë se do të ishte njësoj si i të gjithë fëmijëve. Nëna e Lucasit thotë se ai po përmirësohet dita ditës dhe është shumë mirënjohëse për gjithçka kanë arritur.