Mbyllet pas 4 orësh protesta, Basha: Vërshimi popullor nuk ndalet

Mbyllet pas 4 orësh protesta, Basha: Vërshimi popullor nuk ndalet

363
0

Ka zgjatur rreth 4 orë protesta e opozitës. Pas dy marshimeve rreth Kryeministrisë dhe një deri në sheshin “Skënderbej” e tek parlamenti, protesta është mbyllur në oborrin e selisë së PD.

 

 

Gjatë protestës u krijuan momente tensioni tek parlamenti ku ndodheshin një pjesë e protestuesve. Protestuesit tentuan të thyejnë kordonin policor por janë shpërndarë me gaz lotsjellës nga policia. Ata kanë qëlluar me sende të forta e gurë por policia është përgjigjur me gaz lotsjellës. Ndërkohë policia ka hedhur dhe ujë me bote për të larguar protestuesit.

 

 

Turma është ftuar për të marshuar rreth e rreth Kryeministrisë si simbolikë për rrethimin e qeverisë nga qytetarët. Pasi është sjellë dy herë rreth Kryeministrisë, turma ka vijuar drejt qendrës së kryeqytetit. Një pjesë është vendosur pranë parlamentit ku kanë tentuar të hyjnë brenda por janë ndaluar nga policia e cila ka hedhur gaz lotsjellës.

 

 

 

Ashtu siç kishte paralajmëruar, opozita e bashkuar nisi protestën para godinës së Kryeministrisë në orën 11:00. Kjo është protesta e pestë nga 16 shkurti por e dyta para kryeministrisë.

 

Opozita akuzon qeverinë për lidhje me krimin, blerjen e votave dhe kërkon qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër. Gjithashtu opozita kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.  Opozita e bashkuar vendosi të djegë mandatet e deputetit dhe thotë se nuk do ndalet deri në largimin e Edi Ramës.