MISIONARËT E DHJETORIT NË PANTEONIN E KOMBIT/ Nga Azgan HAKLAJ

MISIONARËT E DHJETORIT NË PANTEONIN E KOMBIT/ Nga Azgan HAKLAJ

298
0

-Dhjetori i Rilindasve Pjetër Budi e Pjetër Bogdani.

-Dhjetori i Shen Terezës dhe Atit të Kosovës e Gandit të Ballkanit, Ibrahim Rugova.

-Dhjetori i Triumfit të Legalitetit mbi Revolucionin Bolshevik në vitin 1924.

-Dhjetori i Demokracisë Shqiptare: -“Lavdia e tyre nuk ka nevojë për asgjë, kemi nevojë ne për lavdinë e tyre”.

-Dhjetori i dhunuar i 45-ës nga Satanai Enver Hoxha dhe Dhjetori i tanishëm i dhunuar nga Sulltan Rama, uzurpatori i të gjitha pushteteve na bajnë thirrje: -“Në këmbë që të mos këndojmë këngë zie për lirinë e humbur”.

 

 

Kujtesa historike e Kombit Shqiptar ka evidentuar me të drejtë Nëntorët e Lirisë si evenimente të mëdha e pika kthese në rrugëtimin tonë drejt ardhmërisë, shtetformimit e prosperitetit.

Protagonistët e Nëntorit të Parë e të Dytë, Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) e Ismail Qemali, i pari Heroi Nacional e i dyti i Aktit të Pavarësisë në vitin 1912, janë figurat më të nderuara e të pakontestuara nga bashkëkombasit e tyre në trojet etnike.

Nëntori i vitit 1908, plot 111 vjet më parë është Ditëlindja e Alfabetit Shqip dhe gurëthemeli i Identitetit Kulturor të Shqiptarëve dhe çertifikimi i Shtetit-Komb.

Me 28 nëntor 1944 u çlirua Shqipëria, por fatkeqësisht të nesërmen e kësaj dite u pushtua nga komunistët, të cilët e kishin projektuar disa muaj me parë në Kongresin e Permetit, 24 maj 1944.

Me devizën bolshevike: “Të gjithë pushtetin Sovjetëve”, Kmerët e Kuq zhbënë Shtetin Modern të së Drejtës, Monarkinë Kushtetuese të krijuar nga burrështetasi Ahmet Zogu, i cili u kishte bërë ballë horrdhive bolshevike e fashiste tre dekada.

Komunistët, të udhëhequr nga Pol Poti, Enver Hoxha, ia arritën qëllimit dhe instaluan diktaturën e proletariatit në Asamblenë Kushtetuese të Dhjetorit 1945.

28 Nëntori është ditëlindja e Adem Jasharit, Komandantit Legjendar të UÇK- së së lavdishme, e krijuar me 28 nëntor 1997, e cila realizoi ëndrrën qindra vjeçare të Popullit të Kosovës për Çlirim Kombëtar.

Po të vëzhgojmë me vëmendje protagonistët e historisë, burrat që në jetën e tyre, me veprën e tyre, vendosën gurë të rëndë themeli në Historinë e Rilindjes Kombëtare e Kulturore të Shqiptarëve, në iluminimin e ndërgjegjes atdhetare, politike e kulturore të këtij vendi, të cilit të huajt i kanë vënë epitetin madhështor “Toka e Shqiponjave”, do të vërejmë se Dhjetori flet me gjuhën dhe emrin e personaliteteve të shquara të Historisë Shqiptare, të denja për Panteonin e Kombit Shqiptar, e për t’u nderuar me lavdi të përjetshme.

Në Dhjetorin e vitit 1922 në rrethana të dyshimta u nda nga jeta Pjetër Budi, klerik, patriot i flaktë, erudit dhe humanist i madh, i cili me kulturën e tij të gjerë, shumëdimensionale, me përpjekjet e mëdha për lëvrimin e Gjuhës Shqipe, e mbrojtjen e saj nga asimilimi, luajti një rol jetik për të ruajtur nga zhbërja identitetin historik e kulturor të popullit të vet.

Para Budit kishim 7-8 vargje shqip të Lek Matrengës, kurse Ai na la trashëgimi 23 vjersha me 2.300 vargje në Poezinë Shqipe. Na la veprat: “Doktrina e Krishterë”, “Rituali Roman”, “Pasqyra e të Rrëfimit”. Pjetër Budi ishte jo vetëm autor i shquar e i begatë i Letërsisë sonë të Vjetër, por njëherësh edhe njohës i shkëlqyer i gjendjes së Popullit Shqiptar, nën sundimin Osman. Ai i ra kryq e tërthor viseve arbërore duke ngjallur kudo shpresën e besimin tek liria dhe optimizmin se do të rikthehet Moti i Madh i Arbërit, siç e cilësonin atdhetarët e asaj kohe Epokën e ndritur të Gjergj Kastriotit. Budi luftoi me guxim e stoicizëm, jo vetëm kundër pushtuesit të egër turk, por njëherësh kundër uzurpatorëve të huaj të Kishës Shqiptare, konkretisht kundër Vatikanit. Kjo betejë në dy fronte dhe Aleanca Turko-Veneciane kundër tij dhe kurthi që i ngritën atij e çuan drejt vdekjes fizike e njëherësh drejt pavdekësisë, ngase ai ishte dhe do të mbetet një monument i pamatë i Gjuhës, Kulturës e Çështjes Kombëtare Shqiptare.

330 vjet më parë u nda nga jeta Pjetër Bogdani, Korifeu i kulturës, letërsisë e mendimit, humanizmit të shekullit të 17-të, që ndezi dritën e pashuar të kulturës, dijes e patriotizmit shqiptar, Trini e Shenjtë kjo që do të bëhej gurë themeli dhe udhërrefyese e veprimtarisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe më vonë në prologun e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.  Bogdani, autor i veprës monumentale “Çeta e Profetëve”, shkrimtar,  poet, filozof, humanist, ishte një dijetar poliglot i kalibrit të lartë europian, zotërues i 16 gjuhëve të huaja dhe i lauruar me dy doktoratura në Romë. Ai ishte ideatori dhe organizatori i Kryengritjes së madhe antiosmane 1687-1689 në Kosovë. Bogdani arriti të mobilizonte 20.000 luftëtarë vullnetarë të lirisë, i cili në aleancë me Perandorin Austro-Hungarez Leopold I synonte të çlironte popullin e vet nga robëria turke. Kjo fuqi e madhe ushtarake, e rreshtuar pas Bogdanit dhe deshira e flaktë e bashkatdhetarëve të tij për të këputur prangat e robërisë e bënë Perandorin Austriak t’i konsideronte shqiptarët aleatët e tij besnikë e faktor për çlirimin e Ballkanit nga robëria turke.  Leopoldi I ju drejtohej luftëtarëve të udhëhequr nga Bogdani me shprehjen fisnike e atërore: “Albanezët e Mi”.

Ripushtimi i Kosovës e kryeqendrës së saj Prishtinës nga turqit në vitin 1689 dhe dhunimi i varrit të Bogdanit nga hordhitë barbare aziatike ngjallën indinjatë e zemërim në mbarë trojet shqiptare. As zhvarrimi i tij dhe as dhuna e egër e ushtrisë së Sulltanit nuk arritën ta shuajnë flakën e lirisë që ishte ndezur në zemrat e shqiptarëve.

Aleanca largëpamëse e Bogdanit me Perandorinë Habsburge ishte jo vetëm një kryevepër diplomatike, por dhe një domosdoshmëri jetike për mbijetesën e Kombit Shqiptar, në kushtet kur Rusia Cariste kishte dalë në Skenën Europiane e Botërore si fuqi e madhe ekspansioniste, e cila kishte filluar ngjalljen e lëvizjes ortodokse për të shtrirë hegjemoninë e saj në Ballkan. Shqiptarët ishin të detyruar të luftonin në disa fronte njëherësh për të mbijetuar. Austro-Hungaria u ba aleatja më e flaktë e Shqipërisë, në luftën e saj për Pavarësi dhe krijimin e Shtetit Kombëtar, e kjo aleancë ka si themel të saj veprën e një burri të ndritur e të pavdekshëm si Pjetër Bogdani.

Me dt 24 dhjetor 1924 në virgjilje të Ditëlindjes së Jezu Krishtit forcat nacionaliste shqiptare hyjnë triumfalisht në Tiranë dhe i dhanë fund grushtit të shtetit të qershorit të ideuar e sponsorizuar nga armiqtë e Shqipërisë. Kjo datë historike që njihet si “Triumfi i Legalitetit”, ku si protagonist absolut ishte Ahmet Zogu, njeriu që me gjeninë e tij politike, kurajon e guximin e pashembullt si ministër i brendshëm, Kryeministër, President i Republikës e më vonë Mbret i Shqiptarëve, la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shqiptarëve në shekullin e XX-të. Ai i dha emrin Epokës së Tij dhe të ngjitet në Panteonin e Historisë si themeluesi i Shtetit Modern Shqiptar.

Shekulli i XX-të, shekulli i Luftës së Dytë Botërore të përgjakshme e vendosjes së Diktaturës Komuniste në Shqipëri dhe asaj Titisto-Rankoviçiane në Kosovë është shekulli ku konstelacionin e qiellit shqiptar do ta shndrisin me dritë të pashuar e të amëshuar emrat e Nënë Terezës dhe Ibrahim Rugovës, njëra Shenjtore e Emblemë Botërore e humanizmit e solidaritetit njerëzor e tjetri gjeni i politikës, intelektual, humanist, vizionar e iluminist, të cilin Bota e ka pagëzuar me emrin “Gandi i Ballkanit” dhe “Ati i Kosovës”.

Është ky muaj i 40- vjetorit të Laurimit të Shenjtorës Nënë Tereza me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979, çertifikim para njerëzimit i shpirtit filantropik dhe solidaritetit të Genit Shqiptar, të demonstruar nëpër shekujt e mijëvjeçarët e historisë. Ajo do t’i lutej Bill Klintonit:- “Ndihmoni Kombin Tim-Kombin Shqiptar”.

 

Në Vitin e Mbrapshtë Shqiptar 1997, të projektuar nga dishepujt e komunizmit e pinjollët e diktaturës, në epilogun e jetës së saj Ajo lutej për Shqipërinë. Pas Çlirimit të Kosovës, Presidenti Bill Klinton, shkoi tek varri i Shenjtores Nënë Tereza dhe ju drejtua me fjalët:- “Unë ta kreva Amanetin- ta realizova Lutjen, tani është koha të luteni Ju për mua nga Parajsa”.

Dr Ibrahim Rugova, ashtu si Abrahami, emrin e të cilit mbante besoj deri në fund se Zoti e don popullin e tij dhe projektoi politikën e tij gandiste, të ardhmen e ndritur të Kosovës martire.

8 Dhjetori është Dita e Rinisë Shqiptare, apogjeu i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ‘90 dhe vetëm pas tre ditësh, më dt 11 dhjetor, Ditëlindja e Partisë Demokratike të Shqipërisë, ngjarja më madhore e Shqipërisë, pas Shpalljes së Pavarësisë së saj në vitin 1912.

Ajo shembi Diktaturën Komuniste, regjimin satanik ateist më të egër në Europë dhe institucionalizoi  Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës, konsolidoi atë dhe e integroi Shqipërinë në strukturat Euro-Atlantike.

Ky vit është viti Jubilar i 75 -vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë dhe 20- vjetorit të Çlirimit të Kosovës.

21 vite më parë, me 14 dhjetor 1998, tek likenet e Hasit, në fshatin Gorozhup të Pashtrikut ranë në pritën e hordhive serbe 140 luftëtarë të lirisë, ku mbetën për t’u përjetësuar si misionarë të lirisë 40 dëshmorë, mes të cilëve njëri prej tre shqipeve të themelimit të UÇK-së, Muj Krasniqi (Komandant Kapuçi), Beqir Gashi, Luljeta Shala e të tjerë.

Në këtë muaj të shenjtë të misionarëve të lirisë dhe demokracisë shqiptare, të misionarëve që u ngjitën në Panteonin e Kombit duhet të perifrazojmë shprehjen franceze për Molierin: – “Lavdia e tij nuk ka nevojë për asgjë, por lavdija jonë ka nevojë për Të”.

Dhjetori i Vitit ‘45-të i dhunuar nga Hoxha dhe ky i tanishmi i dhunuar nga Sulltan Rama, uzurpatori i të gjitha pushteteve, na bajnë thirrje të ngrihemi në këmbë për një Dhjetor të Ri, për të mos kënduar këngë zie të lirisë së humbur.