Me Mira Muratin “fluturojmë” më shpejt drejt BE-së/ Rama: Plani për të...

Me Mira Muratin “fluturojmë” më shpejt drejt BE-së/ Rama: Plani për të bërë gati masat e BE-së nëpërmjet ChatGPT

54
0

Kryeministri Edi Rama zbuloi gjatë Kongresit të Partisë Socialiste bisedën që ka zhvilluar me Mira Muratin, për të përshpejtuar punën e cila do të na anëtarësojë në Bashkimin Evropian. Ai u shpreh se krijuesja e ChatGPT, shqiptarja Mira Murati, do të arrijë me ndihmën e inteligjencës artificiale futjen në legjislacionin shqiptar rreth 4000 akte ligjore, të cilat janë të domosdoshme për anëtarësimin në BE. Rama u shpreh se ndryshe nga vendet e tjera ku i gjithë procesi ka zgjatur deri në 9 vite, Shqipëria do ta bëjë shumë herë më shpejt.

“Unë jam i bindur që gjithkush mendon që kjo është retorikë por nuk është retorikë është fakt i mbështetur në argumenta konkretë. Unë po sjell këtu vetëm dy. I pari është tejet teknik, që një vend të jetë teknikisht gati që të bëhet pjesë e Bashkimit Europian duhet të ketë legjislacionin e Bashkimit Evropian.

 

Kjo do të thotë që të vendosë Shqipëria 280 mijë faqe, 3484 masave ligjore të KE-së ose ndryshe ne do të miratojmë mbi 4000 akte ligjore dhe nënligjore. Që kur Shqipëria ka nisur ta bëjë këtë me BE-në, shumë vite më parë, ka arritur të bëjë ndërvendosjen e vetëm 510 masave. Tradicionalisht kjo punë kolosale, për vendin që e ka kaluar këtë gjë përpara nesh ka zgjatur 7-9 vjet. Shqipëria do ta bëjë këtë shumë më shpejt se ata pararendës. Ky nuk është, prapë po e them, qëndrim retorik por argument i mbështetur në shkencë, inovacion e teknologji. Askush nga ne nuk e kishte dëgjuar më parë emrin e një vajze vlonjate, një talent, Mira Murati.

 

E dëgjuam të gjithë njëkohësisht bashkë me gjithë botën kur ajo mahniti me krijesën e inteligjencës artificiale ChatGPT.

 

Ju e dini si është jeta të gjithë kanë fiksimet e tyre, dhe unë timin, e kërkoj Mira Muratin dhe ajo më jep një takim telefonik. Mora guximin për t’i kërkuar ndihmë, për ta bërë Shqipërinë pjesë më shpejt të BE-së. Ajo qeshi sepse mendoi se po bëja humor.

 

A është e mundur të fusim mijëra përkthyes dhe të shfrytëzojmë miliona, për të bërë gati malin e masave të BE-së nëpërmjet ChatGPT?

 

Po më duket e mundur, mu përgjigj. Kështu nisi puna me të dhe grupin që u krijua”, tha Rama.

 

Kryeministri shtoi ndër të tjera se ndryshimet e Shqipërisë do i lërë në Bruksel si kartolinë, e suksesit të modelit shqiptar të inteligjencës.

 

“Sot dua ta ndaj me ju që në 13 dhjetor në Bruksel, kur të mbarojë mbledhja, do t’ia lë si kartolinë suksesin e modelit shqiptar të inteligjencës, për vendosjen e 280 mijë faqe masa të legjislacionit të BE-së. Modeli ynë revolucionar, nuk bën thjeshtë përkthim por edhe një sërë shërbimesh të tjera, por në thelb na mundëson një qërim farmaceutik të gjithë thasëve të orizit”, deklaroi Rama.