Miss-i Egla Harxhi: Dua të tregoj lakuriqësinë, femrat kanë të drejtë ta...

Miss-i Egla Harxhi: Dua të tregoj lakuriqësinë, femrat kanë të drejtë ta bëjnë

558
0

1_1472722332-729176

Egla Harxhi shfaqet pa dorashka! Ashtu siç edhe flet…teksa e dëgjon sot, kupton menjëherë që veç sharmit të gjithëkohshëm, nga 15-vjeçarja që dikur mbante kurorën e më të bukurës shqiptare, ka mbetur shumë pak, e është bërë shumë më shumë.
Një vajzë me një botë të madhe brenda vetes, me një forcë e talent të jashtëzakonshëm, gati për të ngritur siparin përpara botës. Kësaj here jo rastësisht, por me një dëshirë e vendosmëri të pashoqe. Arkitektja, aktorja, modelja e feministja, ka trazuar menjëherë ujërat e Tiranës së vogël pasi erdhi prej Parisit të madh. Po çfarë ka ndryshuar tek Egla? Si i kujton ajo ditët e para të famës në Shqipëri? Ç’ka ndodhur më jetën e saj përgjatë këtyre viteve dhe ku e ka vendosur ajo veten sot?

Egla, çfarë të solli në Tiranë kaq shpejt? Ka vetëm disa muaj që je shpërngulur në Paris…

Po bëhet gati një vit që jetoj në Paris tashmë, ku studioj për aktrim dhe jam e angazhuar me dy agjensi të mëdha mode dhe talentesh. Babai im, i cili është regjisor filimi, po përgatitej për të xhiruar filmin e tij të ardhshëm këtë verë me titullin “Shoferi”, ku aktor të mëdhenj të skenës shqiptare si Robert Ndrenika, Enver Petrovci, Sokol Angjeli, Arben Derhemi, Natasha Sela, do të luanin në të. Deri një muaj para xhirimeve nuk e kishte vendosur nëse do të më jepte një prej roleve kryesore, sepse mendonte që karakteret në filmin e tij nuk më përshtateshin. Mund të mendohet që është e thjeshtë të marrësh një rol në një film ku regjisor është babi yt. Por edhe në këtë rast duhet të jesh bindëse, të luftosh, të kalosh në audicion dhe të provosh që do ia dalësh të realizosh atë produkt që kërkohet. Roli ishte një sfidë, sepse është një transformim karakteri krejt i ndryshëm. Muaji korrik në Tiranë ishtë shumë i ngarkuar me punë papushim në këtë drejtim për te arritur rezultatin e deshiruar. Krahas kësaj, kur u angazhova në kete projekt miqtë e mi në Paris shprehën deshirën për të ardhur në Shqipëri për të zbuluar një vend të panjohur për ta. Me fotografin Ale de Basseville, stilisten e televizionit “M6” Laurence Ounini dhe ish-menaxheren e Alexander Mc Queen, Nathalie Pachiaudi, u inspiruam për projekte të reja në vazhdim, lidhur me Tiranën dhe Parisin. Gjatë kësaj periudhe u inspiruam dhe realizuam disa sete fotosh, ndryshe nga nga ato që kishim bërë në Paris.

I je përkushtuar kështu filmit, duke hequr dorë një herë e përgjithmonë nga profesioni për të cilin studiove, arkitektura… Përse kjo zgjedhje?

Jam rritur në një mjedis ku më është ushqyer dëshira për kulturën, për artin dhe estetikën. Nuk e kam parë dot asnjëherë të ardhmen time në një profesion të ndarë nga arti. Arkitektura ishte një pasion, i cili më ka dhënë shumë shpirtërisht, më ka hapur mendjen në shumë drejtime. Mbarova masterin shkencor me nota maksimale dhe në fund të studimeve u ftova nga studio e Kengo Kumes në Tokio për të vazhduar më tej karrierën time si arkitekte. U gjenda përballë një zgjedhje shumë të fortë ku po përcaktohej fati im. Ishte pikërisht ky moment kur vendosa mos ta përqafoj si zgjedhje, sepse ndjeva që mund të eksploroja më tej kapacitetin tim në fusha të tjera. Aktrimi nuk ishte një fushë e panjohur për mua. Ashtu sikurse vij nga një familje inxhinirierësh dhe arkitektësh, babai im nga krahu tjetër më ka ushqyer që herët me nocionet e kinemasë dhe dashurinë për artin e të performuarit. Shumë shpejt kuptova që kjo ishte mënyra ime e vetme për t’u shprehur. Shumë e shohin si kapërcim radikal zgjedhjen time, unë e shoh si transformim organik i eksperiencave dhe eksplorimit të unit tim.

Si është jeta jote në Paris?

Fillimi është gjithmonë i paqartë dhe i vështirë, por idetë i kisha të qarta në kokë dhe isha e bindur për atë që kërkoja. Menjëherë u vura në lëvizje duke u regjistruar në shkollën më të mirë të aktrimit “Cours Florent”, ku kanë studiuar yje të kinemasë si Audrey Tautou, Diane Kruger, Eva Green, Sophie Morceau, etj. Më pas kontaktova agjencitë e talenteve si “Urban Talents” dhe “Rebecca Models”, me të cilat punoj sot për t’u angazhuar në ‘castings’ dhe audicione. Pjesa më e rëndësishme dhe më e vështirë më pas, është të bëhesh pjesë e elitës dhe të integrohesh në jetën sociale. Të jesh e ftuar në eventet më të fundit, të jesh në kontakt me njerëz të jashtëzakonshëm në fushën e artit, që të lejojnë të avancosh dhe të mësoh prej tyre. Bisedat në ‘cafe de Flore’ dhe ekspozimi në pothuaj të gjitha eventet kulturore artististike në Paris, e bëjnë jetesën në këtë qytet shumë intensive dhe dinamike. Ndjej që kam gjetur vendin e duhur dhe ndihem si në shtëpinë time.

A po synon një karrierë ndërkombëtare?

Arsyeja pse zgjodha Parisin flet vetë. Nuk është rastësi për mua që të gjithë artistët më të mëdhenj të dy shekujve të fundit jetonin në Paris. Është kryeqyteti i promovimit kulturor botëror.

Fotot që do të shoqërojnë këtë intervistë, të lënë me gojë hapur… Çfarë dëshiron të thuash përmes tyre?

Fotot janë pjesë e një koncepti që kishim bashkë me fotografin Ale de Basseville, për të sjellë bukurinë natyrale femërore në një formë sensuale dhe jo vulgare siç jemi mësuar të shohim në të përditshmen tonë. Ajo që dua të tregoj pa censurë, është që femrat kanë të drejtën të tregojnë lakuriqësinë e tyre, bukurinë e tyre sepse çdo grua apo vajzë është e bukur. Çdo grua ka të drejtën e saj të shprehë seksualitetin e saj, pa frikën se do të trajtohet si objekt. Nuk kemi lindur me veshje “Chanel” apo “LV” dhe s’ka asgjë shokuese në të qenit të lirë nudo. Madje nuk do doja të përdorja as termin nudo, por natyraliste. Ka ndryshim shumë të madh. Që nga civilizimi grek tek ai romak apo epoka e rilindjes, estetika e bukurisë femërore është trajtuar me shumë dashuri nga artistët e kohës përmës skulpturës dhe pikturës. Sot trajtohet nëpërmjet fotografisë, kinemasë, videos. Problematikat që e shoqërojnë gruan në shoqërinë e sotme ku kjo e fundit dhunohet, trajtohet si objekt seksual dhe keqtrajtohet nga seksi tjetër, më revolton dhe më shtyn të provokoj nëpërmjet formave artistike, siç është fotografia. Nëpërmjet fotos mund të provokosh mesazhe dhe reaksione që janë të nevojshme për të krijuar debate.

Çfarë ka ndryshuar tek Egla nga koha kur u shpall “Miss”?

Shumë ka ndryshuar. Unë kam evoluar, nuk jam më një vajzë 15 vjeçe që nuk di ç’të bëjë me suksesin. Eksperiencat që kam patur pas ‘Miss Albania’ si ‘Miss World’, kontratat në Dubai, kontrata 1-vjeçare si imazh i ‘Eagle Mobile’, sigurisht ishin ekperienca nga të cilat mëson shumë, por në moshë shumë të re nuk arrin dot t’i vlerësosh siç duhet. Ke nevojë të bësh disa hapa mbrapa dhe të kthehesh te esencialja. Këtë bëra, u fokusova te edukimi dhe formimi im. Formimi i personalitetit tënd, gjetja e vetvetes, kërkimi i vazhdueshëm i asaj që quhet ‘Carpe diem’, ishte rruga që ndoqa për të bërë ndryshimin e asaj që Egla është sot.

Ti nuk e doje vëmendjen e medias në kohën kur u shpalle “Miss”, tani që i ke hyrë rrugës së aktrimit je e përgatitur për t’i kthyer të gjithë sytë nga vetja?

Nuk e doja, sepse në atë kohë isha një adoleshente rebele që jetoja nën influencën e rrymave artistike që kanë lëvizur botën, rroku, punk, bauhaus, secesioni vienez. Bota e Miss-eve me dukej false dhe absurde. I hyra konkursit pa pritshmërinë që do të fitoja. Hyra vetëm për të kaluar një kohë të bukur vere. Kur u gjenda përpara një fakti të kryer dhe hyra brenda asaj bote, kuptova që nuk identifikohesha dot me të. Idealet e mia ishin shumë larg. Sot e mendoj ndryshe dhe mendoj që e gjitha në fund të fundit ka qenë një eksperiencë e bukur, që më ka vlejtur dhe më ka mundësuar shumë gjëra që shumë vajza të tjera i ëndërrojnë gjithë jetën e tyre. Sot jam mirënjohëse. Jam mirënjohëse sepse në rrugën e artit të kinemasë, ajo eksperiencë më vlen sot dhe më ka bërë më të fortë dhe të përgatitur për t’u përballur me botën e showbiz-it dhe vëmendjen e medias që dikur e shmangia. Dikur mendoja që të jesh në vëmendjen e publikut, dikush duhet të ketë diçka për të thënë pasi është një përgjegjësi tej mase e madhe lidhur me mesazhin që jep. Mendoj që sot kam arritur në një nivel dhe pjekuri të caktuar që ta marr përsipër këtë përgjegjësi dhe të flas dhe të ndaj me publikun ide, mesazhe të cilat mund të krijojnë sadopak debat apo reaksion. /revistawho